2015-12-03 11:31:00

Atë Lombardi: nga Afrika, mësimi si duhet jetuar Jubileu


Një vizitë e paharrueshme, që i dha guxim e shpresë kontinentit afrikan. Të nesërmen e udhëtimit të parë të Papës Françesku në Afrikë, pyetëm drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, për një bilanc të shtegtimit në Kenia, Ugandë dhe në Republikën e Afrikës Qendrore:

Papa ndjehej krejtësisht si në shtëpi të vet e afrikanët e ndjenë të tyrin. Të dyja palët kishin shumë dëshirë të takoheshin. Papa flet gjithnjë për takim: ishte një takim i bukur ndërmjet Papës dhe Afrikës! Natyrisht, Afrika, për të gjithë ne dhe për pushtetet e botës së sotme, është periferi, prandaj Ati i Shenjtë deshi të shkonte pikërisht në Afrikë e në një vend si Afrika Qendrore, ndër më të shkatërruarit e kontinentit, për të treguar vëmendjen e tij ndaj vetë Afrikës në përgjithësi e sidomos ndaj vendeve, që vuajnë nga varfëria, sëmundja, mënjanimi, vështirësi të ndryshme për të gjetur rrugën e të ardhmes e për të respektuar plotësisht dinjitetin e njeriut.

Në të tria vendet e vizituara, shpesh, Papa vuri mënjanë fjalimin e përgatitur e foli pa letër, hyri në dialog më të pranishmit, sidomos me të rinjtë. Përgjigjja e njerëzve qe e jashtëzakonshme…

Po, e kemi kuptuar tashmë – që nga fillimi i papnisë – se kjo është mënyra e tij e komunikimit. Ai e do shumë këtë mënyrë spontane, dialogjike, këtë mënyrë të ndjerë, që të rrëmben. I lë edhe të përgjigjen e të flasin njerëzit e pranishëm, që të ndjehet e të shihet se janë pjesë aktive e një procesi dialogu. Kjo ndodhi edhe në Azi. Më pati bërë përshtypje fakti se Papa, që ka kulturë krejtësisht të ndryshme e vështirësi në përdorimin e gjuhës, pra, ka nevojë për përkthyes, komunikoi me ta përsosurisht. Karizma e komunikimit spontan, me gjeste e me shprehjen e plotë të vetvetes, karakteristikë e Papës, arrin të kapërcejë edhe vështirësitë gjuhësore. Kjo funksionoi në Azi e funksionoi edhe në Afrikë, ku shihej edhe gatishmëria e të rinjve dhe entuziazmi i tyre për t’u përfshirë në këtë dialog. Çastet klasike, në të cilat Papa preferon rrugën e dialogut të drejtpërdrejtë janë takimet me të rinjtë dhe takimet me klerin e rregulltarët, pra, kur ka përpara njerëz me të cilët e ndjen se mund të hyjë në dialog spontan.

Pritej me padurim hapja e Portës Shenjte në katedralen e Banguit. Ky gjest do të mbetet vërtet gur kilometrik në papninë e Françeskut…

Po, vërtet. Mendoj se të gjithë patëm menduar dhe e patëm pyetur veten nëse kishte kuptim të hapej kjo Portë para asaj të shpallur qëkur, më 8 dhjetor, hapja zyrtare e Vitit të Mëshirës për gjithë botën. Prandaj, patëm thënë: është përjashtim për njerëz në vështirësi, që nuk mund të lëvizin për të marrë pjesë në ngjarjet e mëdha botërore, pra, është akt kujdesi lokal. Por, pastaj, Papa vetë, para hapjes së Portës Shenjte, tha: ‘Ky është kryeqyteti shpirtëror i botës sonte’, pra, ai vetë i dha këtij gjesti një kuptim jo lokal, por vërtet universal. Njëfarësoj, duhet të themi: Viti i Mëshirës, për ne që ndoqëm udhëtimin, ishte  fare e qartë se për Papën nisi aty. Papa i periferive deshi ta hapë Vitin e Mëshirës në ‘periferi’ për t’i dhënë vërtet kuptimin e dashurisë së Zotit, që shfaqet edhe me kujdesin e veçantë për të varfërit e për të vuajturit. Kjo nuk i heq asgjë rëndësisë së ceremonisë së 8 dhjetorit dhe hapjes së portave në anë të tjera të botës, sepse mëshira e Zotit është gjithkund. E dua të shtoj edhe diçka tjetër. Pas hapjes së Portës në Bangui dhe pasi filloi lutja, Papa rrëfeu pesë të rinj. Ishte mbrëmje e vështirë, sepse nuk ishte e lehtë për të rinjtë të vinin natën në Bangui. Prandaj, nga jashtë, pjesëmarrësit nuk dukeshin të shumtë. Por në mëngjes, fola me meshtarët dhe ipeshkvijtë, që ishin tepër të kënaqur, sepse gjatë natës ishin rrëfyer shumë të rinj e kjo do të thotë se e kishin kuptuar fare mirë domethënien e asaj lutjeje e të hapjes së Portës Shenjte. Pra, Viti i Mëshirës do të thotë të shkojmë për të takuar mëshirën e Zotit edhe përmes Sakramentit të Rrëfimit. Më duket se është mesazh, që duhet ta bëjmë tonin edhe ne. Papa nuk hapi simbolikisht vetëm një portë, por kremtoi edhe Sakramentin e Pajtimit e të gjithë e kapërcyen këtë portë shpirtërore, që është Sakramenti i Pajtimit. Duhet të mësojmë nga afrikanoqendrorët ç’është Jubileu e të mos mendojmë vetëm për logjistikën, ekonominë, sigurinë e diskutimet e tjera, që po bëjmë në Romë.

Para nisjes për në udhëtim nuk munguan ata, që e këshilluan Papën të mos shkojë në Afrikën Qendrore, për arsye sigurie. Me vizitën e tij, Ati i Shenjtë u tregua i guximshëm dhe i dha shpresë popullsisë afrikanoqëndrore…

Është e vërtetë. Duke filluar nga presidentja e tranzicionit, të gjithë shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Papës, që shkoi duke e ditur se kishte shumë përpjekje, edhe të fuqishme, që e këshillonin të mos shkonte. Papa shkoi me vendosmëri, pa e vënë aspak në diskutim këtë e ky qëndrim u kthye në mesazh: “Unë vij e dua të vij tek ju pikërisht sepse jeni në vështirësi e jam këtu me ju për t’ju inkurajuar të gjeni rrugën e të ardhmes”. Me lejoni të theksoj se Papa Françesku vazhdon rrugën e paraardhësve… Papët shkojnë ku ka nevojë, ku i presin, ku ka edhe një farë rreziku, por mesazhi që mbartin presupozon nevojën e impenjimit, të guximit… me një fjalë, nuk shkojnë për turizëm: shkojnë, sepse është e nevojshme e kjo ka edhe një çmim për t’u paguar!

Dua të shtoj këtu një episod, që më preku personalisht. Gjatë javëve para udhëtimit, pata pritur edhe unë një person, i cili kishte folur edhe me të tjerë, më me autoritet se unë, për vështirësitë dhe rreziqet sidomos gjatë vizitës në lagjen myslimane e në xhami. Ishte plot respekt, por edhe i bindur për atë që thoshte. Këtë njeri e takova në xhami, së bashku me të tjerët, pasi është autoritet, e kaq gëzohej e kaq ishte entuziast sa e kishte harruar shqetësimin. “Jeni të mrekullueshëm! Jeni shumë të mirë! Papa bëri pikërisht ç’duhej të bënte…!”. Këto ishin fjalët e tij, që tani, e shihte se vendosmëria e Papës për të shkuar në atë xhami pati domethënie të madhe dhe u bë veçanërisht e çmuar për të gjithë, sidomos për bashkësinë myslimane të Banguit e të Afrikës Qendrore.

Tema e Sidës ishte veçanërisht e ndjerë në Ugandë…

Po. Uganda është vendi, që ka të bëjë më shumë se të tjerët me Sidën. Rasti i parë i dokumentuar i kësaj sëmundjeje ka qenë në Ugandë në vitin 1982. Pastaj epidemia u përhap dhe autoritetet shtetërore e Kisha bënë ç’është e mundur për ta parandaluar, fatmirësisht, me rezultate të mira. Dëgjuam dëshminë e një vajze, Papa u takua me përgjegjësit e projektit “Dream” (Ëndërra), foli për Sidën në Shtëpinë e Bamirësisë në Nalukolongo. Gjatë konferencës së shtypit, në kthim, patëm një pyetje për këtë e ndokush komentoi se Papa nuk deshi të përgjigjej. Në të vërtetë, e konsideroi pyetjen, që kishte të bënte thjesht me përdorimin e kondomit, tepër të ngushtë e deshi ta shohë në një kuadër më të gjerë të përgjegjësisë së njerëzimit për drejtësinë e zhvillimin, bazë për luftën kundër varfërisë e Sidës. Të gjithë ekspertët e dinë se për të parandaluar Sidën fjalët e para janë “abstinence” dhe “be faithfull”, që kanë të bëjnë me uljen e numrit të marrëdhënieve seksuale në përgjithësi e ato jashtëmartesore në veçanti. Pastaj vjen aspekti i kujdesit e i mjekimit e këtu Kisha është në vijën e parë të frontit.

Pasi vizitoi Kenian, Ugandën e Republikën e Afrikës Qendrore, cili është mesazhi më i fuqishëm që Papa Françesku i la Kishës dhe kontinentit afrikan?

Do të jem sintetik në përgjigje. Të gjithëve u bëri përshtypje rinia afrikane. Shumica e turmës, që ndiqte Papën, ishte e përbërë nga fëmijë ose të rinj. Shumica e popullsisë afrikane është e re e brenda pak vitesh popullsia e kontinentit do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme për botën. Papa është aty, Kisha është aty; është e pranishme për këta fëmijë, për këta të rinj, për të ardhmen e këtyre popujve. Kisha i shoqëron e bëhet për ta pikë referimi, shprese e besimi në një të ardhme më të mirë në një kontinent, që ka një zhvillim të pabesueshëm. Ipeshkvijtë më të vjetër, që takoheshin me Papën, janë misionarë evropianë, të tjerët, më të rinjtë, janë të gjithë afrikanë. Pra, Kisha është rritur, ka hedhur rrënjë, është bashkëpërgjegjëse në zhvillimin e këtyre popujve. Kisha është afrikane me afrikanët dhe e shoqëron kontinentin në probleme e shpresa. Gjendja më dramatike ishte në Afrikën Qendrore, për të cilën Papa u impenjua, por të tjerët, si Kenia e Uganda, janë më të sistemuar. Për ta mbyllur me një imazh, që më bëri përshtypje: Papa, në shesh, bashkë me hoxhën në papamobil. Mesazh i fuqishëm! Papa, që u takua me pjesëmarrësit në Platformën e dialogut ndërfetar, hartuar nga kryeipeshkvi, nga kreu i ungjillorëve dhe nga hoxha… edhe ky qe mesazh i fuqishëm! Ja, e ardhmja e Afrikës! Kisha jep kontributine saj, natyrisht, nuk mendon se mund t’ia dalë e vetme. E bën bashkë me të tjerët, për dialogun, për paqen, me ndihmën e njerëzve vullnetmirë e në veçanti, të besimtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.