2015-11-30 13:44:00

Papa: të krishterët e Afrikës Qendrore ta refuzojnë dhunën dhe shkatërrimin


Të krishterët e Afrikës Qendrore të jenë zejtarë të “përtëritjes njerëzore e shpirtërore” të vendit të tyre, duke kapërcyer “mosbesimin”, “dhunën” dhe instinktin e “shkatërrimit”, që ka karakterizuar kohët e fundit këtë tokë afrikane. Kështu tha Papa Françesku gjatë homelisë së sotme në kompleksin sportiv Barthélémy Boganda të Banguit, i pritur me entuziazëm nga turma, që kishte mbushur plot edhe hapësirën jashtë stadiumit. Në meshën, që mbylli udhëtimin e parë apostolik të Atit të Shenjtë në Afrikë, morën pjesë edhe presidentja e tranzicionit, Catherine Samba Panza, si edhe anëtarët e qeverisë.

         Edhe kur duket sikur nuk ka shpëtim, sepse njerëzit ia kanë shitur shpirtin mosbesimit, dhunës e shkatërrimit, nënvizoi Papa, duhet të priremi gjithnjë kah Zoti, i cili na propozon shëlbimin dhe jetën e pasosur. Njerëzit e Afrikës Qendrore dëshmuan me këngë, muzikë e ngjyra, gëzimin për praninë e Atit të Shenjtë, si për të harruar sprovat e vuajtjet, që edhe sot përjeton ky vend, i mbërthyer në darën e konfliktit civil. E Papa u bëri thirrje të krishterëve të jenë fara e paqes:

         “Të krishterë të Afrikës Qendrore, secili prej jush është i thirrur të jetë, me vazhdimësinë e fesë së tij dhe me impenjimin misionar, zejtar i përtëritjes njerëzore e shpirtërore të vendit. E nënvizoj: zejtar i përtëritjes njerëzore e shpirtërore të vendit”.

Imzot Nzapalainga: të heshtin armët

         Kryeipeshkvi i Banguit, imzot Dieudonné Nzapalainga, duke pasur parasysh pikërisht dhunën e përgjakshme, që ka përfshirë Afrikën Qendrore, në fjalën e tij para Papës, pyeti deri kur do të flasin armët në këtë vend, deri kur do të derdhet gjaku i vëllezërve e motrave e palët nuk do të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje. “Paqja arrihet” duke vënë një tullë mbi tjetrën, nënvizoi prelati, para Atit të Shenjtë:

         “Para jush, i ftoj të gjithë qendërafrikanët, pa dallim etnie e feje, të impenjohen për të ndërtuar së bashku një Afrikë Qendrore vëllazërore dhe të begatë”.

Lajmëtarë të rinj për vëllezërit tanë

         Pikërisht sot kremtohet festa liturgjike e Shën Andreut Apostull, i cili, së bashku me të vëllain, Pjetrin, nuk ngurroi aspak të linte gjithçka për të ndjekur Jezusin, siç tregohet në Ungjillin sipas Mateut. Papa nënvizoi se thirrja e atyre “lajmëtarëve” të parë të Ungjillit, që iu transmetuan fenë brezave të ardhshëm, dëgjohet edhe sot, më shumë se kurrë:

         “Dëgjohet këtu, sot, në këtë tokë të Afrikës Qendrore; tingëllon sërish në zemrat tona, në familjet tona, në famullitë tona, kudo jetojmë, e na fton të vijojmë udhën me entuziazmin e misionit; një mision, që ka nevojë për lajmëtarë të rinj, edhe më të shumtë, edhe më bujarë, edhe më të gëzueshëm, edhe më shenjtorë. E të gjithë ne, secili prej nesh është i thirrur të jetë ai lajmëtar, të cilin e pret çdo vëlla, i çdo etnie, feje e kulture, shpesh, pa e ditur as vetë”.

Faleminderit Zotit për gëzimin, pavarësisht nga vështirësitë

         Fjala e Zotit, shtoi Ati i Shenjtë, duhet kumtuar e duhet dëgjuar, sepse vetëm kështu mund të kuptohet se “bregu tjetër”, jeta e amshuar, nuk është iluzion apo arratisje nga bota. Është realitet i fuqishëm, që na impenjon të ecim përpara në fe e dashuri e, siç shpjegon Shën Pali në Leximin e parë të meshës së sotme, na udhëheq drejt shëlbimit dhe e shndërron jetën, duke na nxitur ta duam Zotin e vëllezërit me një mënyrë të re. I qofshim falë Zotit, shtoi Ati i Shenjtë për praninë dhe për forcën, që na jep përditë kur vuajmë fizikisht e moralisht, ose kur jemi në zi e në hall, por ta falenderojmë edhe për veprat tona të solidaritetit e të bujarisë. E jo vetëm për to:

         “Për gëzimin e dashurinë, që i bën të shndrisin në familjet e në bashkësitë tona, pavarësisht nga mjerimi, dhuna që na rrethon, ose nga frika e së nesërmes; për guximin që u jep shpirtrave në mënyrë që të krijojmë lidhje miqësie, të dialogojmë me kë nuk është si ne, ta falim atë që na ka bërë keq, të impenjohemi në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e vëllazërore, ku askush të mos braktiset”.

Këpusni çdo lidhje me djallin

         Është Krishti, vijoi Papa Françesku, që na merr për dore dhe na fton ta ndjekim. Edhe në ditët e vështira, Afrika Qendrore ka pasur shembuj bujarie e guximi, për të cilat duhet të falenderojë Hyjin:

         “Çdo i pagëzuar duhet të vijojë ta këpusë çdo marrëdhënie, që e lidh me njeriun e vjetër brenda vetes, me njeriun mëkatar, gjithnjë të gatshëm të zgjohet kur e thërret djalli – e sa shumë vepron në këtë botën tonë e në këto kohë konflikti, urrejtjeje e lufte – për ta çuar drejt egoizmit, drejt mbylljes në vetvete, drej mosbesimit, dhunës e instinktit të shkatërrimit, drejt hakmarrjes, braktisjes e shfrytëzimit të më të brishtëve”.

Jubileu i Mëshirës

         Viti i Mëshirës, i sapofilluar në Afrikën Qendrore, të jetë rast për t’i kërkuar falje Zotit për kundërshtimet e për ngadalësitë në dëshminë e Ungjillit, uroi Papa Françesku:

         “Ju, të dashur qendërafrikanë, duhet të shikoni drejt së ardhmes e, të fortë nga rruga e përshkuar, të vendosni një herë e përgjithmonë të hyni në një etapë të re të historisë së krishterë të vendit tuaj, të niseni drejt horizonteve të reja, të dilni më shumë në det të hapur, në ujra më të thella”.








All the contents on this site are copyrighted ©.