2015-11-30 14:25:00

Në Paris, konferenca për klimën. Dje, ndeshje e arrestime


Në një Paris të blinduar, u hap sot Konferenca ndërkombëtare për Klimën, COP 21, në praninë e gati 150 krerëve të shteteve dhe të qeverisë. Ngjarja e rëndësishme për fatet e planetit, siç ka nënvizuar disa herë Papa Françesku, tepër i ndjeshëm ndaj çështjeve të ambientit, u parapri nga ndeshje e manifestime të dhunshme gjatë ditës së djeshme. Bashkëfajtore edhe atmosfera e terrorit krijuar pas atentateve në kryeqytetin francez, policia nuk mënoi të arrestonte mëse 100 vetë. Protestuesit, duke mos marrë parasysh se është në fuqi ligji i emergjencës e nuk mund të bëhen manifestime, sfiduan rendin dhe dolën nëpër sheshe, ku shkaktuan reagimin e menjëhershëm të forcave policore. Pavarësisht nga trazirat e djeshme, sot, liderët botërorë hapën mbledhjen, që i ka vënë vetes për detyrë të arrijë paktin më ambicioz në histori, për ta detyruar botën të marrë masa serioze kundër ndryshimeve të klimës, shkaktuar nga dora e njeriut.

         Së paku me fjalë, krerët e globit janë të gjithë një mendje. “Si kreu i ekonomisë më të madhe botërore dhe emetuesit të dytë më të madh të gazit [ndotës për ambientin]…-deklaroi presidenti amerikan, Barak Obama – SHBA-të, jo vetëm e pranojnë rolin e tyre në krijimin e këtij problemi, por edhe marrin përsipër përgjegjësinë për të bërë diçka për këtë”.

         Presidenti kinez Xi Jinping theksoi se bisedimet mbi ambientin kanë të bëjnë me ekonomi të ndryshme, prandaj çdo vend duhet të gjejë zgjidhjen e tij për të përballuar problemin e ngrohjes globale. “Është e rëndësishme të respektohen ndryshimet ndërmjet vendeve, sidomos ndërmjet vendeve në zhvillim”, tha lideri i vendit të parë në botë për ndotjen e ambientit.

         “Borxhi ambiental duhet paguar”, theksoi presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, i cili kërkoi ngritjen e një Gjykate ndërkombëtare për drejtësinë ambientale. “Nuk kuptohet – nënvizoi – pse kemi gjykata, që i detyrojnë vendet të paguajnë borxhet financiare, por nuk kemi gjykata për pagesën e borxheve ambientale”.

         “Nëse planeti do të ishte pacient i sëmurë, ne do ta kishim trajtuar qëkur. Ju, zonja dhe zotërinj – kështu foli princi Charles i Britanisë së Madhe – keni pushtetin t’i jepni ndihmën e parë atij e duhet të filloni menjëherë procedurat e emergjencës, pa u vonuar më. Njerëzimi – vijoi princi – përballon shumë kërcënime, por asnjëri prej tyre nuk është më i madh se ndryshimi i klimës. Duke dëmtuar klimën, ne po bëhemi arkitektët e shkatërrimit tonë. Ne i kemi njohuritë, mjetet dhe fondet [për ta zgjidhur krizën]”.








All the contents on this site are copyrighted ©.