2015-11-30 18:35:00

Letër e politikanëve qendërafrikanë për Papën


Në përfundim të vizitës në Republikën e Afrikës Qendrore, Papës Françesku iu dorëzua një letër e shkruar nga krejt klasa politike e vendit, me iniciativën e Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila, prej kohësh, vepron për pajtimin e popullsisë e për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme civile.

Ky është teksti i letrës, nënshkruar në prag të vizitës papnore nga 35 kandidadët për president dhe nga tri liderë politikë. Përmbajtja u bë e njohur sot:

“Klasa politike qendërafrikane e, në veçanti, kandidatët për zgjedhjet presidenciale, mbledhur në Bangui më 27 nëntor 2015, me iniciativën e Bashkësisë së Shën Egjidit, në prag të vizitës së Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, i drejtohet Atij me një mesazh të ngrohtë mirëseardhjeje në Bangui, kryeqytet i Republikës së Afrikës Qendrore. Falenderon Shenjtërinë e Tij që e respektoi programin e kësaj vizite në tokën qendërafrikane, pavarësisht nga shqetësimet për sigurinë. Është e bindur se kjo vizitë përbën gur kilometrik në historinë e pajtimit të vendit. Impenjohet të bëjë ç’është e mundur për suksesin e procesit zgjedhor në vijim, për kthimin e ligjshmërisë kushtetuese dhe për një paqe të qëndrueshme në Republikën e Afrikës Qendrore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.