2015-11-29 15:22:00

Papa me Ungjillorët: “Zgjidhja e problemeve konkrete? Nuk varet nga paratë, por nga vëllazëria”


Takimi parë i pasdites, sot për Papën Françesku ishte ai me Bashkësitë Ungjillore, në Fakultetin Teologjik Ungjillor të Bangui. E ky takim nisi me përshëndetjen e Papës drejtuar Aleancës së Ungjillorëve në Afrikën Qendrore, me një frymë të thellë vëllazërore. Ne, kujtoi Françesku, i shërbejmë të njëjtit Zot të Ngjallur, që na mblodhi sot së bashku e kemi  marrë të njëjtin Pagëzim. Prej këndej na takon të bashkohemi edhe në të njëjtin kumtim.

Urgjenca e kumtimit ungjillor

Kumtimi ungjillor, vërejti në vijim Françesku, është i nevojshëm e urgjent, sepse populli juaj u detyrua për një kohë tepër të gjatë të mbartë prova e dhunë, që shkaktojnë shumë vuajtje.

Zoti nuk bën dallime ndërmjet atyre që vuajnë:

“Të gjitha bashkësitë tona, pa asnjë përjashtim, vuajnë nga padrejtësia dhe urrejtja e verbër, që nxit djalli; e dëshiroj,  me këtë rast, të shpreh afërsinë dhe shqetësimin tim për Pastorin Nicolas, shtëpia e të cilit kohët e fundit, u plaçkit e u dogj, ashtu si edhe selia e bashkësisë së tij”.

Unitet, si përgjigje ndaj urrejtjes e dhunës

Kjo vuajtje e përbashkët e ky mision i përbashkët, janë rast providencial për të ecur së bashku në udhën e unitetit e janë edhe mjet shpirtëror i domosdoshëm: “E si mundet Ati t’ua refuzojë hirin e unitetit, ndonëse ende i paplotë, bijve të  vet, që vuajnë së bashku e që, në rrethana të ndryshme, i kushtohen së bashku shërbimit ndaj vëllezërve?”, pyeti Papa, e në vijim theksoi:

“Ndarja e të krishterëve është shkandull, sepse në radhë të parë, i kundërvihet vullnetit të Zotit. Është shkandull para gjithë kësaj urrejtjeje e kësaj dhune, që e trondisin thellë njerëzimin. E është shkandull dhe para kontradiktave që vërehen në përpjekjen për ta jetuar Ungjillin e Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.