2015-11-29 11:02:00

Papa arriti në Afrikën Qendrore


Papa i dha lamtumirën Ugandës nga aeroporti i Entebbe-s e, pas një fluturimi prej 2 orësh e 45 minutash, arriti pak pas orës 10.00 në aeroportin ndërkombëtar M’poko të  Bangui, etapa e tretë e shtegtimit të tij në Afrikë. Vizita e Papës në Republikën Qendrafrikane, etapë që shikohej si më e rrezikshmja e këtij shtegtimi Afrikë, do të vijojë sipas programit. E pohoi që mbrëmë, nga Kampala, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federico Lombardi: “Konfirmohet i gjithë programi i Papës në Bangui - njoftoi për shtypin atë Lombardi - do të udhëtohet drejt Bangui siç është parashikuar e, më pas, do të vijojnë të gjitha etapat e ditës.

Konfirmohet edhe programi i nesërm në Bangui

Pyetjes lidhur me programin e nesërm, që parashikon edhe një vizitë në xhaminë e lagjes myslimane të kryeqytetit si dhe Meshën në qendrën sportive Barthelemy Boganda, atë Lombardi iu përgjigj se do të respektohet, nëse nuk do të ketë ndonjë të papritur. Komandanti i xhandarmërisë vatikanase, Domenico Giani, ndodhet prej disa ditësh në vend, për t’u lidhur me realitetet e ndryshme, të ngarkuara për garantimin e sigurisë së qytetit, shtoi atë Lombardi, duke kujtuar edhe se forcat e OKB-së si dhe ato franceze, të pranishme në Bangui, do të kenë secila detyrat e  tyre të veçanta.

Programi i vizitës do të arrijë kulmin me hapjen e Portës Shenjte

Papa arriti në Bangui pak pas orës 10.00 (orari tani përkon me atë evropian) e menjëherë u prit me ceremoninë e mirëseardhjes në Republikën Qendrafrikane. Më pas shkoi në Pallatin presidencial për një vizitë mirësjelljeje kryetares të Shtetit të Tranzicionit në Qendrafrikë, Catherina Samba-Panza. Pason takimi me klasën drejtuese dhe me Trupin Diplomatik. Posaçërisht e pritur, vizita në Kampin e refugjatëve të St Sauveur në Bangui. Para se të drekojë në nunciaturë, Papa do të takohet me ipeshkvijtë e vendit.

Pasdite, takimi me bashkësitë ungjillore pranë Fakultetit Teologjik Ungjillor të Bangui. Dita e sotme e Papës do të arrijë kulmin me Meshën bashkëremtuar me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët, në Katedralen e Bangui për hapjen e Portës Shenjte, që shënon edhe hapjen e Jubileut të Vitit të Mëshirës në Republikën Qendrafrikane. Kjo ditë e Papës, e ngarkuar me veprimtari, do të përfundojë me rrëfimin e disa të rinjve dhe me fillimin e Mbrëmësores së Lutjes, në Katedralen e Bangui. 








All the contents on this site are copyrighted ©.