2015-11-29 11:50:00

Katedralja e Bangui


 Katedralja, që i kushtohet Zojës së Papërlyer, u përfundua në vitin 1937. Ndërtimi i saj, që zgjati dy vjet, u bë i mundur falë pjesëmarrjes fizike të misionarëve, neofitëve e katekumenëve, që i mbartën tullat mbi kokë, kur kamioni ishte i prishur. U shugurua (1938) njëherësh me shugurimin e priftit të parë qendrafrikan, atë Barthélémy Boganda. Këtu pro-nunci, imzot Luigi Poggi (1969), shuguroi edhe ipeshkvin e parë të Afrikës Qendrore, imzot Joachim Ndayen. Ngjarja u jetua si festë e madhe kombëtare. Bashkëkremtuan 17  ipeshkvij dhe 100 meshtarë, në praninë e kreut të shtetit dhe të 10 mijë besimtarëve. Ndërtesa e restaurua (1961-62), u modernua e u pasurua me pesë lampadarë prej kristali nga presidenti Bokassa, me rastin  e Meshës Shenjte të kurorëzimit të tij Perandor (1976-77). Në këtë katedrale u lut Shën Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij  në Bangui (14 gusht 1985). Po këtu u kremtua 100-vjetori i Kishës në Afrikën Qendrore (1994) e u mblodh edhe Plenarja VIII e Asambleve të  Konferencave Ipeshkvnore të zonave Qendrafrikane (29 qershor - 6 korrik 2008).

Ipeshkvi i sotëm i Bangui, imzot Dieudonné Nzapalainga, u shugurua në këtë katedrale më 22  korrik 2012. Pranë katedrales ngrihet një qendër  informatike, një ambulancë e drejtuar nga bashkëvëllazëria e Shën Vinçenc de Paolit, një librari dhe një lokal, ku mblidhen anëtarët e lëvizjeve dhe grupet baritore (rreth 30). Janë aktive në dioqezë edhe 5 bashkësi kishtare të bazës: Bashkësia e  Shën Pjetrit, e Shën Andreut, e Shën Jakut, e Shën Gjonit dhe e  Shën Mikelit Kryeengjëll. Katedralja mund të zërë 2.550 vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.