2015-11-28 00:00:00

Shenjtorët e javës 30 nëntor - 6 dhjetor


E diel 29 nëntor, Kisha katolike  kremton të  Dielën e parë të  Kohës liturgjike të Ardhjes, me të cilën fillon Viti Ri liturgjik i Kishës, një vit i ri shpirtëror. Gjithnjë më 29 nëntor, kalendari përkujton shën Saturninon, martir e të Lumin Dioniz të Lindjes së Krishtit. Me këtë të diele fillojmë kohën e Ardhjes, duke shkuar drejt takimit me Krishtin që vjen. Të gjitha gjërat kalojnë, vetëm Krishti mbetët. Lumë ne që do t’i jetojmë këto ditë nën shenjën e vigjilencës e të lutjes, me zemrën plot shpresë, me zemrën e hapur ndaj vëllezërve.

Liturgjia e dielës së I të Ardhjes na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Për këtë t’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon e pengon për të takuar Zotin në jetën tonë e t’i themi: eja o Zot Jezus

Të hënën më 30 nëntor, kalendari kishtar përkujton festën e shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, Andreu është i pari i thirrur nga Jezusi, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. E kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

Të martën më 1 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Eligjin, ipeshkëv i Lionit e  shën Naumin, profet. Liturgjia e ditës që na kujton se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.

Të mërkurën më 2 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Bibianën, matronë romake, shën Pimenin, martir e shën Silvestrin, papë. Liturgjia e ditës na sjell thirrjen e Psalmistit drejtuar Hyjit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”.

Të enjten  më 3 dhjetor, kalendari përkujton shën Françesk Saverin, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Liturgjia e ditës na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin në çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!

Të premten më 4 dhjetor, kalendari përkujton shën Gjon Damashenin, meshtar e dijetar i Kishës e shën Barbarën, martire. Liturgjia e ditës na fton jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por sidomos t’i zbatojmë në gjestet e jetës së përditshme.

Të shtunën më 5 dhjetor, kalendari përkujton shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull VII me origjinë nga Durrësi, lindur rreth vitit 620, dhe shën Sabën themelues dhe Arkimandrit i bashkësisë murgare të "Laurës së madhe" në Palestinë. Mesazhi i liturgjisë së ditës na shtyn drejt veprave të bamirësisë, na shtyn të mos kënaqemi me sa shohim në sipërfaqen e gjërave, por të shkojmë më thellë, pasi Zoti lexon në zemrat tona.

Të dielën e ardhshme më 6 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Dytë të Ardhjes. Po më 6 dhjetor kalendari liturgjik përkujton shën Nikollin, ipeshkëvLiturgjia e ditës na fton ta pranojmë Zotin, që vjen të na çlirojë nga mëkati, i cili na e ndrydh shpirtin. Hyji ynë vjen të na shpëtojë! Edhe ne, bij të këtij shekulli, që ka harruar mrekullitë e Hyjit, nëse e hapim zemrën, mund të shohim gjëra të jashtëzakonshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.