2015-11-28 10:32:00

Françesku në Ugandë nderon ekumenizmin e gjakut


Ditë e ngarkuar me veprimtari, edhe e sotmja, për Papën: në mëngjes, vizitoi Shenjtëroren anglikane të Martirëve e pastaj edhe Shenjtëroren Kombëtare katolike të Namugongos, ku kremtoi Meshën Shenjte. “Dëshmia e martirëve, theksoi gjatë kësaj Meshe, nuk duhet ruajtur në muze, por duhet transmetuar në të katër anët e botës”.  Më pas u takua me të rinjtë në Kampala. Pasdite, vizita në Shtëpinë e Bamirësisë të Nalukolongos, takimi me ipeshkvijtë e Ugandës dhe me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët. Në të gjitha takimet, Papa do t’u drejtojë fjalën të pranishëmve.

Veprimtaria e parë sot, Mesha Shenjte kushtuar Shën Karl Lvangës me shokë, martirë, në 50-vjetorin e Shenjtërimit të tyre, kremtuar në Shenjtëroren katolike të Namugongo-s, e njohur si shenjtërore e Martirëve ugandezë. I pranishëm edhe kreu i shtetit si dhe pasardhësi i dinastisë së sovranëve të Bugandës, mbreti Ronald Muwenda Mutebi XI. Kremtimi u mbajt në gjuhën angleze, mbi elterin e vendosur përballë liqenit artificial, në qendër të një amfiteatri natyror.

Të jesh dëshmitar

Në fillim të homelisë, Papa kujtoi se që në epokën apostolike e deri në ditët tona, Kisha ka ecur përpara falë besnikërisë së një numri të madh dëshmitarësh, që e bënë Jezusin të njohur e të dashur në çdo vend dhe e treguan kudo pushtetin e Shpirtit Shenjt.

Kjo vlen edhe për sot, kujtoi Papa, që jemi të thirrur ta thellojmë praninë e Shpirtit Shenjt si burim urtie për ne, e force për të tjerët. Pa harruar kurrë se dhurata e Shpirtit Shenjt na u bë për ta ndarë edhe me të tjerët.

Dëshmitarë, në kohë të rrezikshme

Papa kujtoi se Martirët ugandezë e transmetuan këtë dhuratë në kohë shumë të rrezikshme:

“U kërcënua jo vetëm jeta e martirëve, por edhe ajo e të rinjve, që iu besuan kujdesit të tyre. Sepse ata e kishin kultivuar fenë  dhe e kishin thelluar dashurinë për Zotin, prandaj nuk kishin frikë t’ua çonin Krishtin të tjerëve, edhe po t’u duhej ta paguanin me flijimin e jetës”.

Shembulli i tyre vijon të frymëzojë shumë njerëz në mbarë botën.

Krishti na thërret edhe ne

Ashtu si i thirri dikur martirët, Krishti na thërret sot edhe ne. Na kërkon të jemi dishepuj misionarë:

“Për familjet tona e për miqtë, natyrisht, por edhe për ata që nuk i njohim, posaçërisht ata, që mund të mbajnë qëndrim pak dashamir, madje, dhe armiqësor ndaj nesh”.

Në çastet e provës, si anëtarë të familjes së Zotit, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin, ta mbrojmë njëri-tjetrin e t’i prijmë njëri-tjetrit në përsosurinë e jetës.

Pa harruar se dëshira për t’ua hapur shpirtin të tjerëve, nis në gjirin e familjes, nën strehët tona, në shtëpitë tona.

Të thirrur për të dalë mes njerëzve

Të jesh dishepull misionar do të thotë të jesh i thirrur të dalësh nga vetja, për të shkuar tek të tjerët e për t’ua çuar Ungjillin të gjithë njerëzve:

“Nuk kemi nevojë të shtegtojmë, për të qenë dishepuj misionarë. Duhet vetëm t’i hapim mirë sytë për t’i parë nevojat e njerëzve në shtëpitë tona, në bashkësitë tona”.

Udhën na e tregojnë martirët e Ugandës. Feja e tyre i mësoi të kërkonin të mirën e gjithkujt, madje edhe të mbretit, që i dënoi pikërisht për këtë fe, për besojmën e tyre të krishterë.

Ta çojmë kudo dëshminë e Martirëve

Më pas Papa kujtoi se besnikëria jonë ndaj Zotit nuk e pakëson kujdesin për këtë botë, si të ishim njerëz me sy të ngulur vetëm mbi jetën e ardhshme. Përkundrazi, i jep kuptim jetës në këtë botë e na ndihmon t’i mbështesim nevojtarët, të bashkëpunojmë me të tjerët për të mirën e përbashkët e të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë.

Kujtimi i martirëve, tha në përfundim Françesku, nuk duhet të jetë kujtim  i rastit. E kemi për detyrë ta çojmë dëshminë e tyre, të dhënë për Krishtin, në shtëpitë tona, në fqinjët tanë e në mbarë shoqërinë civile.








All the contents on this site are copyrighted ©.