2015-11-28 18:22:00

Ati i Shenjtë: Kisha duhet të jetë gjithnjë dëshmitare e Krishtit


Takimi i fundit i Papës, pas një dite të ngarkuar me veprimtari, ishte ai me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret dhe seminaristët, në Katedralen e Kampalës.  Françesku është i treti pasardhës i Shën Pjetrit që lutet në këtë Katedrale, pas Palit VI (1969) dhe Gjon Palit II(1993). Pasi ndoqi përshëndetjen e ipeshkvit John Baptist Kaggwa dhe dëshminë e një prifti, të një rregulltareje dhe të një seminaristi, Papa i drejtoi fjalën klerit vendas, duke e porositur: “Shkoni atje, ku jeni pak! Rrëfejuni sa më shpesh, pa e fshehur asnjë mëkat. Shërbejini me bujari dioqezave, ku mungojnë meshtarët!”.

Kishës ugandeze i kërkoi të mos jetojë me rentën e kujtimit të martirëve. Flijimi i tyre nuk duhet të mbetet thjesht kujtim, por të bëhet hov e zell misionar.

Këto janë fjalët e  Papës, që e la mënjanë fjalimin zyrtar të përgatitur për këtë rast e u foli lirisht sivëllezëve, në gjuhën spanjolle, me përkthim të menjëhershëm në anglisht. Fjalimi i përgatitur, dorëzuar  njerëzve të Kishës, ishte reflektim i shtjelluar, duke u bazuar mbi tri fjalë: “Kujtesë, besnikëri, lutje”.

Atmosfera e takimit ishte tejet e përzemërt, e ngrohtë, familjare. Në një farë pike Françesku, duke kujtuar se i kishte ardhur radha të fliste, u drejtua nga pulti i leximit, por ipeshkvi, që drejtonte takimin, i  shpjegoi se duhej të priste edhe pak. E Papa u rikthtye qetë-qetë në vendin e tij, duke pritur radhën e duke krijuar, kështu, një atmosferë vërtet mes vëllezërish: “Mos e harroni kurrë atë, që bëri Zoti për popullin tuaj, kërkojini hir e kujtesë”, porositi.

Fjalë me vlerë për të gjithë popujt e persekutuar, të martirizuar, të detyruar të jetojnë nën thundrën e diktaturave një herë, të korrupsionit më të shëmtuar, me maskë demokracie, pastaj: Armiku kryesor i kujtesës është harresa, por gjithsesi nuk është më i rrezikshmi. Armiku më i rrezikshëm është të gëzosh të mirat e etërve, duke i lënë në harresë”, shtoi, duke folur lirisht Papa. “Kisha e Ugandës nuk duhet t’i kujtojë kurrë martirët, si njerëz që jetuan në kohë të largëta. Në se dëshiron t’i nderojë vërtet, duhet t’i dëshmojë me jetë, çdo ditë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.