2015-11-27 13:43:00

Papa, të rinjve: korrupsioni rrugë e vdekjes, ekziston edhe në Vatikan


“Korrupsioni ekziston në të gjitha institucionet, korrupsioni është gjithandej, korrupsion ka edhe në Vatikan”. Papa Françesku iu përgjigj sot në mëngjes, pyetjes së një të riu nga Najrobi, në takimin me rininë në stadiumin Kasarani, në Kenia, por si zakonisht, e shtriu mendimin mbi gjendje e situata, të përbashkëta për vende e njerëz të ndryshëm të gjithë botës. Foli edhe për radikalizmin, tribalizmin e për shumë argumente të tjera.

Festë e lutje

 Energjia e të rinjve e pushtoi edhe Atit të Shenjtë, i cili, edhe kësaj radhe, la mënjanë fletët e përgatitura të përgjigjeve për dy të rinjtë, Linette dhe Manuel, për të folur pa letër, me zemër në dorë, më mënyrën më të thjeshtë, por edhe më të frytshme për të prekur zemrat e shpirtin e mijëra vetëve në festë. Ata i dorëzuan Papës një pllakatë, ku shkruhej numri i madh i Rruzareve, thënë sipas ndjetit të Françeskut; ata i sollën në podium tre fidane pemësh, të cilët Papa i bekoi. Tashmë, e kanë kuptuar të gjithë se Atit të Shenjtë i pëlqejnë këngët e vallet e traditës afrikane, me të cilat u mbush stadiumi. Edhe presidenti i Republikës Uhuru Keniatta, bashkë me të shoqen, me kreun e bashkësisë islamike, me rregulltarët u vu përkrah të rinjve, duke ndjekur hapat e tyre, në një tren të improvizuar njerëzish në festë. Por Papa Françesku, pasi dëgjoi “Hakuna Matata” (pa probleme e pa e vrarë mendjen)  nuk mënoi t’u përgjigjej seriozisht pyetjeve të të rinjve. Linetës, që e pyeti pse ekzistojnë tragjeditë e vështirësitë, Ati i Shenjtë i sugjeroi lutjen për të shoshitur si duhet vendimet në jetë:

“Njeriu humbet ç’ka më të mirë, një grua humbet pjesën më të mirë të humanitetit të saj, kur harron të lutet. Sepse e ndjejnë veten të gjithpushtetshëm, sepse nuk e ndjejnë nevojën për t’i kërkuar ndihmë Zotit para tragjedive. Jeta është plot vështirësi, por ka dy mënyra për t’i përballuar: ose bllokohesh dhe vështirësia të shkatërron, të mban në kurthin e saj, ose e sheh si mundësi. Ju takon juve të zgjidhni”.

Krimbi i tribalizmit

E pastaj tribalizmi, që sipas Papës mund të përfytyrohet si dy duar, që hedhin gurin e fshihen pas shpine. Mund të fitojmë në luftën kundër tij, vetëm duke i shtrënguar duart, duke u konfrontuar me njëri-tjetrin përditë, nënvizon Françesku, duke i ftuar të rinjtë t’i jepnin dorën njëri-tjetrit e të thonin bashkë me të “Jo, tribalizmit”:

“Tribalizmi mundet vetëm me anë të dëgjimit, me zemër e me dorë. Me veshë: cila është kultura jote? Pse je kështu? Pse fisi yt ka këtë zakon? Fisi yt ndjehet më superior apo inferior? Me zemër: kur të kem dëgjuar me veshë përgjigjen, duhet ta hap zemrën e ta shtrij dorën për ta vazhduar dialogun. Nëse nuk dialogoni e nëse nuk e dëgjoni njëri-tjetrin, atëherë, tribalizmi do të ekzistojë gjithmonë, si një krimb, që e gërryen nga brenda shoqërinë”.

Sheqeri i korrupsionit

 Kur i përgjigjet pyetjes për korrupsionin, Papa Françesku ndizet në mënyrë të veçantë, e dënon ashpër, por tregon edhe kujdes për të rinjtë, që ndodhen para tij e që akoma mund ta shpëtojnë veten dhe vendin nga ky kancer. Me shembuj anekdotikë, Ati i Shenjtë nënvizon se i korruptuari nuk jeton në paqe:

 “E kjo, jo vetëm në politikë, por në të gjitha institucionet, përfshirë Vatikanin, kemi raste korrupsioni. Korrupsioni është diçka, që na hyn brenda. Është si sheqeri: është i ëmbël, na pëlqen, është i lehtë e, pastaj? Përfundojmë keq! Përfundojmë vërtet keq! Me kaq sheqer, që gjendet lehtë, bëhemi me diabet e, edhe vendi ynë sëmuret nga ky diabet… Sa herë që pranojmë një “ryshfet”, para nën dorë; sa herë që pranojmë një “zarf nën tryezë” dhe e fusim në xhep, e prishim zemrën, e shkatërrojmë personalitetin dhe atdheun… Djem e vajza, korrupsioni nuk është rrugë jete: është rrugë vdekjeje!”.

Edukim e punë kundër radikalizimit

 Një pyetje për mënyrën e përdorimit të mediave. Papa s’ka dyshim. “Mjeti i parë i komunikimit – thekson – është fjala, është gjesti, është buzëqeshja”, është t’u qëndrosh pranë të varfërve e të braktisurve. “Këto gjeste komunikimi tërheqin më shumë se çdo rrjet televiziv”. E pastaj, pyetja e rëndësishme e Manuelit, që i kërkon Atit të Shenjtë ç’mund të bëhet për të mos i lënë të rinjtë në dorën e radikalizmit e të terrorizmit, i cili i shndërron në vrasës:

 “Gjëja e parë, që duhet të bëjmë për të shmangur rekrutimin e të rinjve, është arsimimi dhe punësimi. Nëse i riu nuk ka punë, ç’të ardhme e pret? Aty ngre krye ideja e rekrutimit. Nëse i riu nuk ka mundësi arsimimi, të paktën të një edukimi emergjence, ose të kryejë detyra të vogla, ç’mund të bëjë? Aty fle rreziku! Është rrezik shoqëror, që shkon përtej nesh, madje, edhe përtej vendit, sepse varet nga një sistem ndërkombëtar i padrejtë, që ka në qendër të ekonomisë, jo njeriun, por zotin para”.

Dështim e ringjallje

Simpatike, mënyra me të cilën Papa Françesku e quan Manuelin “teolog”, pasi pyetjet e tij janë të thella. E para ka të bëjë me mundësinë për të kuptuar se “Zoti është Ati ynë” e është i pranishëm edhe në tragjeditë e jetës. Papa u tregon të rinjve në konfidencë – duke bërë shaka se ka ardhur mesdita e i ka marrë uria, prandaj duhet t’i lërë fjalët – se në xhep mban gjithnjë çka e ndihmon për të mos e humbur shpresën. E Françesku nxjerr një Rruzare e një kutizë, e cila përmban – thotë Ati i Shenjtë – “historinë e dështimit të Zotit”, ndalesat e Udhës së Kryqit:

 “Ka një rrugë të vetme: të shikojmë Birin e Hyjit. Zoti e dorëzoi për të na shpëtuar të gjithëve. Zoti vetë u bë tragjedi. Zoti vetë e la veten të vdiste në Kryq. E kur vjen ai çast, që nuk kuptoni, që dëshpëroheni, e kur bota duket sikur po ju bie përsipër, shikoni Kryqin! Aty është dështimi i Zotit; aty është shkatërrimi i Zotit. Por aty është edhe sfida e fesë sonë: shpresa. Sepse historia nuk përfundon me atë dështim: erdhi më pas Ringjallja, që i bëri të reja të gjitha gjërat”.

Bëni atë të mirë, që nuk jua kanë bërë juve

Pyetja e dytë e Manuelit, për të rinjtë që nuk kanë njohur kurrë dashurinë e familjes. Papa përgjigjet me nerv, ndizet, siç ndodh gjithnjë kur flet për njerëzit, që vuajnë. U tregon të rinjve rregullën e artë: bëni për të tjerët atë, që s’e kanë bërë për ju:

 “Mbrojeni familjen! Mbrojeni gjithnjë. Kudo ka jo vetëm fëmijë të braktisur, por edhe të moshuar të vetmuar, që rrinë ashtu, pa asnjë që t’i vizitojë, pa asnjë që i do… Nëse nuk keni pasur mirëkuptim në jetë, tregoni mirëkuptim për të tjerët. Nëse nuk ju ka dashur kush, duajini të tjerët. Nëse e keni ndjerë dhimbjen e vetmisë, qëndrojuni pranë të vetmuarve. Mishi kurohet me mish! E Zoti u mishërua për të na kuruar. Le të bëjmë edhe ne kështu për të tjerët”.

 “Para se arbitri t’i bjerë biblibit për fundin”, bëri sërish shaka Papa Françesku, “po e mbyll”. Ati i Shenjtë falenderoi të rinjtë, sidomos për Rruzaret sipas ndjeteve të tij, dhe u kërkoi të thonin “Atynën” bashkë me të, duke kujtuar se i vetmi difekt i Atit Qiellor është se nuk rresht kurrë së qëni Atë.








All the contents on this site are copyrighted ©.