2015-11-27 11:33:00

Në barakat e Kangemit Papa kërkon tokë, shtëpi, punë


 Para se të takohej me të rinjtë, Papa vizitoi lagjen e varfër të Kangemit, një nga 7 lagjet e barakave të Najrobit, ku jetojnë mijëra njerëz, në kushte mungesash e varfërie të papërshkrueshme. Në Kangemi shkoi edhe në kishën famullitare të Shën Jozefit Punëtor, ngritur nga një bashkësi jezuitësh.

Gëzim i madh në Kangemi, për praninë e Papës. Rreth Atit të Shenjtë nuk ishin vetëm banorët e kësaj lagjeje, por edhe barakas të lagjeve të tjera të Najrobit. Françesku dëgjoi dëshmitë e disave prej tyre, posaçërisht të një rregulltareje, që punon këtu, pa një  filmim të shkurtër me baraka teneqeje, ujëra të zeza nën qiell të hapur, rrugica plot me baltë, dyqane të vogla, fëmijë që luajnë me top leckash ndërmjet gjithë kësaj katrahure…

Pa e tha:

“En verdad, me siento como en casa, compartiendo este momento con hermanos y hermanas …

Në të vërtetë e ndjej veten si në shtëpinë time, duke e jetuar këtë ças mes vëllezërve e motrave që, nuk më vjen aspak turp ta them, kanë një vend të posaçëm në gëzimet e mia e në zemrën time. Ndodhem këtu, mes jush, ngaqë dëshiroj ta dini se nuk jam aspak indiferent ndaj gëzimeve e shpresave tuaja, anktheve e dhimbjeve tuaja. I njoh mirë vështirësitë, që hasni ditë për ditë. E si mund të mos i denoncojmë padrejtësitë që pësoni?”.

Po Papa deshi të vërë në dukje edhe një aspekt tjetër, që jo gjithnjë njihet mirë. Urtinë e lagjeve popullore. Urti, që buron nga rezistenca ngulmuese në mbrojtje të vlerave ungjillore, të cilat shoqëria e mirëqenies duket sikur i ka harruar. Ju jeni në gjendje, u tha Papa barakasve, të krijoni lidhje përkatësie e bashkëjetese, që e shndërrojnë grumbullimin e njerëzve, në përvojë komunitare, në të cilën shemben muret, që e mbyllin njeriun brenda vetes e kapërcehen pengesat e egoizimit. Janë vlera të themeluara mbi faktin se çdo njeri ka shumë më tepër rëndësi, sesa paraja. Ju falënderoj,sepse më kujtuat që ka ende një tip tjetër të mundshëm kulture:

“Reconocer estas manifestaciones de vida buena que crecen cotidianamante entre ustedes …

T’i pranosh këto shfaqje të jetës së mirë, që shtohen çdo ditë ndërmjet jush, nuk do të thotë, në asnjë mënyrë, të mbyllësh sytë përballë padrejtësisë  së mënjanimit urban. Janë plagë të hapura nga pakicat, të cilat  kanë në dorë pushtetin e pasurinë, që i shpërdorojnë egoistikisht, ndërsa shumica duhet të kërkojë strehë në  skaje e skuta të braktisura, të ndotura, të harruara nga bota”

Një problem i rëndë, nënvizoi Françesku, është pamundësia për të siguruar infrastrukturat dhe shërbimet e bazës, posaçërisht, ujin e pijshëm. T’i mohosh njeriut ujin, kjo është padrejtësi e padurueshme. Këto kushte rëndohen më tej nga dhuna e organizatave kriminale, në shërbim të interesave ekonomike ose politike. Këto organizata arrijnë deri në atë pikë, sa t’i përdorin fëmijët e të rinjtë si “mish për top”,  në shërbim të punëve të tyre, që kullojnë gjak. Këto realitete janë pasojë e formave të reja të kolonializmit, i cili e shikon Afrikën si pjesë të një mekanizmi e pretendon ta përligjë modelin aktual të shpërndarjes, përmes të cilit një pakicë beson se ka të drejtë të konsumojë në përmasa, të pamundura për t'u përgjithësuar. Françesku bëri thirrje të vihet në jetë integrimi urban, që respekton kryesisht jetën e njerëzve. Borxhi shoqëror, borxhi ambiental me të varfërit e qyteteve paguhet duke konkretizuar të drejtën e shenjtë  për tokën, për shtëpinë, për punën.

Më pas Papa u bëri thirrje gjithë të krishterëve, posaçërisht barinjve, ta përtërijnë hovin misionar, të marrin nisma kundër padrejtësive të panumërta, t’i shikojnë si të tyret problemet e të tjerëve, t’i shoqërojnë në betejat e tyre, t’i ruajnë frytet e punës së tyre kolektive e ta kremtojnë me ta çdo fitore të vogël a të madhe!








All the contents on this site are copyrighted ©.