2015-11-27 13:05:00

Kremtime më rastin e 28 nëntorit 2015 në Romë


Festa kombëtare e shqiptarëve, që kremtohet çdo vit kudo jetojnë e punojnë shqiptarët, dmth në të katër anët e botës, edhe sivjet pritet me emocione të veçanta, duke i nxitur të gjithë të reflektojnë sa për të kaluarën, aq edhe për të sotmen e të ardhmen.

Sipas traditës, me rastin e 28 nëntorit, Kolegji Papnor Grek dhe Bashkësia Arbëreshe e Shën Athanasit në Romë, të shtunën, më 28 nëntor, në orën 17.00, organizojnë një Konferencë që do të mbajë profesor Italo Sarro me titull : “Emigracioni shqiptar në Shtetin papnor, shek. VIII”Veprimtarinë do ta koordinojë profesor Domenico Morelli. Takimi mbahet, si zakonisht, në Sallën e Via dei Greci 46.

Ndërsa të dielën, më 29 nëntor, në orën 10.30, pranë Kishës së Shën Athanasit, në Rrugën e Babuinit 149, për të gjithë popullsitë që flasin gjuhën shqipe në Atdhe e nëpër botë, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore në këtë gjuhë, kryesuar nga Papas Ignazio Ceffalia.

Me rastin e 103 Vjetorit të festës së Pavarësisë, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Republikës së Italisë, zoti Neritan Ceka e Zonja Ceka do të japin një koncert ‘Kushtuar Migjenit’, më 28 nëntor 2015, në ora 19.00 pranë teatrit Villa Torlonia në Via Lazzaro Spallanzani 1/A. Në Romë.

Kremtimet priten me kënaqësi nga shqiptarët, të cilëve u krijojnë mundësinë të takohen me miq e dashamirë e t’i urojnë njëri-tjetrit Festën Kombëtare të Flamurit në gjuhën amtare që, në viset e huaja, tingëllon vërtetë ‘porsi zâ qi lëshon bylbyli”.








All the contents on this site are copyrighted ©.