2015-11-27 11:19:00

Atë Lombardi: takimi i Papës me Kishën në Kenia më kujtoi Shqipërinë


Në përfundim të ditës së djeshme në Najrobi, gazetarët e Radio Vatikanit, në udhëtim me Papën Françesku, ia drejtuan mikrofonin drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i cili komenton veçanërisht takimin e Papës me klerin, rregulltarët, rregultaret dhe seminaristët:

Mua më bëri shumë përshtypje ky takim, sepse tregoi qartë gjallërinë e Kishës misionare, këtu në Kenia. Një numër i jashtëzakonshëm rregulltaresh e rregulltarësh, meshtarësh, seminaristësh – nën atë tendë ndodheshin të paktën 8 mijë vetë e ishin edhe më shumë, nëse marrim parasysh ata jashtë tendës – që japin jetën për të kumtuar Ungjillin e për të edukuar njerëzit: flitet për rreth 8 mijë shkolla, për veprimtari në fushën e shëndetësisë, për spitale, dispenseri, kujdes për njerëzit në vështirësi, për të sëmurët me Sidë, për të mënjanuarit. Vërtet, diçka e mrekullueshme! Gjallëria e Kishës shihet në njerëzit e përkushtuar. E Papa, kur vëren një situatë të tillë, natyrisht, e lë mënjanë fjalimin formal, të përgatitur, dhe ndjen nevojën t’u flasë të pranishmëve me zemër, për tema, që i kemi dëgjuar edhe herë të tjera, por që thuhen me gjallërinë e herës së parë, që u prekin shpirtin njerëzve, që ndodhen aty, para Atit të Shenjtë: dashuria për Jezu Krishtin, ideja e shërbimit për të tjerët, lutja, të kujtohemi për Zotin, të refuzojmë çdo lloj materializmi, të mos kërkojmë pushtetin… Papa i thotë këto gjëra shumë natyrshëm, si për shembull “Duhet të hyjmë nga dera kryesore e jo nga dritarja”. E kuptojnë të gjithë! Prandaj, pati shumë sukses, sepse njerëzit e ndjejnë të afërt e të sinqertë. Të gjitha këto takime janë të tilla: kujtoj për shembull, takimet në Shqipëri, me njerëzit që kishin vuajtur nën komunizëm… Çdo vend ka veçoritë e veta. Këtu, misionarët dhe afrikanët e afrikanet, që janë fryt i ungjillëzimit, të dhurojnë ndjenja gëzimi, këngë e gjallëri veçanërisht entuziazmuese.

Fjala e mbajtur në selinë e OKB-së qe konrete e prekte shumë argumente, si tregtia e pabarabartë, trafikët e paligjshëm, klima, mbrojtja e natyrës dhe e Tokës. Dukej se Papa dëshironte t’u thoshte kombeve të ndryshonin rrugë, sepse kështu nuk ecet më përpara…

  Po: ky fjalim ishte vazhdimësi e enciklikës “Lëvduar qofsh”, e fjalës në OKB-në e Nju Jorkut dhe e ndërhyrjeve të tjera të Papës mbi marrëdhëniet ndërmjet administrimit të pasurive tokësore, Krijimit të Zotit dhe drejtësisë. Papa bëri një sintezë të mrekullueshme të këtyre dy përmasave: përgjegjësia ndaj Krijimit Hyjnor e Natyrës është e lidhur ngushtë me përgjegjësinë ndaj njerëzve, që banojnë në këtë Shtëpi të përbashkët, me përgjegjësinë ndaj popujve, ndaj atyre, që duhet t’i përdorin pasuritë tokësore për të jetuar denjësisht, drejtësisht, paqësisht e në harmoni me Gjithësinë e me të tjerët. Është qëndrim, që e njohim, por që tregon gjithnjë e më tepër vlerën e vet. Por, pati edhe diçka të re. Për shembull, tema e tregtisë, vëmendja ndaj marrëveshjeve tregtare, që kanë të bëjnë me ilaçet, nevoja për të marrë parasysh kujdesin për të varfërit, që në fjalime të tjera të Papës nuk ishin theksuar kaq shumë. Pastaj, aspektet më afrikane: biodiversiteti i pellgut ujor të Kongos, gjuetia e paligjshme, kontrabanda apo tregtia e paligjshme e gurëve të çmuar, e prodhimeve shtazore, ose e fildishit, që shkakton masakrimin e elefantëve në zona të ndryshme të Afrikës.

Në takimin me përfaqësuesit e Kishave të tjera të krishtera dhe të feve të tjera, sërish Papa theksoi se “dialogu është thelbësor”…

Po. Kjo është përmasë e përhershme në udhëtimet e Papës. Shohim se liderët e tjerë të krishterë, por edhe të feve të tjera, takohen me dëshirë rreth tij, e konsiderojnë Papën pikë referimi, që i entuziazmon dhe i nxit të marrin përsipër përgjegjësinë e përbashkët si krerë fetarë për të mirën e popujve, të cilëve u shërbejnë. Dialogu ndërfetar dhe ai ekumenik sjellin paqen, sjellin edukimin e të rinjve me vlerat e bashkëjetesës, të paqes, të shpirtit, të dinjitetit njerëzor dhe ndihmojnë t’u vihet fre tundimeve të materializmit, që shpesh, i çon njerëzit drejt dhunës, ekstremizmit, drogës apo premtimeve të rreme për lumturi. Krerët fetarë e ndjejnë këtë përgjegjësi të përbashkët e Papa është i aftë ta kanalizojë këtë energji të njerëzve, që besojnë dhe e duan Zotin, drejt objektivave themelore të njerëzimit e të popujve e pra, edhe të popujve afrikanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.