2015-11-26 10:33:00

Papa në meshën e Najrobit: familja frenon shkretëtirën e egoizmit


Kampusi i Universitetit të Najrobit qe korniza rinore, ku ishin mbledhur besimtarë nga e gjithë Kenia, për të marrë pjesë në meshën e kremtuar nga Papa Françesku, në ditën e dytë të pranisë së tij në këtë vend afrikan. Familja dhe vlerat afrikane, si ilaç kundër shkretëtirës së egoizmit dhe indiferencës, në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, i cili sërish nuk i harroi fjalët e përshëndetjes në gjuhën vendase, në suahili:

“Mungu abariki Kenya” (Zoti e bekoftë Kenian)

Një “flash mob”, gati gjigant, nën një tendë të madhe të bardhë, i parapriu meshës. Të udhëhequr nga një drejtor karizmatik kori, që u dha ritmin nën pikat e shiut, qindra meshtarë, murgesha, seminaristë dhe besimtarë kënduan një këngë të krishterë, të mirënjohurën “kayamba”, “komentuar”, herë pas here, nga britmat përshëndetëse tradicionale të turmës, shoqëruar me perkusione, me valëvitjen e shamive të bardha e me lëvizje vallesh afrikane. Edhe presidenti keniot, Uhuru Kenyatta, e ndoqi me kokë ritmin e korit, sepse në Afrikë, feja është edhe valle, edhe këngë, që shpërthen në energji. E pastaj, mesha, gjatë së cilës, Papa Françesku, pasi vuri në dukje rëndësinë e familjes për shoqërinë keniote, nënvizoi:

“Jemi të thirrur t’i kundërshtojmë praktikat, që favorizojnë arrogancën e njerëzve, plagosin dhe përçmojnë gratë, nuk kujdesen për të moshuarit, si edhe kërcënojnë jetën e të pafajshmëve, të palindur akoma. Jemi të thirrur ta respektojmë e ta inkurajojmë njëri-tjetrin, duke ndihmuar të gjithë nevojtarët. Familjet e krishtera kanë këtë mision të veçantë: të rrezatojnë dashurinë e Zotit e t’i bëjnë të gjithë të pijnë nga uji gjallërues i Shpirtit të Tij. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot, sepse jemi përpara avancimit të shkretëtirave të reja, krijuar nga kultura e egoizmit dhe e indiferencës ndaj të tjerëve”.

E nga vendi i inxhinjerëve, i artistëve dhe i shkencëtarëve të ardhshëm, ku çdo vit, dalin nga bankat universitare mëse 7 mijë studentë, Ati i Shenjtë iu drejtua pikërisht të rinjve, që në këtë Universitet “formojnë mendjen dhe zemrën”:

“Vlerat e mëdha të traditës afrikane, urtia dhe e vërteta e Fjalës së Zotit, si edhe idealizmi bujar i rinisë suaj t’ju udhëheqin në impenjimin për të formuar një shoqëri gjithnjë e më të drejtë, gjithëpërfshirëse e plot respekt për dinjitetin e njeriut. T’i keni gjithnjë për zemër nevojat e të varfërve; hidhni poshtë çdo gjë, që sjell paragjykime dhe diskriminime, sepse këto gjëra – e dimë – nuk janë të Zotit”.

Papa Françesku komentoi shembëlltyrën e njeriut, që e ndërtoi shtëpinë mbi rërë, në vend që ta ndërtonte mbi shkëmb. I ftoi besimtarët e pranishëm ta mbështesin jetën e tyre mbi shkëmbin e fuqishëm, që është Krishti, i vetmi Shëlbues i njerëzimit, i cili i çon njerëzit e çdo epoke drejt Atit Qiellor. Për këtë, u kërkoi të krishterëve të Kenias të jenë dishepuj misionarë, që rrezatojnë të vërtetën, bukurinë dhe fuqinë e Ungjillit, i cili e shndërron jetën e secilit:

“Burrat e gratë të jenë kanale të hirit të Zotit, që ta lejojnë mëshirën, mirësinë dhe të vërtetën të bëhen elemente për të ndërtuar atë shtëpi, që i qëndron kohës. Shtëpi, që të jetë vatër, ku vëllezërit e motrat të jetojnë më në fund, në harmoni e në respekt të ndërsjellë, duke iu bindur vullnetit të Zotit të vërtetë, që në Jezusin, na ka treguar rrugën drejt asaj lirie e asaj paqeje, për të cilat kanë etje të gjitha zemrat”.

E para bekimit të fundit, thirrja, që mbante në vetvete jehonën e tri vizitave të shën Gjon Palit II, i cili pikërisht në sheshin pranë Kampusit universitar, në Uhuru Park, pati kremtuar meshën me keniotët:

“‘Jini të fortë në fe! Mos kini frikë!’. Sepse ju i përkisni Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.