2015-11-26 10:00:00

Papa në Kenia: emri i Zotit nuk duhet përdorur kurrë për të përligjur urrejtjen e dhunën


Ditën e sotme, gjithnjë në Kenia, Papa e nisi me takimin ekumenik, mbajtur në Nunciaturën e Najrobit, ku u mblodhën krerët e konfesioneve të ndryshme të krishtera (Anglikane, Ungjillore, Metodiste, Pentekostale,  African Inland Church, etj)  të feve të tjera (tradicionale, animiste, myslimane) më të pranishme në Kenia, si dhe 7 personalitete civile, posaçërisht të angazhuara në dialogun ndërfetar.

Pas paraqitjes së tyre nga ana e ipeshkvit të ngarkuar me dialogun ndërfetar, imzot Peter Kairo, Papën e përshëndeti përfaqësuesi i anglikanëve, kryeipeshkvi Eliud Wabukala dhe ai i myslimanëve, zoti Abdulghafur El-Busaidy.

Më pas e mori fjalën Françesku, i cili i falënderoi parafolësit për fjalët e mira, duke uruar që koha e kaluar së bashku të jetë shenjë e nderimit të Kishës për ndjekësit e të gjitha feve e t’i forcojë lidhjet e mëtejshme të miqësisë:

“Dialogu ekumenik nuk është luks, nuk është opcional, por themelor. Është diçka, për të cilën bota jonë e plagosur nga konfliktet  e përçarjet, ka gjithnjë nevojë”.

E kjo, sepse besimet fetare e mënyra si i praktikojmë, shpjegoi, ndikojnë mbi  natyrën tonë e mbi mirëkuptimin me botën, që na rrethon. Janë burim drite, urtie e solidarieti. E në këtë mënyrë, e pasurojnë shoqërinë në të cilën jetojmë. Duke u kujdesur për rritjen shpirtërore të bashkësive tona, duke formuar mendjet e zemrat me të vërtetën dhe vlerat e mësuara nga traditat tona fetare, bëhemi bekim për bashkësitë, në të cilat jetojnë njerëzit tanë. Në një shoqëri demokratike e pluralistike si kjo, bashkëpunimi ndërmjet liderëve fetarë dhe bashkësive të tyre bëhet shërbim i rëndësishëm ndaj së mirës së përbashkët.

Në këtë dritë e në një botë përherë më të ndërvarur, vërehet gjithnjë më qartë nevoja për mirëkuptim ndërfetar, për miqësi dhe bashkëpunim në mbrojtjen e dinjitetit, që Zoti ua jep individëve të veçantë e popujve, si dhe të të drejtave të tyre për të jetuar të lirë e të lumtur:

“Kështu fetë luajnë rol të veçantë për formimin e ndërgjegjeve, për ngulitjen në shpirtin e të rinjve të vlerave themelore të traditave përkatëse e për përgatitjen e  qytetarëve të mirë, të aftë për të përhapur në shoqërinë civile ndershmërinë, dlirësinë dhe vizionin e botës, që vlerëson njeriun, e jo pushtetin e interesin material”.

Ka shumë rëndësi, vijoi Papa, bindja jonë e përbashkët se Zoti, të cilit përpiqemi t’i shërbejmë, është Zot i paqes:

“Emri i Tij i shenjtë nuk duhet përdorur kurrë për të përligjur urrejtjen e dhunën”.

Fjalë të forta, këto të Françeskut, i cili në vijim  kujtoi atentatet e kohëve të fundit në Kenia, kryer nga ekstremistët, në emër të fesë. Kështu, vijoi të kujtojë Papa, edhe të rinjtë bëhen ekstremistë pikërisht në emër të fesë, për të përhapur grindje e frikë, duke e dëmtuar rëndë vetë shoqërinë. Sa rëndësi ka të njihemi si profetë të paqes, veprimtarë të paqes, që i ftojnë të gjithë të jetojnë në paqe, harmoni, respekt.

Papa kujtoi edhe se sivjet kremtohet 50-vjetori i të përfundimit të Koncilit II të Vatikanit, në të cilin Kisha u impenjua në dialogun ekumenik e ndërfetar, në shërbim të mirëkuptimit e të miqësisë. Françesku e ripohoi këtë angazhim, me bindjen se lind nga universaliteti i dashurisë së Zotit  e nga shëlbimi, që Ai ua ofron të gjithëve:

“I Gjithëpushtetshmi i prektë zemrat e atyre, që kryejnë akte dhune e u dhëntë paqe familjeve tona e bashkësive tona!” – ishte urimi i Papës në përfundim të këtij takimi kaq të rëndësishëm, në një botë që, e tronditur çdo ditë nga fjalë të kobshme, pret pikërisht fjalë të tilla paqeje e harmonie. 








All the contents on this site are copyrighted ©.