2015-11-25 16:44:00

Papa në Afrikë: “E vetmja gjë që më shqetëson janë mushkonjat”


Papa Françesku mbërriti në Kenia, etapa e parë e udhëtimit të tij afrikan, që do ta çojë edhe në Ugandë e në Republikën e Afrikës Qendrore. “Shkoj me gëzim të takoj keniotët, ugandezët dhe vëllezërit e Afrikës Qendrore – tha me mikrofon, para se të kalonte ndërmjet karrigeve të avionit, për të përshëndetur një nga një të 74 gazetarët, që e shoqërojnë. Ju falenderoj për gjithçka do të bëni që ky udhëtim të japë fryte shpirtërore dhe materiale”.

         E dërguara e “Paris Match” i dhuroi Atit të Shenjtë një spray kundër mushkonjave, por ishte një gazetar tjetër, nga fundi i avionit, që e pyeti nëse shqetësohej për sigurinë e vet: “E vetmja gjë, që më shqetëson – u përgjigj, duke qeshur, Bergoglio – janë mushkonjat!”. Dhe e shoqëroi frazën, duke bërë gjoja se po spërkaste ilaçin nëpër krahë.

         I dërguari i “I-Media”, Antoine-Marie Izoard, i tregoi Papës nga celulari një mesazh urimi të fëmijëve të vet më të vegjël, ndërsa vatikanisti i Tv2000 i dha Françeskut një palë kufie të bardha për të dëgjuar përshëndetjen e drejtorit Lucio Brunelli dhe të përgjegjësit të faqes së internetit “Sizmografi”, Luis Badilla Morales, i cili dje kishte ditëlindjen.

         Valentina Alazarakit, gazetare e Televistës, Papa i foli për udhëtimin e vitit të ardhshëm në Meksikë, të cilit i është shtuar etapa e katërt në Ciudad Juarez. Nestorit, korespondent i një radioje kolumbiane, Ati i Shenjtë i tha të shpresojë që firma e paqes ndërmjet qeverisë dhe guerrilasve të FARC-ut të jetë “një agim i ri” për vendin.

Andrea Tornielli, vatikanist i gazetës italiane "La Stampa"








All the contents on this site are copyrighted ©.