2015-11-25 11:32:00

Kenia


Kufijtë: Kenia ndodhet në pjesën lindore të Afrikës. Në jug-lindje të vendit ka dalje në Oqeanin Indian, në veri kufizohet nga  Sudani i Jugut dhe Etiopia, në lindje nga Somalia, në jug nga Tanzania, në perëndim nga Uganda.

Territori: Sipërfaqja e përgjithshme e Kenias është 582,650 km2 prej së cilës 13,400 km2 janë ujë. Vendi ka një vijë bregdetare mëse 400 km të gjatë, me fusha pjellore, një lartësirë me stepa e shkretëtirë ndërmjet Liqenit Turkana dhe Somalisë, një rrafshnaltë jugperëndimore me maja malesh të izoluara (Chepkotet, 3370 m), një rrafshnaltë veriore karakterizuar nga prania e Liqenit të madh Turkana, pjesë e ulët ku ka shumë liqene e që vijon në jug, duke marrë emrin Rift Valley. Maja më e lartë është mali Kenia prej 5.199 metrash (ang.:Mount Kenya), në pjesën qendrore të vendit, në veri-lindje të kryeqytetit.

Rendi shtetëror: Ish-koloni britanike, Kenia është e pavarur nga 12 dhjetori i vitit 1963. Presidenti i parë i Republikës, shpallur më 12 dhjetor 1964, ka qenë Jomo Kenyatta, lider i Bashkimit Kombëtar Afrikan të Kenias (KANU). Pas vdekjes së tij më 1978, u zëvendësua nga Daniel Arap Moi, i cili, në vitin 1982, vendosi një regjim autoritar, duke e shndërruar KANU-në në një parti të vetme. Multipartitizmi u rivendos në vitin 1991. Zgjedhjet presidenciale të 2013-ës u fituan nga Uhuru Kenyatta, i biri i Jomos, presidentit të parë të vendit. Sipas Kushtetutës së vitit 2010, Presidenti i Republikës, që është edhe kryeministër, zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe ka një mandat 5-vjeçar, njëlloj si Asambleja Kombëtare prej 349 anëtarësh dhe si Senati, me 67 anëtarë.

Kenia është anëtare e Commonwealth, EAC, OKB-së, Bashkimit Afrikan, BE-së (e asociuar), OBT-së. Kryeqyteti është Najrobi, me 4-4,5 milion banorë. Gjuhët zyrtare janë suahili dhe anglishtja. Arsimi i detyrueshëm zgjat 8 vjet e është falas. Në studimet e shkollës së mesme dhe në ato universitare përdoret anglishtja.

Feja: katolikë (32,3%), protestantë (47,7%), të tjerë (20%).

Tregues shoqërorë: 30% e popullsisë ka asistencë shëndetësore, 62% e popullsisë ka mundësi të furnizohet me ujë të pijshëm, 6% e të rriturve janë të sëmurë më Sidë, ndërsa malaria, në vitin 2013, preku 9.750.953 vetë.

Ekonomia: Baza e ekonomisë eshte bujqësia. Me të merret 75% e popullsisë. Në zonat e brendshme, të cilat kanë toka pjellore, janë të zhvilluara blegtoria e gjedheve, e dhenve dhe e gamileve, si dhe kulturat e plantacioneve, si: kafeja, çaji, pambuku, duhani, kallamsheqeri etj. Turizmi është një nga burimet kryesore të të ardhurave në Kenia, sidomos në qendrat detare e në parqet kombëtare.

Monedha: shilinga keniote, një nga monedhat më të forta të Afrikës Lindore, përdorur edhe në Somali e në Sudan (1 euro = 117 KSh)

PBB/banor: 3.099 US dollarë në vit (2014).








All the contents on this site are copyrighted ©.