2015-11-25 16:10:00

Vizita e Papës në Afrikë. Mungu abariki Kenya! Zoti e bekoftë Kenian!


Filloi sot vizita e Papës në Afrikë: etapa I, Kenia. Papa Françesku u nis në orën 7.40 për në aeroportin e Fiumicinos e, në 8.30, avioni papnor u shkëput nga toka italiane, për të nisur fluturimin drejt Kenias, etapa e parë e shtegtimit apostolik, që do të vijojë në Ugandë e në Republikën Qendrafrikane. Arriti në aeroportin ndërkombëtar “Jomo Kenyata” të Najrobit në orën 17.00, me orën vendase (15.00 me atë evropiane).  Filloi, kështu, shtegtimin në gjurmët e Gjon Palit II, që e ka vizituar tri herë Kenian (më 6-8 maj 1980: 16-18 gusht 1985; 18-20 shtator 1995).

Për ta pritur kishin dalë Presidenti i Republikës, i shoqëruar nga autoritetet më të larta të shtetit e, natyrisht, edhe kryetari i Konferencës ipeshkvnore, kryeipeshvi i Najrobit, Imzot Philip Anyolo, me disa nga ipeshkvijtë vendas. Dhurata e parë  për Papën, që i do aq shumë fëmijët, ishte një tufë me lule keniote, dhuruar nga një vajzë e vogël  afrikane, të cilën Françesku e përqafoi me atë dashuri, që e kemi parë t’i përqafojë gjithnjë fëmijët në Sheshin e Shën Pjetrit. Më pas, Papa e Presidenti u ndaluan për pak çaste në Pavijonin presidencial, ku Françesku vuri firmën në Librin e Nderit. Prej këndej, zhvendosja në State House të Najrobit. Papa u prit në Sheshin e State Hause nga presidenti, që e shoqëroi në tribunë. Pas himneve të të dy vendeve, nderimeve ushtarake, përshëndetjes me 21 të shtëna topi dhe paraqitjes së dy delegacioneve, Papa shkoi në studion e Presidentit për një vizitë mirësjelljeje. Këtu u mbajt një takim privat. Njëkohësisht u mbajt edhe takimi dypalësh i delegacionit vatikanas e atij keniot, në të cilin morën pjesë kardinajtë Parolin, Filoni, Turkson, Njue dhe kryeipeshkvijtë Becciu, Balvo e Anyolo.

Më pas, takimi me autoritetet e Kenias dhe me Trupin Diplomatik, që u hap me fjalimin e mirëseardhjes, mbajtur nga Presidenti, zoti Uhuru Kenyatta, pas të cilit Françesku u drejtoi trojeve keniote fjalimin e tij të parë.

E nisi me një falënderim të ngrohtë për mikpritjen, Papa, fjalimin e tij të parë në trojet afrikane, menjëherë pas përshëndetjes, që i drejtoi presidenti keniot. E më pas kujtoi përmbledhtas historinë e këtij kombi të ri, por plot  gjallëri, larmi e ndikim në gjithë zonën. Ati i Shenjtë vlerësoi lart shembullin e Kenias për thellimin e demokracisë, ndjekur edhe nga kombet tjera afrikane, të cilat përpiqen të hedhin bazat e respektit të ndërsjellë, të dialogut e të bashkëpunimit, për ta bërë shoqërinë e tyre shumetnike me të vërtetë të harmonishme, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Një mendim për të rinjtë, pastaj, në një komb me popullsi rinore, të cilën Papa do ta takojë së shpejti:

“Rinia është pasuria më e çmuar e çdo vendi. T’i mbrosh të rinjtë, të investosh për ta e t’u japësh dorën, është mënyra më e mirë për të siguruar ardhmërinë e denjë të dijes dhe të vlerave shpirtërore, aq të dashura nga të moshuarit, vlera që janë zemra e shpirti i një populli”.

Më pas, një përshkrim i  bukurive të rralla natyrore të Kenias, vend me male, lumej, liqene, pyje, savana, gjysëm shkretëtira e burime të tjera të pafundme natyrore. Thesare të dhuruara nga Zoti, që popullsia i vlerëson dhe i ruan. Papa preku, kështu, edhe një herë, temën e tij aq të dashur, atë të mbrojtjes së natyrës, të përgjegjësisë që kanë breznitë e sotme për t’ua transmetuar bukurinë natyrore breznive të ardhshme, por dhe të detyrës  për t’i mbarështuar në mënyrë të drejtë dhuratat, që morëm falas. Këto vlera janë të rrënjosura thellë në shpirtin afrikan, kujtoi:

“Në një botë, që vijon ta shfrytëzojë, në vend që ta mbrojë shtëpinë e përbashkët, këto vlera duhet t’i frymëzojnë përpjekjet e qeveritarëve për të promovuar modele plot përgjegjësi të zhvillimit ekonomik”.

Papa kujtoi, më pas, lidhjen e ngushtë ndërmjet mbrojtjes së natyrës dhe rendit të drejtë shoqëror. Nuk mund të ketë, vijoi, përtëritje të lidhjes sonë me natyrën, pa përtëritjen e vetë njerëzimit (cfr Lëvduar qofsh, 118).

Në një situatë plot me tensione e përçarje, etnike, fetare, ekonomike, Papa u bëri thirrje njerëzve vullnetmirë të punojnë për pajtimin e paqen, faljen e shërimin e zemrave. Në veprimtarinë për ndërtimin e një rendi të qëndrueshëm demokratik, të fuqizimit të kohezionit e integrimit, tolerancës  e respektit për të tjerët, përpjekja për të mirën e përbashkët duhet të jetë një nga qëllimet e dorës së parë. Më pas Françesku vuri gishtin mbi plagët e shumta, që po i hapen sot shoqërisë nga konfliktet e dhuna, duke vënë me forcë në dukje edhe burimin e  tyre:

“Përvoja tregon se dhuna, konflikti e terrorizmi ushqehen nga frika, mosbesimi e dëshpërimi, se lindin nga varfëria e nga zhgënjimi. Me një fjalë, lufta kundër këtyre armiqve të paqes e të përparimit, duhet çuar përpara nga burra e gra, që nuk kanë frikë, që besojnë në vlerat e mëdha shpirtërore e politike, të cilat frymëzuan lindjen e Kombit e që japin dëshmi koherente”.

Mbrojtja e këtyre vlerave ju është besuar posaçërisht ju, që drejtoni jetën politike të  vendit - u tha Papa liderëve përqark, të cilëve u kujtoi fjalët e Ungjillit; “Kujt iu dha shumë, shumë edhe do t'i kërkohet” (cfr Lk 12,48):

“Ju inkurajoj të punoni me integritet e transparencë për të mirën e përbashkët e të promovoni frymën e solidaritetit në çdo nivel të shoqërisë!”.

E këtu Papa vuri fort theksin mbi nevojat e të varfërve, dëshirat e të rinjve  e shpërndarjen e drejtë të burimeve njerëzore dhe natyrore, me të cilat i bekoi Krijuesi këto vende. E më pas siguroi se bashkësia katolike do të vijojë të japë kontributin e vet përmes veprave edukative e bamirëse.

Françesku e përfundoi fjalën e tij, duke kujtuar një traditë të të rinjve, që mbjellin pemë për breznitë e ardhshme e duke uruar që kjo të jetë shenjë shprese në ardhmërinë dhe besimi në një shoqëri solidare, të drejtë e paqësore në trojet  e këtij vendi e të mbarë Kontinentit të madh afrikan.

Një përshëndetje në gjuhën vendase, në përfundim:

Mungu abariki Kenya!

Zoti e bekoftë Kenian!

Në përfundim të ceremonisë së mirëseardhjes, e të këtij udhëtimi jo pak të lodhshëm, Françesku shkoi në nunciaturën apostolike për t’u çlodhur e për t’u përgatitur për ditën e nesërme, shumë impenjative. Nesër do ta ndjekim Atin e Shenjtë në takimin ekumenik ndërfetar, në kremtimin e Meshës në Campusin e Universitetit të Najrobit, në takimin me klerin, rregulltarët e rregulltaret dhe në vizitën shumë të rëndësishme në Zyrat e Kombeve të Bashkuara në Najrobi.

Natën e mirë për sonte Papës!








All the contents on this site are copyrighted ©.