2015-11-25 11:51:00

Aktualiteti i atë Faustit, martir në Shqipëri, mbi dialogun Islamokristian (2)


  Pak ditë më parë u ribotua vepra  “Islami e kristianizmi. Reflektime të një dëshmitari”, vëllim që përmbledh shkrimet e atë Giovanni Faustit S.I. (1899-1964), shkruar për revistën Civiltà Cattolica (Qytetërimi Katolik), rreth 80 vjet më parë. Librit i paraprin një shkrim i atë Antonio Spadaro-s, drejtor i Revistës së jezuitëve,  i cili i shikon artikujt e posaribotuar si pjesë e një kapitali dijeje, që mund të na ndihmojnë të jetojmë më mirë në çastin e sotëm, ngarkuar me tensione e sfida. Transmetuam këto ditë pjesën e parë të  shkrimit të Atë Spadaros. Po ju njohim sot me pjesën e dytë, për të vijuar, më pas edhe me shkrimin e atë Giovanni Sales, titulluar: “Islami dhe ‘Qytetërimi Katolik’, artikujt e atë Gjon Faustit”.

Gjatë fjalimit të tij të parë publik në trojet shqiptare, në sallonin e pritjeve të Pallatit Presidencial, Françesku kujtoi menjëherë njërën nga arsyet e para të shtegtimit: “Ju përgëzoj posaçërisht – theksoi - për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij”.

Me vendosmëri e qartësi Françesku vijoi: “Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet, që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!”.

Këto fjalë na kujtojnë menjëherë situatën, që jetohet sot në Lindjen e Mesme. Përballë fesë së manipuluar, përvoja shqiptare dëshmon,   përkundër, se “Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë, është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike, të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve, duke e njohur dhe duke e nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë, të cilën duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi”.

Papa e rikujtoi këtë mendim, duke u takuar me liderët e feve të tjera dhe emërtimet e krishtera e duke përfytyruar lirinë fetare, fituar jo shumë kohë më parë, si mjedis ku mbizotëron respekti e bashkëpunimi, që duhet realizuar me pjesëmarrjen e të gjithëve, edhe të atyre që nuk kanë asnjë besim fetar”.

Françesku paraqiti dy qëndrime, që mund të jenë veçanërisht të dobishme për zhvillimin e kësaj lirie themelore:  

“I pari, pohoi,  është ai, sipas të cilit shohim tek çdo burrë e çdo grua, edhe tek ata që nuk i përkasin traditës sonë fetare, jo kundërshtarë, aq më pak armiq, por vëllezër e motra. Kush është i sigurt për bindjet e veta, nuk ka nevojë të imponohet, të ushtrojë trysni mbi të tjerët: e di se e vërteta ndryn në vetvete forcën rrezatuese. Të gjithë, në fund jemi, shtegtarë mbi këtë tokë, e në këtë udhëtim, ndërsa dëshirojmë me gjithë shpirt të vërtetën dhe amshimin, nuk jetojmë si qenie të mëvetësishme dhe të vetëmjaftueshme, as si individë, as si grupe kombëtare, kulturore apo fetare, por varemi nga njëri-tjetri, i besohemi kujdesit të të tjerëve. Çdo traditë fetare, nga brendia e vet, duhet të jetë në gjendje të japë llogari për ekzistencën e tjetrit”.

Qëndrimi i dytë është angazhimi në dobi të së mirës së përbashkët. Kur pjesëmarrja në traditën fetare përkatëse bëhet burim frymëzimi për t’i shërbyer mbarë shoqërisë me më shumë bindje, me më shumë bujari e pa interes, aty gjendet ushtrimi i vërtetë i lirisë fetare dhe thellimi i saj. Ajo, atëherë, nuk shfaqet vetëm si hapësirë e autonomisë së kërkuar me të drejtë, por si një mundësi e fuqishme, që e pasuron familjen njerëzore, me ushtrimin e saj të mëtejshëm. Sa më shumë të jemi në shërbim të të tjerëve, aq më shumë jemi të lirë”.

Papa i ftoi, kështu, njerëzit që besojnë në Zotin të shikojnë rreth vetes, për të parë sa nevoja kanë të varfrit, sa nevojë kanë ende shoqëritë tona të gjejnë udhët, që çojnë tek drejtësia sa më e përhapur shoqërore, tek zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës! Burrat e gratë, të frymëzuar nga vlerat e traditave të veta fetare mund të japin një ndihmesë të rëndësishme,  madje të pazëvëndësueshme. E pikërisht ky është një truall veçanërisht pjellor edhe për dialogun ndërfetar. Sepse dialogu nuk bëhet duke diskutuar për idetë, por duke bashkëpunuar për të mirën e të gjithëve.

Si drejtor i Civiltà Cattolica, jam i vetëdijshëm për trashëgiminë e kësaj reviste, gjallë që nga viti 1850: thesar për t’u shfrytëzuar e për ta bërë të japë sa më shumë fryte në kohë, së paku në arritjet e saj më të mira. E, duke rilexuar fjalët e Atë Faustit në dritën e atyre të Françeskut, gjeta një mësim shumë të fortë e një zë tejet të qartë edhe për ditët tona. Besoj se mendimet kushtuar dialogut ndërmjet islamit e krishterimit, teorizuar nga ky njeri gjithnjë në vijë të parë të frontit, përveçse martir, mund të jenë truall i përshtatshëm për të çimentuar dialogun ndërfetar edhe sot, posaçërisht në dritën e papnisë së Françeskut. Natyrisht artikujt që po i ribotojmë tani(të paraprirë e të shpjeguar nga studimi i atë Giovanni Sales), janë pjesë e një kapitali dijeje, që mund të na ndihmojë ta jetojmë më mirë çastin e sotëm me të gjitha tensionet e sfidat e veta.

                                                                                                                                               Antonio Spadaro, S.I.

                                                                                                                                               Drejtor i Civiltà Cattolica








All the contents on this site are copyrighted ©.