2015-11-24 15:17:00

Ipeshkvijtë afrikanë i urojnë mirëseardhjen Papës Françesku


Ipeshkvijtë afrikanë i urojnë nxehtësisht mirëseardhjen Papës Françesku, i cili, nesër, fillon udhëtimin e tij të parë apostolik në kontinent. Në një komunikatë, në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Përhershëm të Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SECAM), që u mbajt në Accra të Ganës, nga 16 deri më 20 nëntor, prelatët vënë në dukje me gëzim se vizita e Atit të Shenjtë bëhet pak javë pas Sinodit për familjen, duke uruar që ajo të shërbejë “ për të përforcuar fenë e anëtarëve të Kishës sonë, Familje e Zotit, e për të konfirmuar vlerat tona të thella të krishtera e afrikane”. “Jemi të bindur – vijojnë – se familja është e mbetet baza themelore dhe e domosdoshme e jetës shoqërore dhe u kërkojmë të gjithë popujve dhe qeverive tona të impenjohen për t’i mbështetur familjet afrikane e për t’i mbrojtur vlerat themelore të kulturave tona”.

Jo terrorizmit e luftrave

Mesazhi flet edhe për ngjarjet e përgjakshme e për sulmet terroriste në Francë, në vende të ndryshme afrikane, në Lindjen e Mesme e gjetiu, duke i dënuar e duke kërkuar të ndalohen ata, që i kryejnë e ata, që i sponsorizojnë. Më pas, thirrja për paqen në Afrikë: “Bashkohemi me të gjithë ata, që punojnë për paqen e pajtimin në zonat kritike të Afrikës dhe të botës, sidomos në Burundi, në Sudanin Jugor, në Republikën e Afrikës Qendrore, në Republikën Demokratike të Kongos, në Nigeri, në Kenia, në Libi e në vende të tjera veriafrikane. Në emër të Zotit, u bëjmë thirrje palëve në konflikt në këto zona të ulin armët e të ndërmarrin rrugën e dialogut e të paqes, për të mirën e brezave të ardhshëm”.

Thirrja për të rigjetur mëshirën e Zotit

Ipeshkvijtë afrikanë urojnë, së fundi, që të gjitha vendet e kontinentit, gjatë Vitit Afrikan të Pajtimit shpallur nga Secam më 29 korrik e në prag të Jubileut të Mëshirës, “të pajtohen vërtet njëri me tjetrin e pra, edhe me Zotin, Atin tonë të Mëshirshëm”. “Vetëm kështu – përfundojnë – do të mund ta gjejmë mëshirën e Zotit, që sjell si fryt bashkëjetesën në harmoni dhe zhvillimin”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.