2015-11-23 17:40:00

Imzot Fisichella: Kisha e ka shpërfillur mëshirën si rrugë për të arritur njeriun


Sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë ta shikojë të hapur në dy kapakë Portën e mëshirës. Kryeipeshkvi Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, flet për fillimin e Vitit Shenjt, shpallur nga Papa, duke u ndaluar tek tragjedia e kohëve të fundit, që tronditi rëndë Parisin e botën. Kisha, pohoi, dëshiron t’i presë të gjithë, e pa kurrfarë frike: “Mbi obeliskun e Shën Pjetrit nuk do të valavitet kurrë flamuri i bardhë i dorëzimit përballë terrorit, theksoi imzot Fisichella. Por sigurisht, as ndonjë flamur i zi, siç mund të ëndërrojë ndokush”. Ja si shprehet organizatori i Jubileut, imzot Rino Fisichella, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Bota e ka harruar mëshirën, e për fat të keq, edhe ne nuk e kemi parë mëshirën si rrugë kryesore për të arritur tek burrat e gratë e kohës sonë. Prej këndej, edhe në një çast kaq delikat, si ky që po jetojmë, vërehet një ndryshim epokal. Kjo do të thotë se po ndryshojnë zakonet; mënyra e të menduarit; gjuha, që flasim; stilet e jetës. Kjo përmasë e detyron Kishën ta përqendrojë më shumë vëmendjen mbi mënyrat e reja, që duhet të zgjedhë për të kumtuar Ungjillin e përhershëm.  Kjo më duket është edhe një nga arsyet, që e shtyu  Papën t’ia besojë organizimin e Jubileut, Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri: sepse dëshiron që kumtimi i mëshirës, përveçse element kthese e pendimi, të jetë edhe përmbajtja kryesore e kësaj etape të re të ungjillëzimit, që po kryen Kisha.

Pyetje: - Papa Françesku deshi që kapërcimi, edhe fizikisht, i Portës Shenjte në Shën Pjetër, por edhe gjetiu, të ishte një shtegtim i mirëfilltë. Si mund të ecet në këtë udhë, që nuk përshkohet vetëm me këmbë, por kryesisht, me shpirt. Sepse, mbi të gjitha, është shtegtim shpirtëror?

Përgjigje: - Papa këshillon të shtegtohet drejt të gjitha Portave Shenjte, që do të jenë të hapura në botë. Prej këndej, i nxit dioqezat e ndryshme ta konkretizojnë hapjen e Portës Shenjte, e kapërcimin e saj, edhe përmes një shtegtimi të shkurtër, që t’i japë kuptim udhës së njeriut në këtë takim me Zotin. E nuk duhet harruar se Porta Shenjte ka një vlerë të fuqishme simbolike: Porta është simbol i vetë Jezusit. Jezusi na thotë: “Unë jam Porta! Kush kalon përmes meje, do të ketë jetë!”. Prandaj këtu, në Romë, do të kemi edhe një aspekt konkretisht shumë të dukshëm, sepse shtegtimi drejt Portës Shenjte do të nisë nga Castel Sant’Angelo e, duke përshkuar krejt Rrugën e Pajtimit, do të arrijë në Sheshin e Shën Pjetrit. Udha  e shtegtarëve do të jetë e mbrojtur, por pa e penguar trafikun lokal. E ky shtegtim, pa dyshim, do t’i nxisë shtegtarët t’i bëjnë pyetje vetes: pse e bëjnë? Cili është qëllimi? Drejt kujt shkojnë? Ç’presin nga takimi? Nga kapërcimi i Portës? Këto e të tjera presin edhe përgjigje, që dalin nga zemra e njerëzve të kohëve tona, shpesh krejt të çkujdesur, që nuk mendojnë më për kuptimin e jetës së tyre. E Jubileu do t’u kujtojë pikërisht përshpirtërinë e munguar, mundësinë për ta rigjetur e për të provuar ngadhënjimin më të madh:  atë të mëshirës hyjnore.

Pyetje: - Ka rëndësi të kujtojmë sesi, gjithnjë me dëshirën e Papës Françesku, Jubileu, që tashmë na troket në portë, do të ketë edhe  ngjyrime të ndryshme, sipas vendit: ç’mund të na thoni për nismat, në përgatitje e sipër, në dioqezat e ndryshme? A mund të na tregoni konkretisht ndonjë, që ju ka prekur më shumë?

Përgjigje: - Ne vijojmë të marrim akoma shumë letra baritore nga ana e ipeshkvijve, të cilët i japin dioqezës së tyre, besimtarëve të tyre, udhëzime konkrete. Shumë e pasur me nisma është, natyrisht, dioqeza e Romës. Po jo më pak, edhe dioqezat e ndryshme të botës; mendoj për shumë ipeshkvij që, plot me entuziazëm, e kanë caktuar tashmë, në kryeqytetet e tyre, atë, që do të jetë Porta Shenjte. Porta e mëshirës. E, gjatë Jubileut, Papa do të bëjë, edhe ai vetë, shenja mëshire, vepra mëshire, fizike e shpirtërore. E këto do t’i prijnë edhe dioqezave të ndryshme të botës, që do t’i vënë në jetë, t’i praktikojnë, këto udhëzime, të dhëna përmes dëshmisë së Papës Françesku.

Pyetje: - Përgatitja e Vitit Shenjt, e Jubileut, është edhe çështje strukturash, çështje logjistike. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani?

Përgjigje: - Që në fillim pati bashkëpunim nga ana e Autoriteteve civile: në këtë rast fjala është për qeverinë, Rajonin e administratën komunale. Kompetencat e ndryshme: nga lëvizja, tek qarkullimi rrugor, shëndetësia e siguria, u shqyrtuan me shumë vëmendje e, natyrisht, edhe më shumë kujdes. Prandaj shpreh edhe një herë falënderimin tim për bashkëpunimin, që do të zgjasë gjithë Vitin Jubilar.

Pyetje: - Ju pak më parë përmendët fjalën “siguri” e, në mënyrë të pashmangshme, çka ndodhi në Paris, ngjalli në shpirtin e shumëkujt  shqetësim, frikë e tmerr. Nëse do të mund t’u flisnit me zemër në dorë këtyre njerëzve, çfarë do t’u thoshi?

Përgjigje: - E ndjej se duhet të them dy gjëra. E para, natyrisht, është një mendim për viktimat e dhunës, që nuk janë vetëm ato të Parisit, por, për fat të keq, të të gjithë botës. Në këtë Vit të Jubileut të mëshirës ne kemi menduar edhe një mbrëmësore lutjeje, për të tharë lotët e derdhur nga qindra mijëra sy, në të katër anët e planetit. Një çast ngushëllimi, ky, sepse mëshirë do të thotë edhe ngushëllim. Pastaj, edhe një aspekt i dytë, e është ai i të gjithë atyre, që dëshirojnë të vihen për udhë si shtegtarë, për të ardhur edhe në Romë. Në këtë pikë unë dëshiroj t’i them edhe nja dy fjalë: kemi parë figura të përhapura nga ata, që duan ta shpalosin flamurin e zi mbi obeliskun e Sheshit të Shën Pjetrit. E pra, nuk do të ketë asnjë lloj flamuri të zi mbi obelisk, por nuk do të ketë as flamur të bardhë, në shenjë dorëzimi. Sepse është guximi, dëshira për të mbrojtur një stil jetese, të bazuar mbi respektin, paqen, aftësinë për të mikpritur, që e bën Kishën ndërmjetësuese të privilegjuar. Prej këndej, të mos shpresojë kush se do të shikojë flamur të bardhë, për t’u dorëzuar përballë frikës ose terrorizmit. E posaçërisht, një terrorizmi, që pretendon se bazohet mbi fenë, duke iu kundërvënë kështu, vetë natyrës së tij.  








All the contents on this site are copyrighted ©.