2015-11-23 16:30:00

Imzot Coppola: Papa në Afrikën Qendrore për të ndalur dhunën


“Të shtunën u bënë të njohura dy videomesazhe të Papës. Njëri u drejtohet ugandezëve dhe keniotëve, ndërsa tjetri, banorëve të Afrikës Qendrore. Ati i Shenjtë i mbyll me një ‘mirupafshim së shpejti’. Të gjithë e morën si premtim e si impenjim se do të vijë”. Kështu thotë nunci apostolik në Republikën e Afrikës Qendrore, imzot Franco Coppola, në një intervistë për gazetën “Quotidiano Nazionale”.

“Kriza e këtij vendi zgjat tashmë që prej 3 vjetësh – nënvizon prelati, duke folur për gjendjen e vështirë. Më thonë se një bombë dore kushton më pak se një euro. Lufta civile bëhet nga milicitë. Armët, përveçse atyre të rënda, shpërndahen edhe në nivel popullor. E akoma nuk janë tërhequr e mbledhur nga askush. Parashikohet që kjo detyrë të kryhet nga qeveria e re”, e cila duhet të fillojë punën, pas referendumit për Kushtetutën e pas zgjedhjeve të janarit. Në këtë kontekst, “vizita e Papës po i bashkon njerëzit. Të gjithë shpresojnë se mund të shërbejë për ta kthyer fletën, duke e ndërprerë zinxhirin e dhunës e të hakmarrjes. Nuk ka asnjë, që thotë se s’është i kënaqur”.

Imzot Coppola sqaron se njerëzit janë të lodhur: “E kanë kuptuar se njerëzit me armë, në vend që t’i mbrojnë, shikojnë interesat e tyre; me një fjalë, kanë filluar t’i konsiderojnë thjesht banditë”. Kohët e fundit, në një sulm, gjetën vdekjen 36 vetë, e “akoma në këtë çast, zona e kilometrit 5, ku ndodhet xhamia qendrore, është e rrethuar nga të ashtuquajturat milici të krishtera, që s’kanë asgjë të krishterë e që i pengojnë banorët të shkojnë në treg. Helmetkaltërve të OKB-së u është dashur të organizojnë karvane me ndihma humanitare për të sjellë ushqim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.