2015-11-20 15:58:00

Shkrimet kushtuar Nënë Terezës duhen parë me sy kritik


Nënë Tereza banon prej 18 vjetësh në shtëpinë e Atit qiellor e, megjithatë, duket vazhdimisht mes nesh. Në lutje. Në faqe gazetash. Revistash. Librash... që shkruar me a pa qëllime të mira, duhen parë gjithnjë me sy kritik. Sepse jo gjithnjë është e vërtetë çka shkruhet për të Lumen. E jo vetëm nga kundërshtarët, të cilët nuk i mungojnë as kësaj Gruaje të përkryer aq, sa të lartohej në nderimet e elterit. Por edhe nga miq e dashamirë, që nganjëherë, ndoshta prej zellit të tepruar, u japin kujtimeve ngjyrime tepër personale. E lexojmë këtë vërejtje shumë me vend, e me vlerë përgjithësuese, në faqet e revistës “Famiglia Cristiana”, n. 44, 1 nëntor, 2015, Viti LXXXV, në shkrimin e Franca Zambonini-t: “Nënë Tereza nuk kishte fare frikë nga vdekja”.  

Atë Rosario Stroscio, shpjegon autorja e artikullit, 50 vjet misionar në Indi, e pikërisht në Kalkutë, këshilltar shpirtëror i Nënë Terezës, në një intervistë të gjatë, dhënë gazetës italiane “Corriere della Sera”, më 21 tetorin e kaluar, sjell një mori kujtimetsh nga jeta e së Lumes. Të bukura e të besueshme disa, e disa të tjera, edhe të pabesueshme. Prej këndej, shton autorja, po marr guximin ta korrigjoj ndonjë prej tyre. E nis e korrigjon, duke filluar nga kujtimi i parë, që flet për çastin dramatik, kur Nënë Tereza doli vetëm, në mes të katër rrugëve, për t’i kërkuar të varfërit e saj, pa pritur që ta kërkonin ata. Kuvendi mbeti pas shpatullave përgjithmonë. E gjithë kjo është më se e vërtetë. Por të duket e çuditshme shtesa e atë Rosarios, sipas të cilit, në këtë çast: “Jezuiti belg, atë van Exem, e trajtoi Terezën me përbuzje e ajo, për përvujtëri, nuk u rebelua”. Kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Përkundrazi, sqaron autorja e shkrimit, ati Exem më pati dhënë me gojën e vet, këtë dëshmi: “Në gusht 1948 i dorëzova Nënë Terezës dekretin e eksklaustracionit, me lejën e Piut XII. Praktikisht rregulltarja mbetej murgeshë, por mund të largohej nga kuvendi e të jetonte vetëm. Të nesërmen shkoi në pazar e bleu dy sare prej pambuku të bardhë, me anë të kaltra, petku që vishnin indianet e skamura. Këshu nisi jeta e saj, kushtuar plotësisht të varfërve”. Ky, pohimi plot admirim i atë Exem, që i bie plotësisht ndesh dëshmisë së parë.

Vjen, më pas, edhe pohimi i dytë, për t’u korrigjuar, i atë Rosarios: “Nënë Tereza kishte frikë nga vdekja. E madje dridhej nga frika”. Edhe kjo nuk është e vërtetë, sqaron autorja e artikullit të botuar në “Famiglia Cristiana”, duke e mbështeur këtë pohim mbi dëshminë e një mjeku: “Më tregonte doktor Vincenzo Bilota, kardiologu, që e mjekoi: ‘Ishte data 5 shtator e vitit ’89. Nënë Tereza ishte në Romë, kur pati një goditje në zemër e u shtrua menjëherë në klinikën Salvator Mundi. Diagnoza: kardiopati kronike ingraveshente. Gjendja, dramatike. Po ajo e çdramatizoi menjëherë, duke u thënë motrave të veta: Doktori po më thotë se kam ‘un bad heart’(një zemër të keqe). Po ju e dini tashmë se kam zemër të mirë! Prandaj, mos kini pikë frike!’”.

Doli nga spitali e Bilotta e porositi të bënte jetë të qetë, pa ankthe e pa udhëtime. Nëna e dëgjoi pa i kundërshtuar, por, në fund të fundit, i tha: “I dashur doktor, nëse Zoti do që unë të vdes, Ai e di vetë ku, kur e si, prandaj nuk shqetësohem fare!”.

Këtë, po, mund ta besojmë menjëherë, sepse në përkim të plotë me natyrën e Asaj, që preku me duar të gjitha plagët e qelbëzuara të kësaj bote, për t’i lehtësuar, kur nuk mund t’i shëronte! Pa frikë se mund t’i ngjiteshin gjithë sëmundjet e tmerrshme, pas të cilave, natyrisht, vjen edhe vetë vdekja.

Janë shkruar me qindra libra, mijëra kujtime, për Motrën imcake shqiptare. Por nuk duhet të besojmë gjithçka, që shkruhet për Të. Mjafton të kujtojmë karakterin e saj, atë që bëri, për të besuar, ose jo e për të qenë të sigurt në vlerësimin tonë. A mund të shikohej me përbuzje rregulltarja, që po bënte një gjë të jashtëzakonshme, nga një rregulltar jezuit, cilido qoftë? E, a mund të dridhej nga frika e vdekjes, Ajo që kishte mohuar vetveten për t’iu gjegjur thirrjes së Zotit: “Eja, ji drita ime”?  Kujdes, prandaj, e vështrim kritik, edhe ndaj shkrimeve të miqve të Nënë Terezës, për ta ruajtur sa më të pacënuar figurën e Asaj, që është nderi, krenaria e lavdia jonë kombëtare – e natyrisht – edhe fetare, për ne katolikët.








All the contents on this site are copyrighted ©.