2015-11-20 15:18:00

Papa në Afrikë: thirrje e re për të mos e njollosur Zotin


Papa Françesku do të shkojë më 25 nëntor në Afrikë. Para Ugandës së krishterë, etapa e parë e udhëtimit është Kenia, ku Ati i Shenjtë do të bëjë edhe një herë thirrje për të mos e përdorur emrin e Zotit si justifikim për dhunën. Do të kërkojë t’i lënë fetë të bëjnë atë, që dinë të bëjnë më mirë, pra, të jenë veprimtare të së mirës, faktor pajtimi, paqeje e vëllazërimi në botën e sotme”. Kështu foli Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Qendrën Televizive të Vatikanit (CTV).

 Në Nairobi, kryeqyteti i Kenias, gjatë vizitës në selinë e Kombeve të Bashkuara, Ati i Shenjtë do të kërkojë edhe “luftë kundër varfërisë e përjashtimit. Të sigurohet për çdo anëtar të bashkësisë ndërkombëtare një jetë e denjë, që të respektojë dinjitetin e njerëzve e të bijve të Zotit në popullsitë e Afrikës”. Në Republikën Qendroafrikane, Papa Françesku do të hapë Portën Shenjte në katedralen e Banguit. “Do të jetë një inkurajim për t’u kujdesur për plagët e atij populli, për të kapërcyer ndarjet, në emër të respektit e të mirëkuptimit të ndërsjellë, në mënyrë që grupet, të cilat tani për tani janë në luftë, të gjejnë arsye për të punuar së bashku për të mirën e vendit”, përfundon kardinali Parolin.








All the contents on this site are copyrighted ©.