2015-11-20 12:38:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Krishtit Mbret! “B”


Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut. Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 34-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, të cilën Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.

Më shumë mbi programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu.......

Miq të nderuar kemi mbërri në të dielën e fundit të ‘Kohës së rëndomtë të këtij viti’ liturgjik kishtar, që mbyllet me këtë të diele. Para nesh kemi figurën e Jezusit, Mbretit të Gjithësisë. Qysh në Besëlidhjen e Vjetër, Danieli profet fliste për një bir të njeriut të cilit Zoti i jep çdo pushtet e të cilit të gjithë popujt, kombet e gjuhët i shërbenin (krh Leximi I). Kjo profeci u realizua në Jezusin: Ai është i vetëdijshëm se është Mbret, i paralajmëruar (profetizuar) e i pritur, dhe këtë e dëshmon shumë qartë para Pilatit, por saktëson edhe faktin se Mbretërinë e Tij nuk duhet kërkuar me dhe ndër kategoritë njerëzore, pasi që Mbretëria e tij nuk është këtu poshtë mbi tokë, pra nuk është e kësaj bote. (krh Ungjillin e se dieles).

Mbretëria e Jezusit është një Mbretëri ku ligji është Dashuria ndaj Hyjit e të afërmit; ku Drejtësia quhet Mëshirë, Përdëllim; ku i afërmi e të tjerët nuk janë nënshtetas apo të nënshtruar por Vëllezër e Motra sepse janë bijtë të të njëjtit Atë Qiellor; ku armët e Jezusit janë Fjala, Udhëzimi e Urata.

Pra, kjo festë liturgjike e re, siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925, e mbyll vitin kishtar me një vizion madhështor të harmonisë e të paqes. Një harmoni që nuk është e realizuar përmes planeve të superfuqive apo ekuilibrave të terrorit, por përmes dashurisë. Në qendër të skenës kemi Krishtin mbi kryq, si akt i mbramë i mbretërisë së tij tokësore e si gjest i parë i Mbretërisë së tij të lavdishme, që ofron falje e shpëtim.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele pra, na fton të meditojmë mbi figurën e Krishtit si qendër kyçe të historisë sonë, si qendër të ngjarjeve tona personale e të njerëzimit dhe të gjithësisë mbarë. Këtë, të bindur se Jezusi është Mbret i gjithësisë, se Mbretëria e tij nuk është e kësaj bote, nuk mund të krahasohet me asnjë perandori apo mbretëri historike, e megjithëkëtë Mbretëria e Krishtit realizohet e ndërtohet në histori e në kohë, duke i shndërruar ato.

Në pyetjen e drejtpërdrejtë të Pilatit “a je ti mbreti i judenjve?”, Jezusi përgjigjet, duke pohuar se është mbret, por në mënyrë absolutisht origjinale (Ungjilli). Kështu Gjoni ungjilltar shpjegon se mbretëria e tij qëndron në dëftimin e Tij Hyjnor, do të thotë në komunikimin e Zotit njerëzve. Në të vërtetë, Jezusi i mundëson e lejon Hyjit të jetojë në njeriun e njeriut i ofron mundësinë të ketë pjesë dhe të jetojë në bashkim më Hyjin.

Pra, pushteti mbretëror i Krishtit nuk është ai i të mëdhenjve të kësaj bote. Është pushtet, që përdoret për të mundur të keqen dhe vdekjen e për të ndezur shpresën edhe në zemrën më të ngurtësuar. Liturgjia e Fjalës së Zotit na ofron kështu, kuptimin e festës së fundit, që mbyll vitin liturgjik, kushtuar Krishtit Mbret i Universit.

Të dielën e fundit të çdo viti, para fillimit të Kohës së Ardhjes, çdo besimtari i krijohet përsëri rasti të reflektojë për kuptimin e pushtetit mbretëror të Krishtit, krejt në kundërshtim me mënyrën si konceptohet historikisht ky pushtet nga kultura njerëzore. Çfarë kuptimi ka pushteti i Jezu Krishtit Mbret, po ta krahasojmë me atë të një monarku, që sundon mbi tokë? Pushteti i Krishtit nuk është ai i mbretërve e i të mëdhenjve të botës; është pushtet hyjnor për të dhënë jetën e pasosur, për të çliruar nga e keqja, për të përmbysur sundimin e vdekjes. Është pushtet i Dashurisë, që di të nxjerrë të mirën nga e keqja, të zbutë zemrën më të ngurtë, të çojë paqen në mes të ndeshjes më të ashpër, të ndezë shpresat në errësirën më të dendur. Kjo Mbretëri e Hirit nuk imponohet kurrë. Përkundrazi: e respekton gjithnjë lirinë tonë.

Solemniteti i Krishtit Mbret nisi të kremtohej më vonë se disa festa të tjera,  por rrënjët e tij biblike e teologjike janë tejet të thella. Titulli ‘mbret’, që i jepet Jezusit, është shumë i rëndësishëm në Ungjijtë. Krijon mundësitë për ta kuptuar plotësisht figurën e Tij e misionin e Tij të shëlbimit. Në këtë drejtim mund të vërejmë një rritje: fillohet me shprehjen ‘mbret i Izraelit’ e arrihet në atë të mbretit universal, Zotërisë së gjithësisë e të historisë, domethënë shumë më përtej shpresave, që ushqente vetë populli i Izraelit.

Përpara madhështisë së këtij pushteti mbretëror, paradoksal me simbolin e tij, Kryqin, çdo ndërgjegje njerëzore nuk mund të mos e pyesë veten: Kë do të ndjek! Zotin, apo qoftëlargun? Të vërtetën apo gënjeshtrën? Të marrësh anën e Krishtit nuk të garanton suksesin sipas kritereve të botës, por të siguron atë paqe e atë gëzim, që vetëm Ai mund ta japë. E dëshmon, në çdo epokë, përvoja e shumë burrave e grave që, në emër të Krishtit, në emër të së vërtetës e të drejtësisë, ditën t’i kundërvihen lajkave të pushteteve tokësore të fshehura pas maskave, deri në atë pikë, sa ta vulosnin me martirizim këtë besnikëri.

E një nga këta njerëz të jashtëzakonshëm është edhe rregulltarja shqiptare, e Lumja Nënë Terezë Ganxhe Bojaxhiu, që jetoi me dhe për të varfrit e të mënjanuarit e shoqërisë. Ajo ka meritën e themelimit të një Kongregate të Misionareve të Dashurisë, për të shërbyer, përkëdhelur, mjekuar të varfrit më të varfër, të përjashtuarit e shoqërisë sonë, për ta mbrojtur e lartuar dinjitetin e këtyre njerëzve, duke zbuluar në ta figurën e vetë Hyjit dhe duke mbrojtur e dashur vetë Jezusin në ta. Jeta e vepra e Ganxhe Bojaxhiu janë dëshmi që pasqyron fytyrën e vërtetë të Krishtit Mbret. E Lumja Nënë Terezë ka shërbyer Krishtin Mbret duke u përkujdesur e dashur më të varfrit ndër të varfër. Në se vëmë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. Por në se secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit.

Zotit, pra, nuk i duhen gjë format hipokrite të devocionit, në se nuk mishërohen në jetë urdhërimet e tij. Solemniteti i Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i universit, që kremtojmë këtë të diele, na kujton edhe shëmbëlltyrën e gjyqit të mbarmë. E vërteta mbi fatin tonë të mbramë e mbi kriterin me të cilin do të vlerësohemi është ky, mesazhi i Ungjillit të këtij solemniteti dhe i asaj, që njihet si ‘shëmbëlltyra mahnitëse e gjyqit të fundit’. E, ta kujtojmë përmbajtjen e shëmbëlltyrës: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha i huaj e më përbujtët … “ (Mt 25,35) e kështu me radhë. Kush nuk e njeh tani këtë faqe? Është pjesë përbërëse e qytetërimit tonë. Gjurmët e saj - hierarkia e vlerave, institucionet, veprat e shumta të bamirësisë - duken qartë në historinë e popujve me kulturë të krishterë.

Mbretëria e Hyjit, siç thoshte Jezusi, nuk është e kësaj bote e vetë Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik e shoqëror të kësaj fjale, por kjo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori. E Kisha na kujton se mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me nderime e salltanete por, siç shkruan Shën Pali, është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt. Një mësim i fortë ky, të cilit Kisha i shton edhe mendime të tjera, po kaq të fuqishme. Zoti e ka shumë për zemër të mirën tonë, dëshiron që çdo njeri të ketë jetë e, posaçërisht, që më të vegjlit të ulen të parët në sofrën, të cilën Ai e shtron për të gjithë. Prandaj nuk di çka të bëjë me hipokrizinë e atyre që thonë: “Zot, o Zot” e pastaj nuk i zbatojnë urdhërimet (cfr Mt 7,21). Hyji i pranon në Mbretërinë e Tij të Amshuar ata që përpiqen ditë për ditë ta venë në jetë fjalën e Tij.

                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Dan 7, 13-14
Kush është “Biri i njeriut”? Biri i njeriut mund të tregojë të gjithë popullin e Izraelit, por edhe një personazh të panjohur që ka fuqi mbinatyrore. Jezusi merr mbi vete këtë emër, sepse është plot me domethënie shpëtuese. Në këtë profeci profeti Daniel deklaron që populli i poshtëruar në histori ka një besëlidhës në qiell. Jezu Krishti do të shfaqet si njeriu i të gjithëve, kudo i pranishëm, por edhe aq i mbinatyrshëm dhe i pakapshëm.

Lexim prej Librit të Danielit profet

Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!


Psalmi 93
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot


Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.

Të palëkundshme e bëri botën;
assesi s’do të trandet!
I patundshëm është froni yt
qysh prej fillimit,
ti je i amshueshëm!

Dëshmitë e tua
janë plotësisht të besueshme,
shenjtëria i përket shtëpisë sate
përgjithmonë e jetës, o Zot.

Leximi II Zb 1,5-8 

Gjoni u zbulon të krishterëve të persekutuar dhe të shtypur kuptimin e egzistencës së tyre dramatike. Një njeri, Jezusi, që paraqet të gjithë njerëzit, ka kaluar nëpërmjet provave dhe dështimeve të përditshme që i ndodhin çdo njeriu. Ai është i parëlinduri i një njerëzimi që do të rilindë përtej vdekjes, dhe u tregon të gjithë njerëzve fatin e tyre të vërtetë: të bëhen meshtarë të botës dhe familjarë të Hyjit.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Jezu Krishti është Dëshmitari besnik, i Parëlinduri ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, që na bëri Mbretëri priftërinjsh për Hyjin, Atin e vet, Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen. Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! Unë jam Alfa dhe Omega, thotë Zoti Hyj. Ai që është, që ishte, dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit!
Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 18, 33-3

Në Ungjillin e Gjonit takohet kjo pyetje: Kush është Jezusi? Në këtë pjesë përgjigjja është ajo që vijon: Jezusi është mbreti i universit, ai që ka fuqinë mbi gjithçka e mbi të gjithë. Me vdekjen e tij ka arritur ora e së vërtetës, kryqi bëhet froni mbi të cilin mbretërohet. Vdekja e Jezusit nuk është një fund, por fillimi i një bashkimi me Hyjin që nuk do të mbarojë kurrë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Pilati e thirri Jezusin dhe e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi i përgjigji: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?”
Pilati përgjigji: “Pse, a mos jam unë judeas? Popullit yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?” Jezusi përgjigji: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
“Pra, ti qenke Mbret?” – i tha atëherë Pilati. “Mirë thua!” – i përgjigji Jezusi – “Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
 








All the contents on this site are copyrighted ©.