2015-11-20 14:09:00

Krishti, Mbreti i Gjithësisë


Krishti, Mbreti i Gjithësisë

Mesia duhet të udhëheqë popullin e Hyjit, duhet të jetë prijësi i tij, thotë leximi i parë; mbretërimi i tij buron nga Hyji dhe paria është e tija, sepse tek ai Ati ka vendosur plotësinë e të gjitha gjërave, thotë leximi i dytë. Por, Luka e paraqet mbretërimin e Jezusit duke treguar parodinë e fronëzimit të tij si mbret i judenjve mbi kryq. Ajo i bën jehonë parodisë tjetër, që u realizua në pretoriumin e Pilatit dhe na e tregojnë ungjilltarët e tjerë. Fronëzimi i Jezusit si mbret zhvillohet përreth kryqit, froni i sajuar i Mesisë së ri. Për ta bërë më të dukshëm këtë përafrim, Luka kujton mbishkrimin e shpalosur mbi kryq (v. 38), por pa thënë se bëhet fjalë për një dënim (shih Mt 27,37). Në këtë mënyrë mbishkrimi shpreh emërimin, njësoj siç emëroi Atit Birin në pagëzim (Lk 3,22). Luka, ndërkaq, sjell këtu një episod që tregohet tjetërkund (v. 36a; Mt 27,48) dhe shton një fjali (v. 37b) me të cilën turma pret të njohë titujt e Jezusit si mbret, tituj sipërfaqësorë, që Jezusi nuk pranon t’i bëjë të ditur: ai nuk dëshiron që mbretërimi të burojë nga ikja prej fatit që i takon, por nga besnikëria ndaj tij.

Krishti, mbreti i pajtimit

Si çdo gjë e rëndësishme sipas ligjit të Moisiut, është e rëndësishme që fronëzimi të njihet të paktën nga dy dëshmitarë. Por, nëse dëshmitarët e fronëzimit mbretëror të shndërrimit janë dy prej personazheve kryesore të Besëlidhjes së Vjetër (Lk 9,28-36) dhe dëshmitarët e ringjalljes janë gjithashtu të mistershëm (Lk 24,4), dy dëshmitaret e fronëzimit në Golgota janë thjesht dy grabitës të rëndomtë. Është fronëzimi qesharak i atij që nuk do të jetë mbret, përveçse duke i shkuar gjer në fund talljes.

Luka tregon në vijim ngjarjen e dy vjedhësve, si për të treguar se për Krishtin, mënyra e ushtrimit të mbretërisë së tij mbi të gjithë njerëzit, përfshirë edhe armiqtë, është ajo e dhuratës së faljes (vv. 34a.39-43). Luka është shumë i vëmendshëm ndaj kësaj ideje gjatë të gjithë tregimit të mundimeve, por këtu arrin kulmin.

Me këtë falje, Krishti paraqitet si Adami i ri, si ai që mund ta ndihmojë njerëzimin për të restauruar parajsën që ka humbur njeriu i parë (shih Lk 3,38). Duhet që njerëzimi i ri të pranojë ende faljen e Hyji e të mos adhurojë me krenari vetveten. Krishti mbërrin në atë moment të jetës në të cilin mund të përurojë njerëzimin e ri, të çliruar nga bjerrja e mëkatit: ai i jep vjedhësit të penduar mundësinë për të marrë pjesë në njerëzimin e ri, sepse gatishmëria e tij për të falur nuk ka kufij. Krishti e ushtron mbretërinë e vet tek të penduarit.

Krishti, mbreti i faljes

Fjalët Mbret e Mesi shfaqen përreth kryqit brenda fjalive tallëse e shpotitëse. Brenda këtyre rrethanave Jezusi kryen një gjest vërtet mbretëror dhe i mundëson keqbërësit të penduar hyrjen në mbretërinë e Atit. Edhe kundrejt kundërshtarëve më të tërbuar, Jezusi shqipton fjalët e faljes: “Atë, fali, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”. Jezusi e ushtron dhe e shfaq mbretërinë e tij jo me anë të vendosjes së pushtetit despotik, por me anë të shërbesë së faljes, që ka si synim pajtimin. Ai është i parëlinduri i të gjitha krijesave (leximi i dytë) e, meqë të gjitha krijesat janë krijuar me anë të tij, “i pëlqeu Hyjit të pajtojë nëpërmjet tij të gjitha gjërat, duke vendosur paqen në gjakun e kryqit të tij”.

Krishti është mbret, sepse duke falur e duke vdekur për faljen e mëkateve, krijon një bashkim të ri mes njerëzve. Duke copëtuar mekanizmin e urrejtjes, bën të mundur një të ardhme të re.

Mbreti që ka ardhur për të shërbyer

Duke e njohur Jezusin si mbret, besojmë se me anë të tij Hyji ka dëftuar në mënyrë të plotë se realizimi i njeriut mund të vërtetohet vetëm nëse i bindemi vullnetit të tij. Nuk ka asnjë veprim njerëzor që të mos i nënshtrohet gjykimit të Hyjit, nuk ka hapësirë në histori që mund të shmangë marrëdhënien me Hyjin nëpërmjet Jezusit. Doktrina mbi zotërimin e Krishti na mëson edhe një herë se jeta për të cilën jemi thirrur është e njëjta jetë që ka jetuar Jezu Krishti: jeta në shërbim të vëllezërve. Duke jetuar këtë jetë, dëshmojmë se ai është Zot dhe bëhemi edhe ne njerëz të paqes e të pajtimit. Në Kishën e Krishtit, sikurse në çdo bashkësi, shërbesa e autoritetit nuk është dhënë për afirmimin personal, por për t’u vënë në shërbim të bashkimit dhe të dashurisë. Krishti, bariu i mirë, nuk ka ardhur për të qenë i shërbyer, por për të shërbyer (Mt 20,28; Mk 10,45) e për të dhënë jetën (Gj 10,11).

Këto pohime ndihmojnë për të shmangur dyzimet dhe për ta kuptuar konceptin e mbretërimit sipas Krishtit.

************************************

Ardhtë mbretëria jote

Nga libërthi «Lutja» e Origjenit, meshtar

Mbretëria e Hyjit, sipas fjalës së Zotit dhe shpëtimtarit tonë, nuk vjen me bujë e askush nuk do të thotë: Ja ku është, ose Është atje. Mbretëria e Hyjit është mes nesh (shih Lk 16,21), sepse fjala e tij është shumë afër, në gojën tinë dhe në zemrën tonë (Rm 10,8). Prandaj, pa dyshim, ai që lutet duke kërkuar ardhjen e mbretërisë së Hyjit, lutet, në të vërtetë, që të zhvillohet, që të prodhojë fryte e të arrijë plotësinë ajo mbretëri e Hyjit që mban përbrenda. Hyji mbretëron në shpirtrat e shenjtërve dhe ata u binden ligjeve shpirtërore të Hyjit, që banon tek ata. Në këtë mënyrë, shpirti i shenjtit bëhet si një qytet i mirëqeverisur. Në shpirtin e të drejtëve është i pranishëm Ati e, me Atin, edhe Krishti, sipas pohimit: “Tek ai do të vijmë e aty do të banojmë” (Gj 14,23).

Por, kjo mbretëri e Hyjit, që është brenda nesh, me anë të përparimit tonë të palodhshëm, do të arrijë plotësinë e saj, kur do të vërtetohet ajo që thotë apostulli i Krishtit, domethënë kur Ai, pasi t’i ketë nënshtruar të gjithë armiqtë, do t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit atë, që Hyji të jetë gjithçka tek të gjithë (shih 1Kor 15,24.28). Prandaj, të lutemi pa u lodhur. Të lutemi me gatishmërinë shpirtërore më të lartë, të hyjnizuar nga prania e Fjalës. T’i themi Atit tonë që është në qiell: “U shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote! (Mt 6,9-10). Të kujtojmë se mbretëria e Hyjit nuk mund të merret vesh me mbretërinë e mëkatit, sikurse nuk ka marrëdhënie ndërmjet drejtësisë e mbrapshtisë, as bashkim ndërmjet dritës dhe errësirës, as mirëkuptim ndërmjet Krishtit e Beliarit (shih2 Kor 6,14-15).

Pra, nëse duam që Hyji të mbretërojë në jetën tonë, në asnjë mënyrë mëkati “nuk duhet të mbretërojë në trupin tonë të vdekshëm” (Rm 6,12). T’i mundojmë “gjymtyrët tona që i përkasin tokës” (Kol 3,5). Të pjekim fryte shpirtërore, që Hyji të mund të banojë brenda nesh si brenda një parajse shpirtërore. Le të mbretërojë në ne vetëm Hyji Atë me Krishtin e tij. Ndenjtë me ne Krishti, i ulur në të djathtën e atij pushteti shpirtëror që edhe ne dëshirojmë të arrijmë. Ndenjtë me ne derisa të gjithë armiqtë e tij, që gjenden ndër ne, të bëhen “shtroja e këmbëve të tij” (Ps 98,5) e kështu të largohet nga ne çdo zotërim i tyre, çdo pushtet e ndikim. Gjithë kjo gjë mund të ndodhë tek secili prej nesh. Atëherë, në fund, “do të shkatërrohet vdekja, armikja e fundit” (1Kor 25,26). Atëherë Krishti do të mund të thotë brenda nesh: “Ku është, o vdekje, thumbimi yt? Ku është, o vdekje, fitorja jote?” (Hos. 13,14; 1Kor 15,55). Prandaj, qysh tani le të vishet “trupi ynë i shkatërrueshëm” me shenjtërinë e pashkatërrueshmërisë; çfarë është e vdekshme, të dëbojë vdekjen, të mbulohet me pavdekësinë” e Atit (1Kor 15,54). Kështu, duke mbretëruar në ne Hyji, mund të shijojmë që tani të mirat e ripërtëritjes dhe të ringjalljes.

**************************************

Nga lutja me të cilin mbylli homelinë në festën e Krishtit Mbret Papa Gjon Pali II në vitin 1998

“Jezus, të të bjerë ndër mend për mua, të të bjerë ndër mend për ne, kujtohu për të gjithë popujt, të cilëve barinjtë u japin çdo ditë bukën e gjallë e të vërtetë të Ungjillit tënd nëpër hapësirat e pafundme të detit e të tokës: pasi të kemi ndjekur, vijmë tek ti, në mbretërinë tënde, të tërhequr prej teje, që je lartësuar mbi kryq; vijmë tek ti, që je lartësuar përmbi historinë dhe në qendër të saj, alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi, Zot i kohës e i shekujve.

Ty të drejtohemi me fjalët e himnit të lashtë:

Me anë të vdekjes sate të lavdishme,

o mbret i lavdisë së amshuar,

fitove për popujt jetën e amshuar,

prandaj mbarë bota të quan Mbretin e njerëzimit.

Mbretëro mbi ne, o Krisht, Zoti ynë!”

Amen

*************************************

Lutja për dhuratën e fesë, shkruar nga Papa Pali VI

Me këtë festë të Zotit mbyllet Viti i Liturgjisë Kishtare. Duke uruar që drita e Hyjit të ndizet në zemrën dhe mendjen e të gjithë njerëzve, që, duke njohur Jezu Krishtin, të gjejnë kuptimin e jetës dhe lumturinë e amshuar, të lexojmë lutjen për dhuratën e fesë, shkruar nga Papa Pali VI:

O Zot, unë besoj: unë dua të besoj në Ty.

O Zot, bëj që feja ime të jetë e plotë, pa rezerva, dhe që ajo të depërtojë në mendjen time, në gjykimin tim rreth gjërave hyjnore e njerëzore.

O Zot, bëj që feja ime të jetë e lirë: domethënë që ajo të gëzojë përfshirjen time personale, të pranojë mohimet dhe detyrimet që kërkon dhe të jetë kreshta vendimtare e personalitetit tim: besoj në ty, o Zot.

O Zot, bëj që feja ime të jetë e sigurt; e sigurt falë bashkërenditjes së provave të përjashtme dhe dëshmisë së përbrendshme të Shpirtit të Shenjtë, e sigurt falë dritës së saj, që jep siguri, falë përfundimeve të saj paqëtuese, falë përvetësimit të saj prehës.

O Zot, bëj që feja ime të jetë e fortë! Të mos ketë frikë nga pengesat që qesijn problemet, me të cilët është plot përvoja e jetës sonë të etur për dritë; të mos ketë frikë nga pengesat e atyre që e vë në diskutim, që e kundërshton, e dëbon, e mohon; le të forcohet në vërtetësinë intime të së vërtetës sate, t’i bëjë ballë mundit të kritikës, të kalitet nëpërmjet pohimit të vazhdueshëm, që i kapërcen vështirësitë dialektike dhe shpirtërore, në të cilat shtillet ekzistenca jonë e përkohshme.

O Zot, bëj që feja ime të jetë e hareshme dhe t’i japë paqe e galdim shpirtit tim. Ta bëjë atë të aftë të rrijë me Hyjin në lutje e mes njerëzve si i shuguruar, kështu që të rrezatojë në ligjërimet e shenjta dhe profane lumninë shpirtërore të atij që ka fatin ta zotërojë.

O Zot, Bëj që feja ime të jetë e papërtueshme dhe t’i japë dashurisë arsyet e përhapjes së saj morale, kështu që të jetë miqësi e vërtetë me ty dhe të jetë e ngulitur në ty në vepra, gjatë vuajtjeve, gjatë pritjes së zbulimit përfundimtar, dëshmi e përhershme, ushqimi i përhershëm i shpresës.

O Zot, bëj që feja ime të jetë e përvujtë e të mos pandehë se mund të themelohet mbi përvojën e mendimit tim e të ndjenjës sime, por t’i dorëzohet dëshmisë së Shpirtit të Shenjtë, e të mos kërkojë garanci tjetër më të mirë, përveç dëgjesën ndaj Traditës dhe autoritetit të Mësuesisë së Kishës së shenjtë. Amen

Përmes festës së Krishtit Mbret, Kisha na ofruar vizionin e sovranitetit të Krishtit në gjyqin përfundimtar, pra të mbramë të jetës. Jezusi paraqitet si Mbret e si Bari, që me ardhjen e tij të lavdishme do të gjykojë të gjithë njerëzit. Lënda e gjykimit është sjellja dhe veprat e çdonjërit që ka pasur gjatë jetës së vet tokësore, që duhen të orientohet drejt Zotit e drejt të afërmit tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.