2015-11-20 15:07:00

Atë Lombardi: Françesku në Afrikë si lajmëtar i paqes


Lajmëtar i paqes dhe i pajtimit. Me këtë frymë do të shkojë Papa Françesku në Afrikë, javën e ardhshme. Dje, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u mbajt takimi për paraqitjen e shtegtimit apostolik të Papës në Kenia, Ugandë dhe në Republikën Qendrafrikane. Është shtegtimi i 11-të ndërkombëtar i Françeskut, i pari në Afrikë. Ndërmjet temave të këtij shtegtimi, nënvizuar nga atë Lombardi, paqja, dialogu ndërfetar, dëshmia e martirëve të krishterë.

Kur, më 25 nëntor, avioni papnor do të prekë tokën e Afrikës në aeroportin e Nairobit, do të nisë ky shtegtim i ri i Papës Françesku që, edhe një herë, parapëlqen të takohet me të fundmit, me njerëzit e periferive.

Është ora e Afrikës për Papën Françesku

Afrika tani është protagoniste, siç e nënvizoi edhe atë Lombardi, që, në vijim, kujtoi edhe shtegtimet e papëve të mëparshëm, e posaçërisht, të Gjon Palit II i cili, gjatë papnisë së tij, vizitoi 42 shtete afrikane, duke shkelur, kështu, pothuajse në të gjitha trojet e Kontinentit:

“Papa na pati thënë një herë, nësa takohej me ne gjatë kthimit me avion nga Brazili, se dëshironte të shkonte në Azi e në Afrikë: në Azi shkoi, bëri shtegtimet e mëdha, në të cilat morëm pjesë, duke e ndjekur pas, e tani erdhi edhe ora e Afrikës”.

Kenia, pritje për fjalimin Kombeve të Bashkuara

Në Kenia, kujtoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, është për t’u kujtuar fjalimi që Papa do t’i drejtojë selisë së Agjencive të OKB-së për ambientin e habitatin. Pritet të jetë një fjalim i rëndësishëm, që do të rikujtojë temat e “Laudato si’”. Çast tjetër domethënës do të jetë vizita në “Kangemi”, një nga “slum-et” (lagjet e varfëra) e kryeqytetit kenian. Këtu, tha atë Lombardi, Papa do të mbajë një fjalim, në vazhdimësi të atij, që u pati mbajtur lëvizjeve popullore në Bolivi. Më pas, takimi me të rinjtë e vendit:

“Janë të rinj, që kanë shumë nevojë të inkurajohen, të jenë entuziastë për të shikuar përpara, nësa jetojnë në një situatë, që nuk është aspak e lehtë në këndvështrimin e të jetuarit të dëshmisë së tyre të krishterë e të kërkimit të zhvillimit të përshtatshëm”.

Uganda. Nderim për dëshminë e martirëve

Të premten, më 27 nëntor, Papa do të shkelë në Ugandë, ku çasti kryesor do të jetë ai i Meshës për martirët e vendit, ndjekur nga vizita në Shtëpinë e Bamirësisë të Nalukolongo, drejtuar nga jezuitët. Atë Lombardi kujtoi se në Ugandë punojnë më se 288 institucione shëndetësore, të udhëhequra nga Kisha Katolike. Më pas vuri theksin mbi rëndësinë që kanë martirët, katolikë e anglikanë, për këtë vend, i cili u vizitua për herë të parë nga një papë, më 1969, kur këtu shkeli i Lumi Pali VI:

“Gjatë vizitës në Ugandë, dëshmia e martirëve ugandezë është në qendër të vëmendjes. E dimë edhe sesa rëndësi i jep Papa tematikës së martirëve.  E kemi parë në Kore posaçërisht, e këtu do ta shikojmë në Ugandë”.

Françesku në Qendrafrikë: lajmëtar i paqes dhe i pajtimit

Të diel, më 29, do t’i vijë radha Republikës Qendrafrikane, të plagosur rëndë nga dhuna, së cilës Françesku do t’i dëshmojë afërsinë e tij e do t’i japë një shenjë të fortë paqeje, duke nisur nga vizita në kampin e refugjatëve, në një famulli katolike, ku janë mbledhur më se 2 mijë të shpërngulur:

“E dimë qëllimin, që e shtyn Papën të shkojë në Republikën Qendrafrikane: është pikërisht për t’i treguar afërsinë e tij popullit, i cili vuan  për shkak të konflikteve e të tensioneve, prej këndej, vizita në kampin e refugjatëve është një primum për Papën; e është e para, që do të bëjë, pas takimit me autoritetet”.

Edhe në Qendrafrikë, si në dy vendet e tjera, Françesku do të lëvizë në papamobil të zbuluar, për të pasur kontakt më të drejtpërdrejtë me njerëzit. Posaçërisht domethënës, takimi me bashkësinë myslimane qendrafrikane, në xhaminë qendrore të Bangui. Papa e vlerëson lart përpjekjen e “platformës fetare” në vendin afrikan, ku ndërmjet  protagonistëve, janë kryeipeshkvi i Bangui, imzot Nzapalainga, një pastor ungjillor dhe një hoxhë.

Qendrafrika, asnjë ndryshim në program

Çasti qendror i vizitës në Bangui, është Mesha në katedrale, ku Papa do të hapë Portën Shenjte të Jubileut të Mëshirës. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit pohoi se mesazhi i paqes dhe i pajtimit të shtegtimit në Afrikë, nuk do të modifikohet, por do të përforcohet, pas ngjarjeve tragjike të Parisit. Ripohoi edhe se nuk ndryshon asgjë në programin e vizitës në Qendrafrikë:

“Nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me atë, që e kemi thënë 50 herë, prandaj po e përsëris për të 51-tën herë se Papa dëshiron të shkojë në Afrikën Qendrore, se programi vijon të jetë ai, që ishte, se ne i orientojmë të gjithë në këtë kuptim, se si çdo njeri i urtë, e monitorojmë situatën për të parë çfarë do të ndodhë…. Gjithsesi, në gjendjen aktuale, ne do të vijojmë ta parashikojmë shtegtimin në Qendrafrikë”.

Gjatë këtij shtegtimi, Papa do të shqiptojë gjithsejt 19 fjalime, 14 në italisht, 2 në anglisht, 2 në spanjisht e një në frëngjisht. Atë Lombardi njoftoi se kardinali Pietro Parolin do të jetë me grupin, që e shoqëron Papën në Kenia e në Ugandë, por jo në Qendrafrikë, sepse duhet të përfaqësojë Selinë e Shenjtë në Konferencën mbi klimën, në Paris.








All the contents on this site are copyrighted ©.