2015-11-18 15:22:00

Përfundoi blitz-i policor në Paris: u vranë dy xhihadistë


Blitz i forcave të rendit në Paris, në një strehim të terroristëve, 800 metra larg stadiumit të Francës, njëri nga objektivat e atentatorëve të së premtes mbrëma. Forcat speciale rrethuan për shtatë orë lagjen Saint Denis, në periferi të Parisit, në kërkim të terroristit belg Abdelamid Abbaoud, që konsiderohet truri i sulmeve të 13 nëntorit. Dy xhihadistë u vranë gjatë ndërhyrjes së policisë. Njëri prej tyre ishte grua, që bëri të shpërthente dinamiti, me të cilin e kishte mbushur trupin. U arrestuan shtatë vetë. Duket se Abbaoud nuk është gjetur, pavarësisht se Prokurori i Parisit as e pohoi, as e përgënjeshtroi lajmin.

         Sipas informacioneve të para, komandoja e Saint Denis ishte gati të hynte në aksion edhe një herë, ndoshta, me një goditje edhe më të fuqishme se ajo e 13 nëntorit. Flitet se donin të sulmonin lagjen ekonomike të Parisit, Défense, por lajmi nuk konfirmohet. Tani për tani, qendra e lagjes Saint Denis mbetet e blinduar: disa nga banorët janë evakuar, të tjerë, janë ftuar të rrinë në shtëpi me drita të fikura, të paktën këtë natë. Janë mbyllur shkollat, dyqanet dhe stacionet e metrosë.

         Në Paris, alarmi mbetet në shkallën më të lartë. Qeveria zgjati sot gjendjen e emergjencës edhe për tre muaj të tjerë, ndërsa në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e ndërhyrjet në qendrat e radikalizmit islamik. Deri tani janë kontrolluar mëse 300 vetë, janë sekuestruar armë dhe eksploziv. Ka përfunduar edhe identifikimi i 129 viktimave të atentateve të së premtes.

         Ndërkaq, për të tretën ditë me radhë, avionët francezë bombarduan pozicionet e Isis në Raqqa, në veri të Sirisë. Janë goditur e shkatërruar gjashtë objektiva me rëndësi jetësore për xhihadistët. Në rajon po afrohet edhe aeroplanmbajtësja “Charles De Gaulle”, me 26 avionë luftarakë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.