2015-11-13 18:42:00

Imzot Paglia takohet me familjet e krishtera në Damask


Imzot Vincenzo Paglia përgatitet të takojë familjet e krishtera të Damaskut. Kryetari i Këshillit Papnor për Famijen u nis drej Sirisë, për një mision prej dy ditësh. Të diel, në katedralen melkite, imzot Paglia do të  dorëzojë Ungjillin e Lukës, në variantin arab, që Papa Françesku ua dhuroi familjeve të botës, në Filadelfia. Me të, do të dorëzojë edhe frytet e para  të mbledhjes së fondeve, që nisi në qytetin amerikan në ndihmë të familjeve siriane për të paguar shpenzimet e ngrohjes për dimrin, që po vjen. Ta dëgjojmë prelatin, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Që në Filadefia një familje siriane e mori nga dora e Papës  Ungjillin në arabisht, për t’ua dorëzuar, më pas 5 mijë kopjet tjera familjeve të Damaskut në shenjë miqësie, lidhjeje, angazhimi, që familjet ta ndihmojnë botën të jetë më ndryshe, më solidare. Do të çoj, ndërmjet tjerash, me dëshirën e Papës, një ndihmë të vogël, për t’i mbështetur këto familje gjatë muajve të ftohtë të dimrit, që të mund të blejnë pakëz karburant për ngrohje. Dimri  atje është i tmerrshëm e, si të mos mjaftonte kjo, i shtohet edhe drama e luftës….

Pyetje: - Drama e luftës vijon, ndërsa po afrohen data të rëndësishme për të krishterët: data 8 dhjetor, me fillimin e Jubileut të Mëshirës në mbarë botën, lidhur,  më pas, edhe me kremtimin e Krishtlindjes…

Përgjigje: - Ajo që të bën të mendosh thellë e me zemër të dridhur, është se pikërisht nga Damasku u nis ungjillëzimi drejt Perëndimit: aty gjeti fenë Shën Pali Apostull e që aty u nis drejt Evropës. Në një farë mënyre, ne duhet të ndjejmë mirënjohje e të kuptojmë se i kemi shumë borxhe këtyre trevave. E atëherë urojmë që Viti i Mëshirës të ketë, për këtë popull, kuptimin e kapërcimit të portës së paqes, portës së solidarietit, ose portës së miqësisë së ngushtë ndërmjet të gjithëve. Jam i bindur se është e domosdoshme të kërkosh ta humanizosh këtë konflikt e deri dyndjen, duke gjetur mënyra që në ikje të mos ketë vdekje, të mos ndjehet kjo vetmi e hatashme. Mendoj për idenë e korridoreve humanitare, propozuar nga bashkësia valdeze italiane, që do të krijonin kushte për t’i shoqëruar ata, të cilët i lënë trojet e veta, në mënyrë më të sigurt ose më pak të hidhur. Po ky Vit i Mëshirës nuk mund të mos shoqërohet edhe me shqetësimin për këtë popull. Siria është, në një farë mënyre, mikrokozmos i botës e, duke rikujtuar figurën e përdorur nga Papa mbi luftën me kapituj, do të thosha se Siria është ndoshta, kapitulli i parë i kësaj lufte të tmerrshme. E duke u nisur pikërisht prej saj, besoj, mund të rikthehet shpresa për një botë më paqësore.    








All the contents on this site are copyrighted ©.