2015-11-12 12:52:00

Papa: Eukaristia nuk është çmim për të mirët, por forcë për mëkatarët


“Eukaristia nuk është çmim për të mirët, por forcë për mëkatarët. Është falja, është bohçja e udhëtimit, që na ndihmon të shkojmë përpara, të ecim”. Papa Françesku u dërgoi sot një videomesazh me këto fjalë, pjesëmarrësve të Kongresit Eukaristik Kombëtar, që u hap në Mumbai të Indisë, në praninë e 700 delegatëve nga i gjithë vendi. I dërguar i veçantë i Atit të Shenjtë është kryeipeshkvi metropolit i Kolombos në Sri Lankë, kardinali Malcom Ranjith, i cili hapi punimet me temë “Të ushqyer nga Krishti, për të ushqyer të tjerët”.

         Papa e quan Kongresin “dhuratë e Zotit”, jo vetëm për të krishterët në Indi, “por për të gjithë popullsinë e një vendi kaq të pasur me kultura e përshpirtëri të ndryshme”. Edhe Papa Pali VI, kujton Françesku, në udhëtimin e tij në Indi, në vitin 1964, u tha besimtarëve të feve të tjera jo të krishtera se “Krishti është i dashur për këtë vend, fyrmëzues dashurie dhe vetëmohimi për miliona njerëz, që e njohin dhe e duan”. Që këndej, këshilla e Bergoljos për ta konsideruar Eukaristinë jo si çmim për njerëzit e mirë, por si forcë për më të brishtët, për mëkatarët. Bashkimi me Zotin, nënvizon Papa, na çon drejt solidaritetit me të tjerët.

         “Njerëzit e gjithë botës – thekson Ati i Shenjtë në videomesazh – kanë nevojë për ushqim e jo vetëm për atë, që shuan urinë fizike”. Papa u bën thirrje të gjithë atyre, që ushqehen me Korpin e Gjakun e Krishtit, të mos qëndrojnë indiferentë ndaj vëllezërve dhe motrave, të cilët vuajnë nga uria fizike, por edhe nga mungesa e dashurisë, mungesa e perspektivës së amshimit, mungesa e afërsisë, e kujdesit, e faljes, e mëshirës. “Këto lloje të urisë – vëren Papa – mund të shuhen vetëm me Bukën, që vjen nga lart”. E përsëri thirrja për t’u çuar gëzimin e Ungjillit atyre, që nuk e kanë njohur akoma; për t’u çuar shpresën atyre, që jetojnë në errësirë e dëshpërim. Së fundi, Papa Françesku uron që Kongresi indian të jetë lajmëtar drite për banorët e vendit, lajmëtar gëzimi e lumturie të madhe, rast për të qenë të bashkuar në dashuri.








All the contents on this site are copyrighted ©.