2015-11-11 12:09:00

Papa takon delegacionin e Bosnjë-Hercegovinës kryesuar nga presidenti Çoviç


Para audiencës së përgjithshme, Papa Françesku u takua me presidentin e turnit të Bosnjë-Hercegovinës, Dragan Çoviç, i cili kryeson një delegacion të Komitetit organizativ shtet-Kishë, që punoi për vizitën baritore të Atit të Shenjtë në Sarajevë, më 6 qershorin e kaluar. I pranishëm edhe kryeipeshkvi i Sarajevës, kardinali Vinko Puljiç.

         Duke i falenderuar për vizitën, Papa pohoi se i ruan akoma në zemër gjërat e shumta, të mëdha e të bukura, që mësoi nga njerëzit e këtij vendi, si “aftësia për ta duruar vuajtjen – sepse keni vuajtur shumë, i tha delegacionit – aftësia për të falur, ose së paku për ta kërkuar faljen, aftësia për t’u bashkuar e për të punuar së bashku, aftësia për dialog. Shumë faleminderit – theksoi Ati i Shenjtë – për këto shembuj, që i jepni njerëzimit”.

         Më pas, kërkoi që të pranishmit të përshëndesin krejt popullin e Bosnjë-Hercegovinës, si edhe dy presidentët e tjerë të Presidencës kolegjale të vendit. Vuri në dukje “bashkësitë, që kanë fe të ndryshme, por mblidhen e flasin e dialogojnë për të mirën e vendit”. “Ky – nënvizoi Papa Françesku – është shërbim për të mirën e vendit tuaj. E unë i falenderoj nga zemra që mund të flasin ndërmjet tyre e ta ndihmojnë” vendin të ecë përpara. Ati i Shenjtë u kërkoi anëtarëve të delegacionit të përshëndesin edhe të rinjtë boshnjakë, duke kujtuar pyetjet, që i patën bërë: “Janë premtimi i atdheut!”, theksoi. Së fundi, iu lut Zotit ta bekojë të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës.








All the contents on this site are copyrighted ©.