2015-11-11 18:09:00

Selia e Shenjtë për Unesco-n: "Edukim e respekt ndaj mjedisit


Edukimi ekologjik, etika e dialogut dhe zhvillimi i qëndrueshëm: këto pikat kyçe të diskutimit, mbajtur nga imzot Francesco Follo, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë UNESCO-s, në konferencën e përgjithshme të saj. Në 70-vjetorin e lindjes së Organizatës, Follo nënvizoi vlerësimin e Selisë së Shenjtë për rolin ndërkombëtar të UNESCO-s dhe për angazhimin në favor të paqes, përmes edukimit, kulturës e shkencave, që krijojnë kushte për zhvillimin e përhershëm e të gjithanshëm i cili, nga ana e tij, krijon mundësitë për të banuar mbi Tokë, si në një shtëpi që u përket të gjithëve”.

Në prag të Konferencës së Parisit mbi klimën (më 30 nëntor, deri më 11 dhjetor) imzot Follo kujtoi se UNESCO ka luajtur deri tani një rol vendimtar për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me temat ambientale.  Agjencia e OKB-së, vijoi të shpjegonte imzot Follo, synon t’i ndihmojë njerëzit ta kuptojnë ndikimin e ngrohjes aktuale planetare e t’i familjarizojë, posaçërisht të rinjtë, me temën e mbingrohjes globale, e kjo, sepse kthesat e mëdha mund të realizohen vetëm përmes edukimit.

Në këtë kuptim, “Planeti Tokë është dhuratë e edhe detyrë për ne të gjithë”; duhet, prandaj, të punojmë për të e t’i pranojmë përgjegjësitë ndaj saj, me vetëdijen se mënyrat me të cilat njeriu e trajton ambientin, ndikojnë fuqimisht edhe mbi mënyrën si e trajton vetveten, e anasjelltas”. Në vazhdimësinë e breznive, secili ka detyra ndaj atyre, që do të vijnë më pas, e detyra e parë është t’u lihet trashëgim një jetë njerëzore, mbi Tokën e njerëzve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.