2015-11-04 14:53:00

Françesku: falja në familje e bën shoqërinë më pak të pashpirt


“Nëse mësohet falja reciproke në familje, nëse kërkohet ndjesë para se të jetë tepër vonë, kjo e bën më të qëndrueshme vetë familjen e më pak të pashpirt mbarë shoqërinë”. Është mësimi i Papës gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Jubileu i ardhshëm, uroi në përfundim Françesku, i mësoftë gjithnjë më shumë familjet të ndërtojnë udhë konkrete pajtimi.

Shoqëri që janë shkretëtira tejet të shtrira dashaligësie, vizione negative, që nuk shpëtojnë asgjë e askënd e që gjithnjë më shpesh çojnë në urrejtje  pak a shumë të deklaruara: shoqëri, të cilat Françesku nuk ngurron t’i quajë krejt pa shpirt. E në mes të gjithë kësaj shkretëtire, oazat e atyre familjeve që, duke dhënë mësimin e faljes në gjirin e vet, e eksportojnë si ilaç  jashtë mureve të tyre, duke e përmirësuar edhe jetën e të tjerëve.

Palestra të mëdha të faljes

Familje të tilla, i shpjegoi Papa turmës së pranishme në audiencën e përgjithshme, e vënë në jetë shprehjen “na i fal mëkatet tona” të Atynës. Janë një palestër e madhe stërvitjeje për dhuratën e faljes reciproke, pa të cilën, siguroi Papa, asnjë dashuri nuk mund të ketë jetë të gjatë:

“Nuk mund të jetohet, pa e falur njëri-tjetrin, ose nuk mund të jetohet mirë, posaçërisht në familje. Çdo ditë i bëjmë paudhësi njëri-tjetrit. Duhet t’i  llogarisim mirë këto gabime, pasojë e brishtësisë dhe egoizmit tonë. Çka na kërkohet, është t’i shërojmë menjëherë plagët që hapim, t’i rilidhim fijet, që këpusim në familje. Nëse presim gjatë, gjithçka bëhet më e vështirë”.

Sekret “i thjeshtë”: të kërkojmë menjëherë falje

Nuk është dije e vështirë, nuk është i zorshëm ‘sekreti’ i ndjesës, thotë Françesku, sepse bazohet mbi një fjalë të thjeshtë, me pesë shkronja, që nënat, baballarët, bijtë, gjyshërit mund të mësohen ta shkëmbejnë në çastin e duhur: “më fal!”:

“Nëse mësohemi të kërkojmë falje menjëherë, në se e falim menjëherë njëri-tjetrin, plagët shërohen, martesa fuqizohet e familja bëhet strehë gjithnjë më e fortë, që nuk tundet nga ligësitë e vogla e as të mëdha. E për këtë nuk është nevoja për shumë fjalë: mjafton një ledhatim, e gjithçka përfundon, për të rifilluar. Po mos e përfundoni kurrë ditën në gjendje lufte! Kuptuat!”.

Falje kudo e kurdoherë

Bukuria e dobia e nxënies për të kërkuar falje në familje, nënvizoi Françesku, është se të shtyn ta kërkosh këtë edhe jashtë saj, kudo që ndodhesh. Papa e kupton skepticizmin e atyre (mund të jenë edhe të krishterë), që e shikojnë faljen si teprim, si fjalë të bukur, gjithsesi, aspak të lehtë për t’u vënë në jetë. Por, faleminderës Zotit, nuk është kështu, vërejti Ati i Shenjtë, sepse pikërisht falë hirit të faljes së Zotit edhe ne bëhemi të aftë t’i falim të tjerët:

“Bën pjesë në thirrjen e në misionin e familjes aftësia për ta falur tjetrin e edhe për t’u falur. Praktika e faljes jo vetëm që e shpëton familjen nga përçarja, por e bën të aftë të ndihmojë edhe shoqërinë për të qenë më pak e keqe e më pak e pashpirt. Po, çdo gjest ndjese i meremeton plasat që ka marrë shtëpia e i forcon muret e saj”.

Familja e Jubileu

Familja ishte tema e Sinodit, që sapo përfundoi. Françesku shpjegoi se dëshiron të botohet teksti, që të gjithë ta shikojnë veten si pjesëmarrës në punën e viteve të fundit, edhe pse lidhur me përfundimet shtoi, duhet të meditoj unë vetë. Por edhe tema jubilare nuk mungoi e shikimi i Papës u drejtua nga Viti Shenjt, shoqëruar me një urim e një lutje, drejtuar atyre familjeve, feja e falja e të cilave mund të ndihmojë të rritet edhe familja e madhe e Kishës:

“Me të vërtetë familjet e krishtera mund të bëjnë shumë për shoqërinë e sotme e edhe për Kishën. Prandaj dëshiroj që gjatë Jubileut të Mëshirës  familjet të rizbulojnë thesarin e ndjesës reciproke. Të lutemi që familjet të jenë gjithnjë më të afta të jetojnë e të ndërtojnë udhë konkrete pajtimi, në të cilat askush nuk ndjehet i braktisur e i shtypur nën barrën e mëkateve të veta”.

Solidaritet me të krishterët e vuajtur në Lindjen e Mesme e në botë, këtë kërkoi Papa në përfundim të audiencës, gjatë përshëndetjeve drejtuar grupeve të shumta, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.