2015-10-28 17:47:00

Të divorcuarit e rimartuar: kritere për shqyrtim, jo vendime të përgjithshme


Para se të hapej Sinodi kushtuar familjes, në rend të ditës  ishte pyetja: “Çfarë problemesh e propozimesh do t’i dorëzojë Papës Françesku?”. Tashmë këto probleme e propozime njihen nga të gjithë. Pa dyshim që lajmi më i rëndësishëm i ditëve të fundit të Sinodit, ishte unanimiteti i Rrethit Germanicus, i vetmi nga të 13 Rrethet, ku flitej gjermanisht. Shumëkush do të kishte dëshiruar që aty të ishte e pranishme një telekamër, për t’i inkuadruar teologë si Walter Kasper, Christoph Shönborn e Gerhard Ludwig Müller gjatë diskutimit me njëri-tjetrin, nësa citonin këtë apo atë tekst të Shën Tomës si dhe interpretimin e tij. Në dokumentin e Rrethit gjerman lexohet “Aksioma ‘çdo kontratë martesore ndërmjet të krishterëve është në vetvete Sakrament” duhet rishikuar. Në shoqëritë e krishtera, që nuk janë më homogjene, ose në vendet me kultura e fe të ndryshme nuk mund të hamendësohet që njerëzit ta kuptojnë krishterisht martesën, madje as atë ndërmjet katolikëve. E, përsa i përket  mundësisë për t’i ripranuar të divorcuarit e rimartuar, etërit sinodalë të gjuhës gjermane pohuan se nuk ekzistojnë rrugëzgjidhje të përgjithshme  e përgjithësuese, por duhet vijuar ecja në rrugën e shqyrtimit, shoshitjes, treguar nga nga Gjon Pali II, duke vlerësuar, mbi bazën e disa kritereve objektive, situatat e bashkimeve sakramentore e të bashkimit të ri, por edhe duke i siguruar hapësirën e duhur “ndërgjegjes”, jetës intime,  për të cilën mund të flitet me rrëfyesin ose me atin shpirtëror.

Vatican Insider intervistoi kardinalin Christoph Shönborn, moderator i rrethit Germanicus:

Shumëkush u çudit nga uniteti i kardinajve, posaçërisht i kardinajve teologë gjermanë, nga Kasper, tek Müller. Çfarë ndodhi?

Të gjitha nenet dhe modifikimet e tekstit përfundimtar te Sinodit, që propozuam, u votuan njëzëri. Element i rëndësishëm ishte ai i shfrytëzimit të kohës, që kishim në dispozicion. Fituam shumë nga metodologjia e re e punimeve sinodale: 40 orë diskutimesh, në 13 Rrethet e vogla, i krijuan të gjitha mundësitë për t’u thelluar në rrahjen e problemeve. Patëm kohë t’i shqyrtojmë me fund disa pika. Për shembull, tekstin mbi fenë dhe mbi paktin martesor e, sipas meje, u bë e mundur të arrihej në një sintezë të bukur teologjike, sepse aty, ndërmjet kardinajve, ishin teologë të mirë. Edhe teksti për shoqërimin e të divorcuarve të rimartuar ishte vërtet fryt i një reflektimi të përbashkët. Si pikënisje morëm tekstin e enciklikës “Familiaris consortio” cituar edhe nga Katekizmi i Kishës Katolike, që ka qenë në bazë të të gjitha diskutimeve mbi temën, gjatë tridhjetë viteve të fundit. Në këtë tekst të Papa Shën Gjon Palit II shkruhet shprehimisht: “Barinjtë e kanë për detyrë, për dashuri ndaj së vërtetës, t’i shqyrtojnë, t'i shoshisin e t’i dallojnë situatat”.

Propozimi juaj, atëherë, është thellimi i studimit të enciklikës “Familiaris consortio”?

U shpreh dëshira e u bë edhe propozimi për thellimin dhe vijimin e “Familiaris consortio”, ngaqë edhe vetë  Gjon Pali II pati thënë se është e nevojshme të arsyetohet, të shqyrtohet, të dallohet, por nuk  e pati thënë atë, që vjen pas shqyrtimit. U përpoqëm të tregojmë disa kritere për këtë shoshitje nga ana e barinjve. Kritere shumë konkrete. Për shembull, të vlerësohet si sillen të divorcuarit e rimartuar me fëmijët e lindur nga bashkimi i parë e edhe me bashkëshortin e braktisur; çfarë ndikimi ka rruga që zgjodhën mbi tërësinë e familjeve e cila është dëshmia ose ndoshta shkandulli, që japin në gjirin e bashkësisë së krishterë. E pastaj folëm edhe për kriterin, ndoshta më të thellë, atë të shoshitjes së ndërgjegjes së secilit. Gjithë kjo u realizua duke parë situatën objektive e me vëmendje të përqendruar pikërisht tek gjykimi mbi situatat konkrete. Në këtë mënyrë mund të nisë kthesa, mund të hyhet në udhën e pendesës – sepse shpesh duhet edhe një aspekt pendese – për të arritur, më në fund, tek fjala e Shën Palit  drejtuar të gjithëve, e jo vetëm të divorcuarve të rimartuar: “Secili ta rrëmojë ndërgjegjen e vet, para se të afrohet tek sofra e Zotit”.

Në “Familiaris consortio” rruga  e vetme për marrjen e Sakramenteve është të jetosh “si vëlla e motër”, domethënë t’i shmangësh marrëdhëniet seksuale në rastin e bashkimit të dytë. A duhet ta konsiderojmë këtë aspekt të tejkaluar në propozimin tuaj?

Në tekstin tonë nuk është cekur e as thënë. Nuk mendojmë se është rruga e vetme. “Familiaris consortio” flet për kërkesën e shoshitjes. Ndoshta theksi i ri, i vënë në dokumentin tonë, është “ndërgjegjja”, që i përket edhe traditës klasike. Në të dytin nga tre dokumentet, që hartoi Rrethi i gjuhës gjermane duke diskutuar tri pjesët e “Instrumentum laboris” të Sinodit, cituam tekstet e Shën Tomës, të cilat janë bërthama e kalimit nga “ratio” spekulative doktrinore”, tek “ratio” praktike, përmes ushtrimit të virtytit të maturisë: sa më shumë zbret në hollësi, aq më shumë ndjehet nevoja e shoshitjes së diktuar nga arsyeja.

Domethënë se, ndonëse përballë gjendjes së parregullt të “bashkimit të dytë”, i cili nuk mund të jetë sakramentor, kjo në vetvete, nuk është gjendje mëkati?

Është interesant të vërehet sesi mësimi i Kishës nuk flet më në vija të përgjithshme për mëkat të rëndë në këto raste. Në fillim është mëkati i rëndë i thyerjes së kurorës e shpesh ky është rasti, nëse ekziston lidhja martesore sakramentore e vlefshme. Po nëse, me kalimin e kohës krijohet një situatë, që ka edhe kërkesa objektive, për shembull lidhur me fëmijët e lindur nga bashkimi i ri? A mund të thuhet se janë të paligjshëm, duke pasur nënën e babain? Natyrisht mbetet konflikti ndërmjet kushtit sakramentor – nëse martesa ishte e vlefshme – e bashkimit të ri. Por nuk mund të pohohet thjesht se e gjithë situata është nën mëkat të rëndë, sepse të nderosh realitetin e ri dhe gjendjet e reja objektive, është edhe kërkesë drejtësie. Prandaj duhet shoshitja, që të krijojë kushtet për t’i shikuar mirë realitetet dhe njerëzit e ndryshëm.

Që në “Familaris consortio” kujtohet rasti i bashkëshortit të braktisur…

Rasti klasik është ai i gruas me fëmijë, braktisur nga i shoqi. Ajo duhet të mbijetojë nëse gjen një burrë të gatshëm për ta pranuar me gjithë fëmijë: nuk mund të flitet thjesht për thyerje kurore për shkak të bashkimit të dytë. Kemi edhe një frymë bujarie e virtyti në këtë realitet, ndonëse nuk është sakramentor. E këtu është e nevojshme t’u besojmë fjalëve të Shën Tomës, sepse jetuam, në Sinod, një konflikt të vogël ndërmjet një agostiniani radikal e një tomisti klasik. Agostini, në “Civitas Dei” jep idenë se çdo akt i paganëve është ves e se në ta nuk ka virtyt. Po Shën Toma e hedh poshtë me forcë këtë qëndrim, e edhe Etërit e Kishës, si Shën Klementi i Aleksandrisë dhe Shën Massimo Rrëfyesi folën për virtytet e paganëve. Vetë Bibla e bën këtë me Jobin, që ishte pagan… Shën Toma shpjegon: “Edhe pse paganizmi është idhujtari, paganët mund të kryejnë vepra vërtet virtuoze”.

Mund të themi, atëhere, se udha e shoshitjes nga ana e rrëfyesit dhe e ipeshkvinjve ka parasysh ndryshimet ndërmjet historive personale. Është kështu?

Jezusi prekej thellë përballë vuajtjeve njerëzore, e lexojmë në Ungjijtë. E sot Jezusi përqafon, e në këtë përqafim mëshire, njeriu ndjen se Zoti e do, e atëherë e pranon mëkatin e vet. Me katekizmat e vitit të kaluar, Papa Françesku na dha një mësim të mirë e të bukur, aq të bukur, sa s’mund t’i mbash lotët, sepse e ndjen gjithë afërsinë, e ndjen vështrimin e bariut, që nuk e shikon me sy të akullt realitetin, siç do ta shikonte një shkencëtar apo një ideolog: është me të vërtetë shkolla e bariut.

Kjo mënyrë e kapjes së problemit, sipas jush, u mbështet nga  shumica në Sinod?

Këtë  e tregon Dokumenti përfundimtar e mënyra si e priti asambleja. Më prekën thellë fjalët e kardinalit Fox Napier i cili, në një intervistë, tregoi sesi e ndjeu këtë Sinod. E ndjeu si udhë e vërtetë e bërë së bashku. Patëm kohë për të reflektuar, për t’u njohur, për të shkëmbyer këndvështrimet tona. Sinodi u bë përvojë jete, plot vëmendje për njëri-tjetrin. Ballafaqimet ishin më pak të ashpra. Vendin e tyre e zuri vëmendja, përpjekja për të dëgjuar jo vetëm fjalën, por edhe zemrën e tjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.