2015-10-23 14:16:00

Lutje e të rinjve të krishterë palestinezë për paqen në Jeruzalem


Takimi është fiksuar për orën 18.00 të së shtunës, 24 tetor, në prag të festës së Zojës së Palestinës. Para shkallëzimit të dhunës, që po martirizon sërish Tokën e Jezusit, në të gjitha famullitë katolike, jo vetëm të Palestinës, por edhe të Izraelit e të Jordanisë, të rinjtë e Tokës Shenjte do të mblidhen në lutje, për t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes.

Nisma, siç njofton agjencia Fides, është ndërmarrë nga Rinia e krishterë e Palestinës. “Të rinjtë duan të luten për paqen në gjithë Lindjen e Mesme, por sidomos në Jeruzalem, i cili, në këto ditë, është kthyer sërish në teatër gjakderdhjeje, dhune dhe vdekjeje”, shpjegon kapelani i organizatës, atë Bashar Fawadleh. Në mbrëmjen e lutjes mund të shkojë kushdo, jo vetëm të krishterët. “Mund të vijnë edhe të rinjtë myslimanë e hebrenj. Do t’i kërkojmë sëbashku Zotit të gjithpushtetshëm e të mëshirshëm të prekë zemrat e njerëzve dhe t’i lirojë nga urrejtja, nga frika e nga etja për hakmarrje”, shton meshtari.

Njëlloj e hapur për të gjithë është ngjarja tjetër tradicionale, që këtë vit merr kuptim të veçantë, në atmosferën e tensionit e të dhunës, që po turbullon jetën e përditshme të Qytetit të Shenjtë. Fretërit françeskanë, rojtarë të Kopshtit të Gjetsemanit, ku Jezusi u lut në natën e së Enjtes së Madhe, kanë ftuar banorët e Jeruzalemit dhe vullnetarët e ardhur nga e gjithë bota të marrin pjesë në mbledhjen e ullinjve, nga të cilët, në abacinë e Latrunit, do të prodhohet vaji shenjt, që do të përdoret në famullitë e bashkësitë fetare të Tokës Shenjte. Sipas njoftimit të Rojtarisë françeskane dhe të Patriarkatit latin të Jeruzalemit, këtë vit, marrin pjesë njerëz të ardhur nga 15 vende të ndryshme të globit.








All the contents on this site are copyrighted ©.