Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Kardinali Tagle: t’i shikojmë familjet me syrin e Samaritanit të Mirë

Kardinali indian Tagle

21/10/2015 11:32

Sinodi kushtuar familjes, Jubileu i Mëshirës, gjendja e refugjatëve, që kërkojnë një ardhmëri më të mirë në Evropë, janë temat e forta të një interviste, dhënë Radio Vatikanit nga kardinali Tagle, kryetar i Caritas Internationalis dhe kryetar-delegat i Sinodit. Në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Manilës niset nga përvoja e vizitës që bëri këto ditë në kampin e  refugjatëve të Idomenit, ndërmjet Greqisë e Maqedonisë:

Përgjigje: - Falënderoj Caritas Internationalis dhe Karitasin Ellas të Greqisë që më krijuan mundësinë të shkoj në këtë kufi. Shkova si kryetar i Caritas Internationalis, e jo shprehimisht si atë sinodal. Megjithatë, në kampin kalimtar për refugjatët pashë kryesisht gjendjen e familjeve: ç’vuajtje, ç’ mjerim në këto kampe… Njerëzit nuk kanë gjë prej gjëje, veç gjësë më të çmuar: familjes. Fëmijët, të rinjtë. E pra në gjithë këtë mjerim të  kampit, në këtë mjerim e vuajtje, gjeta shumë, shumë dashuri. Pashë të rinj të lodhur e të këputur, që donin të flinin e, duke mos pasur asnjë mbështetje tjetër, gjenin ngushëllim duke mbështetur ëmbëlsisht kokën mbi supet e nënave e të baballarëve.

Pyetje: - Mjetet e komunikimit i kushtojnë shpesh vëmendje “familjeve të plagosura”. Ju po na flisni për një situatë shumë më të  gjerë…

Përgjigje: - Ne nuk duhet ta harrojmë asnjë plagë, që mund t’u jetë hapur familjeve, për shembull, plagën e divorcit, të ndarjeve, të konflikteve me natyra të tjera, të cilat nuk mungojnë. Por duhet pasur parasysh se ne, etërit sinodalë, posaçërisht nga Bota e Tretë, nga Lindja e Mesme, nga Afrika, Azia e edhe nga Evropa, jemi të vetëdijshëm se familja, në çdo shoqëri, është një mikrokozëm situatash shoqërore, kulturore dhe ekonomike. Etërit sinodalë, ardhur nga anët tona, nga Filipinet, nga Azia e Afrika, flasin gjithnjë për këto plagë.

Pyetje: - Papa Françesku, kur u drejtohet ipeshkvijve, barinjve, shpesh u kërkon t’i hyjnë në shpirt popullit, ta kuptojnë grigjën, u kërkon të gëzohen e të vuajnë bashkë me të. Si mund të jetohet kjo, në ndihmë të familjes? Ç’gjë ka më rëndësi në këtë drejtim?

Përgjigje: - Ka rëndësi takimi personal. Por duhet pasur parasysh se takim personal nuk do të thotë thjesht prani fizike. Do të thotë kryesisht ta shikosh njeriun me sytë e  Samaritanit të Mirë, me sytë e Jezusit bari. Janë sy vëllai, që ndan me ty gëzime e vuajtje, ëndrra e zhgënjime. Siç ka thënë Shën Pali: “Bëhet gjithçka, për gjithkënd!”. Kur grigja është plot gëzim, zemra e bariut me empati, me dhimbsuri, vihet në vendin e saj, di të gëzojë bashkë me të. Por duhet treguar vëmendje edhe për plagët, për t’u çuar të plagosurve praninë e Zotit. E kjo, sepse Zoti i do të gjithë, jo vetëm ata, që janë të denjë: por, kush është i denjë për dashuirnë e Zotit? Ky,  syri me të cilin shikon Samaritani i Mirë, sy baritor.

Pyetje: - Viti i mëshirës po fillon e edhe Papa na kujton këto ditë se rrezet e para të dritës së tij tashmë duken në horizont, duke nisur me Sinodin. Por ndonjëri, të paktën nga brenda, percepton një farë kontrasti ndërmjet mëshirës e së vërtetës…

Përgjigje: - Mëshira, drejtësia, dhimbsuria janë të bashkuara në Zotin. Por njerëzit, krijesa të vdekshme, me mendje të paaftë për t’i parë të gjitha bashkë, nuk mund t’i kuptojnë shumë gjëra e ne, për t’i sqaruar, bëjmë një farë dallimi, por duhet pasur kujdes, sepse në Zotin e në sytë e fesë, mëshira e drejtësia nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Për mua, si bari, si besimtar, si njeri që ka mëshirë – edhe unë kam nevojë për mëshirën e Zotit, e jo vetëm të Zotit, por edhe të shumë e shumë njerëzve - për mua, lutja “O Zot, ki mëshirë!”, është edhe britma “O Zot,  drejtësinë tënde kërkoj!”. Vetëm në Zotin e mëshirshëm mund të gjindet drejtësia e vërtetë.

Pyetje: - Ndoshta, pas fjalës “familja” një nga më të përsëriturat në këtë sinod, është fjala “klimë”: klimë pozitive, klimë ndeshjeje, klimë e sinqertë. Ju, që keni marrë pjesë edhe në sinode të tjera, ç’klimë po jetoni?

Përgjigje: - Ky është sinodi im i gjashtë. Është normale që në çdo sinod të ketë kontribute të ndryshme, sepse pjesëmarrësit vijnë nga mjedise të ndryshme, me larmi kulturash, traditash, gjuhësh… Kjo nuk na shqetëson fare. Shqetësuese është diçka tjetër. Duhet vërejtur me vëmendje nëse kjo larmi përdoret si shkak përçarjesh, apo si pasuri, si mundësi për  një horizont më të gjerë në kuptimin e doktrinës, traditës, fjalëve të Jezusit në rrethanat e ndryshme të jetës njerëzore.

Pyetje: - Kur të riktheheni në tokat tuaja, në Filipinet tuaja, cila është gjëja më e rëndësishme që mendoni se do të çoni nga ky sinod kushtuar familjes? Duke parë, pastaj, edhe familjet e dioqezës suaj, të grigjës suaj të Manilës?

Përgjigje: - Tek ne varfëria, mungesa e vendeve të punës, janë sfidë e përhershme për familjen e për Kishën: si mund ta mbrojmë jetën familjare në rrethana të vështira, kur forcat e jashtme i hapin vazhdimisht plagë? Kjo baritori për të ruajtur besimin në mes të varfërisë e vuajtjes, mund të quhet “baritoria e shpresës”. E unë mendoj se pikërisht familjet e varfra mund të na mësojnë si të jetojmë me shpresë. Ato kanë aftësi të kremtojnë çdo gjë të mirë – gjëra të vogla – sepse shikojnë Hirin, shikojnë shpresën. E edhe ne na mësojnë ta jetojmë shpresën. Janë, pastaj, plot me frymë falënderimi. Ndërsa ne shpesh, edhe në situata të zakonshme, shikojmë probleme, probleme, probleme… E na mungon gëzimi. Gëzimi merr arratinë! Të varfrit janë misionarët e vërtetë të gëzimit në familje!

21/10/2015 11:32