2015-10-19 14:53:00

Atë Spadaro: në Sinod janë në lojë marrëdhëniet e Kishës me botën


Filloi sot java e fundit e punimeve në Sinodin për familjen. Të dielën, më 25 tetor, Papa Françesku do të kremtojë meshën e mbylljes në Bazilikën e Shën Pjetrit. Gjatë këtyre ditëve do të diskutohet përmbajtja e dokumentit përfundimtar, i cili do të votohet të shtunën, më 24 tetor. Relacioni do të përmbledhë tri javët e punimeve të Sinodit. Ai do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë, të cilit i takon të vendosë nëse do të botohet. Në Sinod merr pjesë edhe drejtori i revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), atë Antonio Spadaro. Në mikrofonin tonë, ai thekson se Kisha po përjeton një proces me përmasa të mëdha, në të cilin janë në lojë marrëdhëniet e saj me botën. Ta dëgjojmë…

         [Sinodi] më jep përshtypjen e një korpi të gjallë, që po reflekton realisht; pra, konfrontohet me probleme, gjuhë dhe mënyra shumë të ndryshme për ta përballuar realitetin. Duke hyrë në Sallën e Sinodit shihet qartë se kemi përpara gjithë botën: barinj, që vijnë nga çdo anë e Tokës e sjellin sfidat e gjuhën e popullit të tyre. Nganjëherë, kjo sjell konflikte: çështje tepër të nxehta përballohen në mënyra të ndryshme nga vende të ndryshme. Pra, përjetojmë një çast, në të cilin konfrontimi është i vërtetë, real, e shtron për zgjidhje çështjen e gjuhës: si t’i përballojmë sipas Ungjillit sfidat, që kanë përpara vende të ndryshme të kësaj bote.

         Pra, kemi të bëjmë me një punë, që të detyron t’i shqyrtosh mirë rastet, më në thellësi, duke pasur parasysh njëmijë ndërlikime…

         Këtë po përjetojmë! Po jetojmë një proces shqyrtimi e shoshitjeje, ashtu siç na këshillon Papa. Kjo do të thotë se përjetojmë gëzimin e qëndrimit së bashku, flasim, diskutojmë, por edhe ndjejmë të gjitha tensionet tipike e madje, edhe tundimet, që sjell me vete shoshitja e vërtetë e punëve. Prandaj, është çast shumë delikat, në të cilin kuptohet se janë në lojë marrëdhëniet e Kishës me botën. Vërtet, kjo shihet këtu në Sinod: pra, si duhet t’i jetojë Kisha marrëdhëniet e saj me realitetin e sotëm, i cili ka në vetvete sfida të mëdha, ndryshime të mëdha, por – e përsëris – është i ndryshëm në vende të ndryshme të Tokës. Është përvojë e madhe kjo!

         Duke kujtuar temat e Koncilit II të Vatikanit, mund të themi se Kisha është e thirrur sot ta shndrisë realitetin, por edhe ta dëgjojë botën…

         Nuk mund të ndriçohet realiteti, pa dëgjuar më parë. Njeriu nuk është i huaj për predikimin e Ungjillit: Ungjilli nuk është doktrinë abstrakte, që i godet si me gur njerëzit, nga jashtë. Duhet të mishërohet në jetë, në përvojën e përditshme, e cila, nganjëherë, është plot konflikte e nganjëherë, e qetë. Prandaj, kjo përmasë e lidhjes me realitetin, me përvojën reale, është themelore. Ungjilli duhet të shndrisë jetë konkrete.

         Në Grupet e vogla është nënvizuar se marrëdhëniet e këtij Sinodi me Jubileun e Mëshirës janë të rëndësishme. Por cilat janë këto marrëdhënie?

         Kjo temë doli nga grupet… Në të vërtetë, vetë Papa e ka përmendur këtë lidhje të fortë: e pati bërë këtë qartas më 6 korrik, në homelinë e tij në Guayaquil, gjatë udhëtimit apostolik në Ekuador. Në fund të fundit, ne po përjetojmë jo vetëm një Sinod, që është proces sinodal, filluar në vitin 2013 me pyetësorin e famshëm; pastaj përfundoi etapa e parë e tani po jetojmë etapën e dytë sinodale… E gjithë kjo do të çojë drejt Jubileut të Mëshirës e nuk do të ndalet me të. Duhet ta kuptojmë se po jetojmë një proces kishtar me përmasa të mëdha. Prandaj, nuk duhet të habitemi nëse ka çaste lodhjeje, bllokimi, vështirësie, tensioni… Jemi edhe të gëzuar që po e ndërtojmë së bashku historinë.

         Përsa i përket baritorisë familjare, ndokush nënvizon edhe se duhet rigjetur ndjenja e mëkatit. Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet mëkatit e mëshirës?

         Kumtimi i Ungjillit, pra kumti se Zoti vdiq për ne, vdiq për mua, nuk është kumtim i mëkatit. Duhet ta kuptojmë mirë realitetin e shpalljes së Ungjillit. Kumti i Ungjillit është kumt i mëshirës: unë e shoh dhe e kuptoj mëkatin tim, në dritën e mëshirës e të faljes së Zotit, sepse ka rrezik të biem në një lloj ndjenje faji të tepruar. Në atë rast, nuk e perceptojmë Zotin e mëshirshëm dhe ndjenja e mëkatit mbetet vetëm ndjenjë faji, shpesh, e kotë.

         Mëshira dhe e vërteta: edhe në këtë Sinod, ashtu si në atë të jashtëzakonshmin, vitin e kaluar, këto dy kategori vihen ballë për ballë. Megjithatë, në Grupet e vogla u nënvizua se nuk janë në kundërshti me njëra-tjetrën…

         Jo vetëm nuk janë në kundërshti, por mëshira është e vërteta e Ungjillit. Prandaj, çdo kundërvënie ndërmjet doktrinës dhe baritorisë, ndërmjet mëshirës dhe të vërtetës, nuk ka asnjë kuptim. Doktrina e Ungjillit, pra, mësimet e Zotit, janë mësime të mëshirës. Prej këndej rrjedh gjithçka.








All the contents on this site are copyrighted ©.