2015-10-14 14:57:00

Grupet e vogla: Ungjilli i familjes, zemër e Sinodit


Në Kongregacionin e tetë të përgjithshëm të Sinodit për Familjen në Vatikan u paraqitën sot relacionet e 13 Grupeve apo Rretheve të vogla, që kanë të bëjnë me pjesën e dytë të dokumentit bazë “Instrumentum Laboris”, me titull “Shqyrtimi i thirrjes familjare”.

Ungjilli i familjes, zemër e Sinodit

“Zemër” e krejt Sinodit: kështu e kanë quajtur Grupet e vogla pjesën e dytë të këtij dokumenti, në të cilin përmblidhet gjithë Ungjilli i familjes dhe mësimet e Kishës për martesën. Prandaj, 13 relacionet nënvizojnë nevojën për t’i dhënë më tepër rëndësi këtij seksioni, duke riorganizuar paragrafet e duke përdorur një gjuhë të qartë, jo me dy kuptime, por të drejtpërdrejtë, tërheqëse dhe plot shpresë.

Bibla, busull për njeriun bashkohor

Shumë grupe kërkojnë që në tekst të citohet më shpesh Bibla përsa u përket martesës dhe familjes, duke e paraqitur jo me fraza dogmatike, por si shembull të Fjalës së Zotit jetuar në histori, “busull” për njeriun bashkohor.

Të inkurajohen të rinjtë drejt martesës

Pika tjetër themelore e relacioneve ka të bëjë me të rinjtë. Nga shumë vetë vërehet qasja e tyre plot frikë e mosbesim ndaj Sakramentit të martesës dhe impenjimit për gjithë jetën. Është çështje e ndërlikuar, që duhet thelluar më tej, sepse nuk mund t’u thuhet të rinjve, thjesht, nuk kanë guxim, kur – për shembull – dëshmitë e shumta të vullnetariatit tregojnë të kundërtën. Duhen vlerësuar kushtet kulturore dhe ekonomike, që ndikojnë në jetën e sotme të të rinjve.

Lidhja bashkëshortore është bukuri konkrete, jo ideal abstrakt

Etërit sinodalë këshillojnë të paraqitet martesa sakramentore në bukurinë e saj të vërtetë e konkrete e jo si ideal abstrakt, i vështirë për t’u arritur. Pazgjidhshmëria e martesës nuk është peshë e rëndë për t’u mbajtur, por dhuratë e Zotit, që i jep mundësinë çiftit ta jetojë atë si vend ku duket Hiri Hyjnor, si pakt dashurie për gjithë jetën. Grupet e vogla shprehin nevojën për ta nxjerrë më tepër në pah lidhjen ekzistuese ndërmjet thirrjes së familjes për bashkim e dashuri dhe jetës së shuguruar, duke pasur parasysh edhe Vitin e veçantë kushtuar kësaj jete, vit, që akoma nuk ka përfunduar.

Lidhja ndërmjet Sinodit dhe Jubileut të Mëshirës

Në dokumentet e Rretheve të ndryshme vihet në dukje edhe tema e pedagogjisë hyjnore dhe bëhet ftesa për ta shpjeguar më mirë, në mënyrë që vërtet t’i shoqërojë çiftet e familjet përgjatë udhës së jetës. Relacione të tjera përmendin lidhjen ndërmjet punimeve sinodale dhe Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, shpallur nga Papa Françesku. Pra, nëse nga njëra anë, theksohet sërish doktrina për martesën, nga ana tjetër, këshillohet një baritori, që t’u qëndrojë afër familjeve në vështirësi, sepse mëshira e Zotit është për të gjithë e përgjithmonë.

Të nxiten familjet të marrin pjesë në meshë

Relacione të veçanta paraqesin propozime për të shtuar në dokumentin përfundimtar një reflektim mbi celibatin, ose për ta zgjeruar analizën mbi lidhjen ndërmjet familjes dhe ungjillëzimit, duke pasur parasysh se shpesh, prindërit janë katekistët e parë të fëmijëve. Ide të tjera kanë të bëjnë me promovimin e “Lectio divina” dhe të formave të caktuara të përshpirtërisë, si Rruzarja apo pjesëmarrja në meshën e së dielës, që e forcojnë jetën familjare.

Vëmendje për gratë e abuzuara në familje

Rrethe të tjera të vogla të Sinodit propozojnë thellimin e reflektimeve për fëmijët, sidomos në kuadrin e familjeve problematike. Gjithashtu, sugjerohet vëmendje ndaj gruas, për të vlerësuar rolin e saj në Kishë, por edhe për të përballuar dramën e abuzimeve ndaj saj brenda familjes.

Të përkrahen më shumë shkollat katolike

Më pas, duke kujtuar Motu Proprio-n e Papës Françesku “Mitis Iudex”, që reformon procesin e shpalljes së pavlefshmërisë së martesës, kërkohet një shpjegim më i mirë arsyeve, që çojnë drejt këtij vendimi, duke e parë gjendjen familjare me më shumë realizëm. Nuk mjafton, nënvizojnë disa prej Grupeve, t’i inkurajojmë familjet të rrinë së bashku, por duhet shpjeguar e motivuar qartë doktrina e Kishës në këtë fushë. Së fundi, etërit sinodalë sugjerojnë të inkurajohen më shumë shkollat katolike dhe famullitë, për t’u dhënë mundësi besimtarëve të njihen me Ungjillin e familjes, në tërësinë e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.