2015-10-14 16:23:00

Françesku lëvizjes Ndihmë për Kishën që Vuan: të çrrënjosen persekutimet!


Të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar. E mësojmë përsëri këtë nga Raporti “Të persektuar e të harruar!”, hartuar nga lëvizja kishtare “Ndihmë për Kishën që Vuan”(Acs), së cilës Papa i dërgoi, përmes sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, një mesazh. Në të Hirësia e Tij vlerëson lart përpjekjet  e të gjithë atyre, që i tregojnë botës plagën e persekutimit dhe vuajtjet e të krishterëve. “Ati i Shenjtë - vijon kardinali - lutet që, kush e ka autoritetin për të bërë, të luftojë me zell e me të gjitha forcat jo vetëm për t’i çrrënjosur persekutimet dhe diskriminimet fetare në kombin e vet, por edhe për të kërkuar metoda më të suksesshme në nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim që të marrin fund këto fyerje kundër dinjitetit njerëzor dhe lirisë fetare". Së fundi, sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij përcjell edhe urimin e Papës, i cili shpreson se gratë dhe burrat besimtarë e  vullnetmirë mund t’i mbështesin vëllezërit e motrat, që vuajnë në mbarë botën, duke u dhënë ndihmë shpirtërore e materiale.

Njëzet e dy, shtetet në botë, ku të krishterët pësojnë kufizime të rënda të lirisë së tyre fetare. Studimi i Ndihmë për Kishën që Vuan thekson se numri i Kombeve, ku ndjehet më fort persekutimi, vijon të rritet nga viti 2013, në vitin 2015, duke përfshirë Irakun, Sirinë, Nigerinë e Sudanin, vende, këto, të mirënjohura për ekstremizmin islamik që, nënvizohet në Raport, përbën një nga rreziqet kryesore për bashkësitë e krishtera. Posaçërisht e rëndë, situata në Lindjen e Mesme: në Irak, nga viti 2000 e deri më sot, popullsia e krishterë është përgjysmuar: nga një milion, që ishte, ka arritur në më pak se 300 mijë. Nëse do të vijonte kjo prirje, bashkësia e krishterë do të zhdukej në më pak se pesë vjet. Të detyruar nga terroristët e Shtetit të vetëshpallur Islamik të zgjedhin mohimin e fesë ose vdekjen, më se 120 mijë irakianë ikën në drejtim të Kurdistanit irakian. Kushtet në të cilat jetojnë, janë tepër të vështira, gjendja psikologjike, e padurueshme. Një shpresë e një ëndërr i bën t’i përballojnë kushtet e sotme të jetesës: rikthimi në shtëpi. Presin që bashkësia ndërkombëtare ta dëbojë Is-in, domethënë dhunën e padrejtësinë. E të mund të rikthehen në shtëpitë e tyre, në kishat e tyre!








All the contents on this site are copyrighted ©.