2015-10-13 13:20:00

Siria. Atë Mourad: shqetësohet për fatin e 190 të krishterëve të tjerë, të burgosur të Is


Gëzimi për lirimin e atë Jacques Mourad shndërrohet sakaq në shqetësim të madh për fatin e më se 190 të krishterëve me origjinë nga Al Qariatayn, në jug perëndim të Homsit, në Siri, që vijojnë të jenë në duart e milicive të Shtetit të vetëshpallur Islamik (Is). Orë ankthi e hareje njëherësh - njofton agjencia AsiaNews - për bashkësinë e krishterë siriane, që kremton kthimin e meshtarit siro-katolik,  epror i manastirit të Mar Elian, rrëmbyer muajin e kaluar pranë vendit të kultit, rrënuar në gusht nga Is, e lutet për jetën e pengjeve të tjera.

190 të krishterë të tjerë janë në duart  e Is  

Një burim informacioni pranë atë Mourad, me të cilin u lidh AsiaNews, pohon se  meshtari nuk u lirua, por iku nga burgu. Kemi frikë, vijon, se mund të ketë raprezalje nga ana e xhihadistëve; dje ikën edhe 40 vetë të tjerë, të krishterë, nga fshati Al Qariatayn, duke lënë në dorë të mercenarëve të Is edhe 190 vetë të tjerë, që mund të  përfundojnë si viktima të hakmarrjes së milicëve. Ndërsa për atë Mouradin, meshtar i bashkësisë së atë Paolo Dall’Oglio, që prej 12 vjetësh në krye të famullisë siro-katolike vendase, mori fund makthi i burgut të tmerrshëm. Mik e bashkëpunëtor i meshtarit jezuit me origjinë italiane, ishte një nga murgjërit e parë të bashkësisë së Mar Musa që, pa marrë parasysh rreziqet e përditshme të konfliktit e as rrezikun e  rrëmbimit, nuk deshi t’i braktisë njerëzit e vet.

Vazhdimisht i kërcënuar, nuk e nënshkroi kurrë aktin e mohimit të krishterimit

Në një intervistë dhënë Tv2000, i pari i kuvendit Mar Elian tregoi disa hollësi për muajt e kaluar në duart e  Shtetit Islamik. “Pothuajse për gjithë ditë –tregoi- ndonjë nga përfaqësusit e Shtetit Islamik hynte në qelinë time e më pyeste: ‘Kush je?’. Përgjigjesha: ‘Jam nazaren, i krishterë!’. ‘Atëherë je i pafe!?’ – ushtonte qelia nga zëri i egër – ‘e me që je i pafe, nëse nuk kthehesh në Isalm, do të të therim me thikë në fyt, si shumë të tjerë’. Po unë nuk e nënshkrova kurrë aktin e mohimit të krishtermit”.  Atë Mourad e quan mrekulli, ndërhyrje të Zotit të mirë, qëndresën, e edhe lirimin. “Ndërsa isha i burgosur, vijon,  prisja çdo çast vdekjen, por me një paqe të madhe shpirtërore. Nuk më shqetësonte aspak vdekja për Zotin. S’isha as i pari, as i fundit, por vetëm njëri nga tre mijë martirët e rënë për Krishtin”.

Ika, falë një miku mysliman

Atë Mourad ia doli të ikte nga Qariatayn duke u fshehur në një makinë, së bashku me një mik mysliman, e duke mos i harruar për asnjë çast të burgosurit e tjerë të krishterë, që vijojnë të jenë në duart e xhihadit. Së fundi, një falënderim drejtuar të gjithë atyre, të cilët u lutën për lirimin tim, shton meshtari, një mrekulli, që më shpëtoi nga duart e Daesh (akronim arab për Shtetin Islamik) mrekulli e ndërmjetësimit të Virgjërës Mari!








All the contents on this site are copyrighted ©.