2015-10-13 11:00:00

Vatikan: Lëmoshtaria e Papës përuron një bujtinë për të pastrehët


Që prej më se një jave, në Rrugën romake të Pendestarëve, pranë Spitalit të Shpirtit Shenjt, është hapur një bujtinë për njerëzit e pastrehë. Të enjten, më 7 tetor, në kujtimin liturgjik të Zojës Rruzare, bujtina u përurua zyrtarisht  me bekimin e lokaleve dhe Meshën Shenjte, kremtuar nga lëmoshtari apostolik, imzot Konrad Krajewski. Në kremtim, lexojmë në Komunikatën e Lëmoshtarisë apostolike, morën pjesë përbujtësit e parë dhe vullnetarët e bujtinës.

Bashkësia e jezuitëve i përgjigjet thirrjes së Papës

Lokali i gjerë, që ndodhet në zonën ekstraterritoriale e që para pak kohe përdorej nga një agjenci shtegtimesh, iu ofrua Papës Françesku  nga Shtëpia e përgjithshme e Shoqërisë së Jezusit. Në këtë mënyrë, Bashkësia e Jezuitëve deshi t’i përgjgjej menjëherë thirrjes së Papës për t’i përdorur ndërtesat e mundshme në ndihmë të njerëzve nevojtarë, në vështirësi. Bujtina quhet “Dhurata e Mëshirës”. Quhet e është dhuratë e bashkësisë rregulltare; quhet e është e mëshirës, sepse fjala mëshirë është emri i dytë i dashurisë, që shprehet përmes gjesteve konkrete e bujare ndaj të afërmit.

Punimet u financuan nga Lëmoshtaria

Bujtina mund të përbujë më se 34 burra çdo natë e, ashtu si “Dhurata e Marisë”, dy hapa më tej, mbarështohet nga Motrat e Nënës sonë Terezë, që drejtojnë edhe strehë të tjera në Romë, pranë Stacionit Termini dhe në Shën Gregorio al Celio. Të gjitha punimet i ndoqi dhe i financoi Lëmoshtaria apostolike, duke shfrytëzuar për këtë vepër, të ardhurat e ofertave prej pergamenave me Bekimin Apostolik dhe ndihmat bujare të njerëzve të ndryshëm, që e kanë për zemër fatin e të afërmit, posaçërisht atij, që nuk ka ku mbështet kokën, kur mbi Qytetin e Amshuar endet vetëm hija  vetmitare e natës. Veç tjerave, Lëmoshtaria apostolike, së bashku me motrat e Nënë Terezës, impenjohet për të mbështetur ekonomikisht të gjitha veprimtaritë e bujtinës.








All the contents on this site are copyrighted ©.