2015-10-13 11:50:00

Françesku: ta duam Jezusin e popullin për të qenë misionarë të vërtetë


“Misioni, përveçse dashuri për Jezusin, është edhe dashuri për popullin e Tij”. Kjo, një nga frazat e mesazhit të Papës Françesku për Takimin IV kombëtar të Grupeve misionare, që vijon në Santiago del Estero, në Argjentinë. Marrin pjesë mëse 2200 veprimtarë baritorë, të cilët diskutojnë mbi temën: “Misioni, një stil jete”.

Të mos harrohet takimi i parë me Jezusin

         “Për të qenë misionarë, para se të shpallim e të komunikojmë, është e nevojshme të shikojmë. Ta shohim Jezusin, që u bë i vogël, për t’u ulur deri në brishtësinë tonë, që u bë i vdekshëm, për ta veshur korpin tonë me pavdekësi e, që vjen përditë drejt nesh, për të ecur me ne e për të na shtrirë dorën e tij mike në vështirësi”.

         Në mesazh, Papa Françesku këshillon të mos harrohet kurrë takimi i parë me Jezusin, gëzimi me të cilin kemi marrë Lajmin e Mirë të ekzistencës së Tij, përmes prindërve, gjyshërve, katekistëve. E më tej, Ati i Shenjtë kërkon të mos rreshtim kurrë së luturi njëri për tjetrin, sepse lutja është mënyra për përkrahjen e ndërsjellë. Kështu, vëren Papa, Jezusi do të arrijë të bëjë mrekulli për ne.

Ta duam popullin, për të qenë misionarë të vërtetë

         Françesku nënvizon se për të qenë misionarë të vërtetë duhet të duam jo vetëm Zotin, por edhe popullin e Tij. E i fton të gjithë të kenë, si Jezusi, “një vështrim plot ëmbëlsi, mirëkuptim e mëshirë, që i nxit të prekin plagët e Zotit në korpin e vëllezërve nevojtarë”. Të shohësh Jezusin tek të tjerët, thekson Papa, “ta spastron zemrën, e çliron nga egoizmi, nga çdo synim i dytë, nga çdo dëshirë për gjërat e kësaj bote”. Së fundi, nga Ati i Shenjtë, inkurajimi për të vazhduar të ndërtojmë një “Kishë në dalje” e të punojmë për “të komunikuar gëzimin, që Zoti na e ka vënë në zemra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.