2015-10-13 16:05:00

Sinodi mbi familjen: nga dëgjimi te arsyetimi


Sinodi i 14-të i përgjithshëm i ipeshkvijve mbi familjen vazhdon punimet mbi temën kryesore “Thirrja e misioni i familjes në Kishë e në botën bashkëkohore”.

Etërit sinodal kanë zhvilluar sot 13 tetor  punimet e tyre në Rrethe të vogla, duke thelluar pjesën e dytë të dokumentin bazë të këtij Sinodi ‘Instrumenum Laboris’ kushtuar temës “Në shoshitje të vokacionit familjar”.

Paraditen e 14 tetorit punimet e Sinodit do të vazhdojnë në sallë me kongregacionin e VIII, gjatë të cilit do të lexohen tekstet e relacioneve të grupeve gjuhësore. Këndej vijon debati mbi pjesën e tretë të tekstin në shqyrtim.

Kujtojmë se dokument ‘Instrumenum Laboris’ është fryt i Sinodit të vitit të kaluar mbi familjen, fotografon gjendjen aktuale të familjes e nuk i fsheh vështirësitë, problematikat e madje as distancën ndërmjet Magjisterit, pra Mësimeve zyrtare të Kishës e sjelljes së besimtarëve në familje.

Dokumenti i fton etërit sinodalë për “të diskutuar e rimenduar me entuziazëm të ri atë çka thotë Zbulesa e Zotit, transmetuar Kishës përmes fesë, për bukurinë, rolin dhe dinjitetin e familjes”.

Një prej temave që u trajtua nga etërit sinodal është nevoja e rizbulimit të doktrinës së Kishës mbi martesën. Një tjetër është marrëdhënia mes familjes e punës, faktor ky që ndikon në një mënyrë vendimtare në jetën e besimtarëve e të familjeve të tyre. 

Letra e disa etërve sinodalë për Papën ishte e rezervuar e nuk përkon, si në tekst, ashtu edhe në firma, me atë që iu dorëzua Atit të Shenjtë Bergoglio. Aq është e vërtetë, sa katër kardinaj deklaruan tashmë se nuk e kanë nënshkruar. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi sqaroi sot, në takimin me gazetarët, prapaskenat e publikimit të letrës, duke nënvizuar se atmosfera e Sinodit është pozitive e punimet vazhdojnë në grupet e vogla.

Publikimi i letrës, me synim trazirat

Atë Lombardi kujtoi pohimin e kardinalit australian George Pell, Prefekt i Sekretarisë së Vatikanit për Ekonominë, i cili nënvizon se letra duhej të mbetej e rezervuar, prandaj kush e ka publikuar, me ndryshime e jo me listën e saktë të firmave, synonte të sillte shqetësime në punimet e Sinodit. Atë Lombardi theksoi për gazetarët:

“Në thelb, vështirësitë, përshkruar në letër, u thanë të hënën, më 5 tetor, në mbrëmje, në sallë, megjithëse jo kaq të zgjeruara e të detajuara. Unë ju pata folur për kundërshtime e dyshime mbi procedurën. Siç e dimë, Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Baldisseri, dhe Papa, u përgjigjën qartë paraditen e nesërme, të martën, më 6 tetor. Prandaj, kush e ka dhënë këtë tekst e këto firma për t’i publikuar pas disa ditësh, ka kryer një akt shqetësues, që nuk ishte në synimet e nënshkruesve. Prandaj, nuk duhet të kushtëzoheni prej letrës”.

Në Sinod, bashkëpunim e atmosferë pozitive

Mund edhe të bëhen vërejtje për metodologjinë e Sinodit, e cila është e re, vijoi atë Lombardi, por kur vendoset, të gjithë impenjohen për ta zbatuar sa më mirë. Pra, në Sinod ka bashkëpunim e atmosferë pozitive.      

Kard. Napier nuk e diskuton të drejtën e Papës lidhur me zgjedhjen e Komisionit për Relacionin përfundimtar

Më pas, atë Lombardi u bë zëdhënësi i kardinalit jugafrikan Vilfrid Fox Napier, kryeipeshkëv i Durbanit, të cilit, në një intervistë i vihen në gojë fjalë, që nuk i ka thënë:

“Përsa i përket përbërjes së Komisionit prej dhjetë anëtarësh, emëruar nga Papa për hartimin e Relacionit përfundimtar të Sinodit, është shkruar gabimisht: ‘Napier vë në diskutim të drejtën e Papës Françesku për të bërë këtë zgjedhje’. Kardinali Napier më tha ta korrigjoj, duke pohuar saktësisht të kundërtën, pra: ‘Napier nuk e vë në diskutim të drejtën e Papës Françesku për ta zgjedhur këtë Komision’”.

Çështja e lidhjes ndërmjet thirrjes në jetën rregulltare dhe jetës familjare

Në takimin me gazetarët foli edhe kryeabati i Kongregatës benedektine të Sant’Ottiliain, atë Jeremias Schroder, i cili u ndal në lidhjen ndërmjet thirrjes në jetën rregulltare dhe jetës familjare:

“Shumë murgjër të rinj nuk vijnë më nga familje katolike të mirëformuara, por shpesh, rruga vokacionale është njëkohësisht edhe rrugë katekistike, pra, afrimi me fenë sjell edhe reflektimin për thirrjen. Në këtë fushë, po shohim ndryshime të thella në bazën shoqërore të thirrjeve tona”.

Tema e diakonatit femëror

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari mbi temën e diakonatit femëror, për të cilën është diskutuar në Sallën e Sinodit, atë Schroder theksoi:

“Më bëri përshtypje, sepse m’u duk temë e guximshme e, për mua, bindëse aq, sa mund ta imagjinoj një rrugë të tillë. Por krijova përshtypjen se ky argument, tani për tani, nuk pati jehonë të madhe në Sallë. Dëgjuam një opinion por, për momentin, puna mbeti me kaq”.

Dëshmi nga Ruanda

Ndër pjesëmarrësit në konferencën e sotme për shtyp, edhe Thérèse Nyirabukeye, këshilltare dhe formuese për Federatën afrikane të veprimit familjar, e pranishme në Sinod si dëgjuese. Me origjinë nga Ruanda, zonja kujtoi genocidin e përjetuar në vend para 20 vjetësh dhe nënvizoi rëndësinë e familjes në procesin e rindërtimit e të pajtimit kombëtar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.