Feja dhe ngjitja pas pasurive nuk mund të bashkëjetojnë, por nuk ka asnjë pengesë që të mos kapërcehet në jetën e fesë, kur ia beson Jezusit. Papa Françesku e shprehu këtë bindje duke kometuar, në Engjëllin e Tënzot, Ungjillin e liturgjisë të së dielës e duke përfunduar me një thirrje të re për mbrojtjen e ambientit, në Ditën kushtuar pakësimit të fatkeqësive natyrore.
Është një lojë shikimesh, kapitulli 10 i Ungjillit sipas Markut. Një ndeshje simbolike sysh ndërmjet Jezusit e bashkëbiseduesve të Tij. Papa përdori gjuhën televizive për ta vënë në dukje këtë hollësi e për ta theksuar edhe më shumë reflektimin:
“Ungjilltari inkuadron sytë e Jezusit, vërejti Françesku, duke përshkruar fjalët e thëna e ndjenjat e pathëna, të fshehura, të njërit nga fragmentet më të njohura të këtij Ungjilli në të cilin – pohoi - ka tri skena, të krijuara me tre shikime”.
Jeta e pasosur dhe lumturia
Në skenën e parë djaloshi i pasur vrapon tek Jezusi për t’i kërkuar ç’duhet të bëjë, që të trashëgojë jetën e amshuar, domethënë, lumturinë:
“Jeta e pasosur nuk është vetëm jeta e përtejme, por është jeta e plotë, e përmbushur pa asnjë kufi. Çfarë duhet të bëjmë për ta arritur? Përgjigjja e Jezusit përmbledh urdhërimet e Tënzot, në urdhërimin e dashurisë për të afërmin. Në këtë drejtim djaloshi nuk ka asnjë sjellje të qortueshme; por zbatimi i normave nuk i mjafton, nuk ia plotëson dëshirën për një jetë të përsosur, të lumtur”.
Shikimi plot dashuri
E ja edhe shikimi i parë. “I thellë – e quan Papa – plot me dhimbsuri e dashuri, që Jezusi ia ngul në sy djaloshit, para se t’i tregojë ç’duhet të bëjë për ta ndjekur: të shesë posaçërisht pasuritë e t’ua japë fitimet të varfërve. Po ky shikim i Jezusit nuk e prek zemrën e të riut, i cili, madje, largohet që aty me fytyrë të ngrysur sepse, kujtoi Françesku, zemra e tij ndahet më dysh, ndërmjet dy zotërinjve: Zotit e parasë, gjë që, shtoi Papa, tregon se feja dhe ngjitja pas pasurive, nuk mund të bashkëjetojnë:
“I riu nuk e la Jezusin ta pushtonte me shikimin plot dashuri, e kështu nuk mundi të ndryshonte. Vetëm duke e pranuar me mirënjohje të përvuajtur dashurinë e Zotit, mund të çlirohemi nga joshja e idhujve e nga verbëria e shpresave tona të kota. Paraja, kënaqësia, suksesi të hutojnë, por pastaj edhe të zhgënjejnë: të premtojnë jetën e të sjellin vdekjen. Zoti na kërkon të heqim dorë nga këto pasuri të rreme, për të hyrë në jetën e vërtetë, jetën e plotë, të mirëfilltë, të ndritshme”.
Shikimi i inkurajimit
Përgjigjja që i jep Jezusi djaloshit, vëren ungjilltari, i huton edhe Apostujt. E pikërisht atyre ua drejton Mësuesi shikimin e dytë e të tretë të skenës së dytë:
“Këtë herë flitet për një shikim të menduar, paralajmërues; ‘Duke i sjellë sytë për rreth, u tha dishepujve: sa e vështirë për ata, që kanë pasuri, të hyjnë në mbretërinë e Zotit!’. Hutimit të dishepujve, që pyesin veten: ‘E kush mund të shpëtojë atëhere?’, Jezusi i përgjigjet me një shikim inkurajimi – është shikimi i tretë – e u thotë: ‘Shëlbimi sigurisht është i pamundur për njerëzit, por jo për Zotin!’. Nëse lëshohemi plotësisht në dorën e Zotit, mund t’i kapërcejmë të gjitha vështirësitë, që na pengojnë ta ndjekim në udhën e fesë”.
Të rinj, do të zgjidhni Jezusin, apo mendësinë e botës?
Në skenën e tretë nuk ka shikime, por ka një të vërtetë, shpjeguar nga Jezusi: është “qindfishi”, të cilin Ai ia premton kujt lë gjithçka për ta ndjekur, shpjegoi akoma Françesku:
“Përbëhet nga sendet, që i pate, e pastaj i lë, por që i gjen të shumëfishuara në pafundësi. Çlirohesh nga pasuritë, e merr, si shkëmbim, kënaqësinë e së mirës së vërtetë; çlirohesh nga skllavëria e sendeve, e fiton lirinë e shërbimit për dashuri; heq dorë nga pasja, e fiton gëzimin e dhuratës”.
E pikërisht ky kujdes e shtyn Françeskun t’u drejtojë një pyetje të drejtpërdrejtë të rinjve, që e dëgjojnë:
“A e keni ndjerë shikimin e Jezusit mbi ju? Ç’përgjigje do t’i jepni? Ju pëlqen ta lini këtë shesh me gëzimin, që jep Jezusi, apo me trishtimin, që të krijon në zemër mendësia e botës?”.
Thirrje për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët
Të shumta, përshëndetjet e Papës, pas përfundimit të Engjëllit të Tënzot drejtuar grupeve të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit. I pari, kushtuar Ditës së sotme ndërkombëtare për pakësimin e fatkeqësive natyrore, gjë që Papa e ka shumë për zemër. Prej këndej, thirrja:
“Për fat të keq duhet pranuar se pasojat e këtyre fatkeqësive rëndohen shpesh për shkak të mungesës së kujdesit të njeriut ndaj ambientit. Bashkohem me të gjithë ata, që angazhohen me largpamësi në mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, për të promovuar kulturën globale e lokale të pakësimit të fatkeqësive natyrore dhe të përballimit të tyre, duke harmonizuar njohuritë e reja me ato tradicionale e me vëmendje të veçantë ndaj popullsive më të ligshta”.
Ndërmjet tjerëve, Papa përshëndeti edhe diakonët e priftërinjtë e Kolegjit gjermaniko-hungarik, shuguruar dje në Shoqatën ‘Davide Ciavattini” për asistencën e fëmijëve me sëmundje të rënda të gjakut.
All the contents on this site are copyrighted ©. |