2015-10-09 18:41:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-gjatë vitit B


Ja përsëri në takimin tonë të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia e kësaj së diele na propozon temën e pasurisë e të thirrjes së Zotit. Leximi parë na thotë se urtia është më e çmueshme se pasuria. Ungjilli na tregon një të ri të pasur, që e ndjen thirrjen e Jezusit, por nuk është guximtar për ta pranuar thirrjen hyjnore, sepse është i kapur për pasuritë e veta. I varfër është i pasuri, kur di të dhuron. Leximi dytë na flet për Fjalën e Hyjit, që është e gjallë, efikase dhe e mprehtë. 

                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Urt 7, 7-11

Hebrenjtë kanë provuar gjatë shekujve magjepsjen nga urtia e popujve që banonin rreth tyre.  Nga egjiptianët kanë mësuar se madhështia e vërtetë qëndron në të diturit; nga grekët kanë marrë kuptimin e bukurisë dhe të harmonisë së gjërave.  Po çfarë janë këto të mira pa pasur një pamje të thellë të realitetit?  Urtia e vërtetë është ajo që vjen nga Hyji, e cila i sheh gjërat ashtu siç janë realisht dhe njeh vlerën e vërtetë të tyre në raport me Hyjin.

Lexim prej Librit të Urtisë

U luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë. E çmova atë më shumë se mbretëritë e fronet, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. Gurin e paçmueshëm as që e krahasova me të, sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë, e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë.  E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 90

Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona

që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?

Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

 

Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,

e do të gëzohemi e do të galdojmë

të gjitha ditët e jetës sonë.

Gëzona për ditët që na mundove,

për vjetët që i kaluam në mjerim.

 

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,

shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,

bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,

të përparojë vepra e duarve tona.

Leximi dytë

Shpesh predikimet tona janë një sërë fjalësh boshe, ndryshe nga Fjala e Hyjit që është e mprehtë, e efektshme dhe provokuese.  Ajo denoncon pamëshirshëm dyfytyrësinë tonë, por është një fjalë që na çliron dhe u përgjigjet nevojave tona më të thella.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Ati i Zotit tone Jezu Krishtit t’ju japë Shpirtin e dijes, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.

Aleluja.

Ungjilli   Mk 10, 17-30

Në kohën e Jezusit hebrenjtë mendonin që të mirat dhe pasuritë ishin shenja të bekimit të Hyjit.  Por Jezusi ka jetuar si i varfër dhe u ka mësuar apostujve që të jetojnë në të njëjtën mënyrë.  Të krishterët e parë kanë jetuar një jetë të varfër duke pranuar të japin edhe jetën në momentin e persekutimit.  Por nuk ishin vetëm dhe të pambrojtur: ishin të bindur se duke imituar Jezusin i jepnin kuptim jetës së tyre e cila pasurohej nga jeta e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi i përgjigji: “Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the kurrorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!”

Ai u përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”  Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajau skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta. Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!” 

Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! Më lehtë është të përshkohet devja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin: Hyji mund të bëjë gjithçka.”

Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: “Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.” Jezusi i përgjigji: “Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat, e të mos marrë tani, në këtë botë, edhe pse me salvime, njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, e, në botën e ardhshme, jetën e pasosur.”  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë, emisionit tonë kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu.... 








All the contents on this site are copyrighted ©.