2015-10-09 12:26:00

Françesku: shpifjet, zilitë e kurthet vijnë nga djalli


Ta shikosh me sy të keq, atë që bën mirë, të shpifësh për zili, të ngresh kurthe për ta rrëzuar, e gjithë kjo nuk vjen nga Zoti, por nga djalli. Papa komentoi Ungjillin e ditës, duke kryesuar Meshën në Shtëpinë e Shën Martës.  

Ngurtësi doktrinore

Në Ungjillin e kësaj së premteje, Jezusi dëbon një shejtan, bën mirë, është gjithnjë ndërmjet njerëzve, që e dëgjojnë dhe e pranojnë autoritetin e Tij, por në turmë ka edhe nga ata, që e akuzojnë, nënvizoi Papa:

“Ishte edhe një grup tjetër njerëzish, që nuk mund ta duronte e përpiqej gjithnjë t’i shpjegonte fjalët dhe sjelljet e Tij në mënyrë të ndryshme, kundër tij: disa e bënin këtë sepse e kishin zili, të tjerë, për shkak të ngurtësisë doktrinore, të tjerë akoma, ngaqë kishin frikë se do të vinin romakët e do të bënin kërdi. Kërkonin gjithfarë pretekstesh, për ta larguar Jezusin nga populli, edhe me shpifje, si në këtë rast: ‘Ai dëbon djajtë me ndihmën e Belzebusë. E edhe vetë është i djemnuar (djallëzuar). Madje dhe magjistar. Me një falë, është shtrigan’. E vazhdimisht e vinin në provë, i ngrinin kurthe, për ta parë nëse do të rrëzohej”.

Vëmendje e vigjilencë

Papa Françesku fton për vëmendje e vigjilencë. Për t’i dalluar situatat: atë që vjen nga Zoti, e atë që vjen nga djalli i mallkuar, i cili përpiqet gjithnjë të gënjejë, të joshë drejt udhës pa krye. I krishteri nuk duhet të jetë i qetë, nuk duhet të mendojë se gjithçka shkon si s’ka më mirë; duhet t’i dallojë gjërat e të shikojë me vëmendje nga vijnë, ky i kanë rrënjët.

Djalli e vë ndërgjegjen në gjumë

E pastaj duhet vigjilenca, sepse në udhën e fesë tundimet rikthehen pambarimisht. Shpirti i keq nuk lodhet kurrë. Po të jetë dëbuar, pret me durim të rikthehet, e po ta lësh të hyjë, bie në një situatë edhe më të keqe  se më parë. Djalli është fshehur, ia beh bashkë me ca miq shumë të edukuar, troket në portë, kërkon lejë, hyn e nis të bashkëjetojë me të zotin e shtëpisë, në jetën e tij të përditshme. Pak nga pak, nis të japë urdhëra. Me këtë edukatë djalli i bind njerëzit t’i nënshtrohen relativizmit, duke e fashitur ndërgjegjen:

“E fashitin ndërgjegjen, e vënë në gjumë. Kjo është  një e keqe e madhe. Kur shpirti i keq ia del mbanë ta topitë ndërgjegjen, mund të flitet për fitoren e tij të plotë. Ai bëhet, kështu, i zoti i ndërgjegjes. Thua mund të ndodhë kështu kudo? Po, të gjithë kemi probleme, të gjithë jemi mëkatarë, të gjithë…. E ndërmjet të gjithëve, është edhe ‘askushi’. ‘Të gjithë po, por unë jo’. E kështu jetohet sipas mendësisë së botës, bijë e denjë e shpirtit të keq”.

Të bëhet gjithnjë rrëmimi i ndërgjegjes

Papa i rikujtoi dy fjalët: vëmendje e vigjilencë.

“Vigjilencë! Kisha këshillon gjithnjë ushtrimin e rrëmimit të ndërgjegjes: çfarë ka ndodhur sot në zemrën time? A erdhi djalli i edukuar, me zhganin e miqve të tij? Vëmendje! Nga vijnë komentet, fjalët, mësimet që thotë ky?  Vëmendje e vigjilencë, për të mos e lënë të hyjë këtë, që gënjen, që mashtron, që josh. T’ia kërkojmë Zotit këtë hir, hirin e vëmendjes e të vigjilencës!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.