2015-10-09 16:48:00

Atë Spadaro: për Françeskun reforma e Kishës është proces i hapur


 

“Reforma e Kishës sipas Françeskut. Rrënjët injaciane”. Ky, titulli i një artikulli të gjatë, shkruar nga atë Antonio Spadaro, botuar në numrin e fundit të revistës “Civiltà Cattolica”(Qytetërimi Katolik). Drejtori i revistës së jezuitëve, atë sinodal, nënvizon se “Papa Françesku është papë jezuit dhe ideja e tij për reformimin e Kishës përkon me vizionin injacian”. Reforma, pra, është proces vërtet shpirtëror, që ndryshon edhe strukturat”. Nuk është e rastit, vijon, që një nga modelet e mëdha frymëzuese të Bergoglios, është jezuiti Shën Pjetër Favre, të cilin Michel Certeau e quan thjesht “prift i reformuar”.

Reforma e Kishës nga ana e Bergoglios, është fryt i Ushtrimeve Shpirtërore

“Papa Françesku - shkruan atë Spadaro - është fryt i Ushtrimeve Shpirtërore’, ndërsa vizioni i reformës së Kishës i ka rrënjët në reformën  e jetës, fryt i ushtrimeve”. Nga ana tjetër, vijon artikulli, reformatori, ashtu si jezuiti, për Françeskun duhet të jetë ‘i zbrazur’, nuk duhet të përqendrohet në vetveten, por në Zotin, është i thirrur të ulet, të boshatiset. “Reforma - për Françeskun - shkruan drejtori i “Civiltà Cattolica”(Qytetërimi Katolik) -  rrënjoset në zbrazjen e plotë të vetvetes. Nëse nuk do të ishte kështu e do të ishte thjesht një ide, një projekt ideal, fryt i dëshirave vetjake, qofshin edhe të mira, do të bëhej e njëjta ideologji e ndryshimit”.

Papa nuk ka program, në qendër është shqyrtimi

Papa Françesku, lexohet akoma, nuk ka program. Papa ecën përpara mbi bazën e përvojës shpirtërore e të lutjes, që e ndan me të tjerët në dialog e në këshillim. Kjo mënyrë e ecjes përpara quhet “shqyrtim”: shqyrtim i vullnetit të Zotit  në jetën e përditshme. Detyra e reformatorit është, pra,  “t’i nisë ose t’i shoqërojë proceset historike”. Për Bergoglion, vëren atë Spadaro, t’i reformosh proceset, do të thotë t’i vijosh proceset e hapura  e jo të presësh koka, për të fituar hapësira e pushtet. Pikërisht me këtë frymë shqyrtimi, Injaci dhe shokët e tij i bënë ballë sfidës së Reformës”. Gjithsesi, vëren drejtori i revistës së jezuitëve, “udha, që mendon të përshkojë, është me të vërtetë e hapur, nuk është road map teorike: udha hapet duke ecur. Projekti i tij, në të vërtetë, është përvojë shpirtërore e jetuar, që merr formë shkallë–shkallë e kthehet në terma konkrete në veprim”; “papnia bergogliane dhe dëshira e tij për reforma – vijon – nuk janë e as nuk do të jenë të rendit administrativ, por të nisjes e të shoqërimit të proceseve: disa të shpejta, të rrufeshme; të tjerat, më të ngadalshme”.

Me Sinodin, Papa i dha shtytje lëvizjes së Kishës

Për Françeskun, pra, ka shumë më tepër rëndësi t’i japë shtytje proceseve, sesa të pushtojë hapësira. Këtë e tregon më së miri “shtytja përpara, që po i jep lëvizjes së mbarë Kishës” me Sinodin e dyfishtë mbi familjen, që u mendua si proces i Papës. Bergoglio, vijon, jeton një dinamikë të vazhdueshme shqyrtimi, që i hap horizontet e ardhmërisë. Edhe të  ardhmërisë së reformës së Kishës, që nuk është projekt, por ushtrim shpirti, që nuk shikon vetëm bardh e zi, si shikojnë ata, të cilët dëshirojnë të bëjnë gjithnjë beteja. Nga ana tjetër, Françesku mendon se nuk duhet të frkësohesh fare nga konfliktet, që nganjëherë të trondisn e të trembin. Për Papën jezuit, “konfliktet duhen ledhatuar” e “kontradiktat duhen harmonizuar”. Njëkohësisht Papa Françesku është krejtësisht i vetëdijshëm se reforma e Kishës, për të cilën flet, kërkon formim të gjerë e të thelluar, posaçërisht të barinjve. Në këtë kuptim është edhe në vijë me kërkesën e thellë, që  Shoqëria e Jezuitëve e shikon gjithnjë si mision: formimin e klerit, formimin e barinjve.

Reforma jeton një tension të dobishëm ndërmjet Shpirtit e institucionit

Artikulli përfundon duke nënvizuar se për Papën Françesku, reforma e Kishës jeton një tension të dobishëm ndërmjet Shpirtit dhe institucionit. Ekziston tensioni dialektik ndërkishtar në diskutimin që bën Papa Françesku ndërmjet Shpirtit dhe institucionit, në mënyrë që t’i kundërvihet “mbylljes së Kishës në vetvete apo introversionit kishtar’, siç e pati quajtur Gjon Pali II, gjë që mbetet gjithnjë tundim i madh”.

Interesante të vërehet ky tension i frytshëm ndërmjet Kishës, si popull shtegtar e Kishës, si institucion, që pasqyron të dy përkufizimet e Saj, të cilët i pëlqejnë Papës Françesku: “populli besimtar i Hyjit për udhë” (Lumen Gentium) dhe “Kisha Amë Hierakike) (Shën Injaci i Lojolës).

“Reforma e Kishës, për Françeskun - përfundon atë Spadaro – në fund të fundit është kjo: të veprohet në mënyrë që Kisha Amë Hierarkike të jetë gjithnjë popull besnik i Hyjit, për udhë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.