2015-10-08 07:00:00

Për Jubileun, Portë e Mëshirës në çdo dioqezë


Jubileu i Mëshirës, që do të fillojë më 8 dhjetor, është dashur nga Papa Françesku për t’u jetuar intensivisht nga çdo Kishë, në çdo vend të botës. Shenja më e dukshme e këtij synimi është mundësia për hapjen e Portave të Mëshirës në çdo dioqezë, siç njofton me një komunikatë, Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Njëlloj si Portat e Shenjta në Bazilikat papnore të Romës, ato do t’u lejojnë edhe atyre, që nuk mund të vijnë në Qytetin e Amshuar, të kryejnë shtegtimin jubilar.

Porta e Mëshirës

Ipeshkvi i vendit duhet të caktojë kishën në të cilën do të hapet Porta e Mëshirës, një në çdo dioqezë, por edhe në shenjtëroret më të rëndësishme të vendit, sidomos në ato më të frekuentuarat nga besimtarët. Mundësia për të marrë ndjesën e plotë duhet të kuptohet nga besimtarët si diçka e jashtëzakonshme e duhet jetuar si çast i rëndësishëm i rrugës drejt kthimit kah Zoti.

Hapja e Portës së Mëshirës

Pas fillimit të Vitit Shenjt, më 8 dhjetor, të gjitha Kishat e veçanta do të hapin Portat e Mëshirës, në bashkim me Kishën e Romës, gjatë një kremtimi eukaristik kryesuar nga një delegat i ipeshkvit, në të dielën e tretë të Kohës së Ardhjes (E diela “Gaudete”). Atë të dielë, Papa Françesku do të hapë në Romë, Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran.

Riti i veçantë për hapjen e Portave të Mëshirës është miratuar enkas dhe mund të shihet në vëllimin “Kremtimi i Mëshirës”, i pari i një serie doracakësh për Jubileun, publikuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri. Për shembull, ngjyra liturgjike e paramenteve për atë ditë do të jetë ngjyra vjollcë ose lejla në rozë, siç parashikohet për të dielën “Gaudete” e, nuk do të thuhet Gloria, si zakonisht gjatë Kohës së Ardhjes. Këto vëllime, ndër të cilët edhe ai me ritin në fjalë, janë botuar në shtatë gjuhë. Për më tepër, mund të shihet faqja e internetit e Jubileut “im.va”.

Kishat jubilare

Secila prej katër bazilikave papnore të Romës (Shën Pjetri në Vatikan, Shën Gjoni në Lateran, Zoja e Madhe dhe Shën Pali jashtë Mureve) kanë nga një Portë Shenjte. Ato janë kisha jubilare, ku besimtarët do të shkojnë në shtegtim për të marrë ndjesën e plotë, sipas kushteve të zakonshme. Tradiconalisht, janë kisha jubilare edhe bazilikat e Tokës Shenjte. Në vendet e tjera të botës, duhen konsideruar jubilare të gjitha ato kisha dhe shenjtërore, ku është hapur Porta Shenjte.

 Në rastin e Romës, katër bazilikave papnore u shtohen edhe tri kisha të tjera, për të plotësuar atë, që tradicionalisht njihet si “shtegtimi i shtatë kishave”. Ato janë bazilika e Shën Lorencit jashtë Mureve, ajo e Shën Kryqit në Jeruzalem dhe e Shën Sebastianit jashtë Mureve. Kjo udhë pendestare u është lënë trashëgim romakëve nga Shën Filip Neri, që në vitet ‘500.

 Përveç këtyre, gjatë Jubileut, do të konsiderohen kisha jubilare, ku mund të merret ndjesa e plotë, edhe Shenjtërorja e Dashurisë Hyjnore dhe kisha e Shpirtit Shenjt në Sassia, e njohur si Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore. Po ashtu, do të mund të merret ndjesa e plotë në ato kisha, që e kanë përherë këtë të drejtë.

Pas kalimit të Portës Shenjte

 Pasi të kalojnë Portën Shenjte ose Portën e Mëshirës, ose në një nga rrethanat e tjera për të cilat Papa Françesku ka lejuar marrjen e ndjesës së plotë (për shembull, për të sëmurët, të burgosurit e për këdo që kryen personalisht një vepër mëshire) e pasi të jenë të sigurtë se i plotësojnë kushtet, të cilat kërkojnë një zemër të predispozuar që Hiri Hyjnor të sjellë frytet e shpresuara, besimtarët duhet të ndalen në lutje e të kryejnë aktet e fundit: të thonë Besojmën e lutjen për Papën, si edhe lutjen sipas ndjetit të Atit të Shenjtë. Kjo e fundit mund të jetë së paku Atyna, por edhe më shumë. Në veçanti, fryma e propozuar për këtë Vit të Shenjtë na sugjeron të themi lutjen e bukur të Papës Françesku për Jubileun e ta përfundojmë çastin e lutjes duke iu drejtuar Jezusit Zot të Mëshirshëm (për shembull, “O Jezus i Mëshirshëm, besoj në Ty”).








All the contents on this site are copyrighted ©.