2015-10-08 13:29:00

Në Sinodin mbi familjen, ballafaqim ndërmjet gjuhëve e kulturave


Sot, në Sinodin e 14-të të përgjithshëm të zakonshëm kushtuar familjes, vijoi diskutimi në 13 grupet e vogla, organizuar mbi bazën e gjuhëve. Sipas kryeipeshkvit të Filadelfias, imzot Chaput, ka rrezik që  dokumenti bazë të ketë frymë tepër perëndimore. Prelati kërkoi dialog, jo mandat doktrinor.

270 etërit sinodalë të mbledhur në Vatikan, e vijuan edhe sot diskutimin në grupet e punës. Quhen grupe të vogla e në to janë të pranishëm ipeshkvij nga vendet, që flasin njërën nga pesë gjuhët e zgjedhura: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht e gjermanisht.

Diskutimi ndjek rendin e temave, sipas dokumentit bazë (instrumentum laboris), duke prekur probleme të ndryshme kulturore e duke u ndaluar posaçërisht tek gjuha që duhet të përdorë Kisha për t'’i paraqitur njerëzimit  mesazhin e saj.

Sinodi ndiqet hap pas hapi nga  gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”. Drejtori i saj, Giovanni Maria Vian, flet në Radio 24, për punimet e Sinodit, duke shpjeguar se është e vështirë që asambleja e ipeshkvijve të shprehet vetëm për kungimin për të divorcuarit. “Papa ka porositur që takimi i madh kishtar të mos kufizohet vetëm mbi këtë  problem, gjë që do ta rëgjonte shumë tematikën dhe problematikën e diskutimeve. Papa, kujton drejtori i “L’Osservatore Romano”, ka saktësuar edhe se Sinodi nuk është parlament, posaçërisht për përfaqësimin mediatik, që përmbledh një mori realitetesh, edhe të diktuara nga brenda, siç ndodh zakonisht. Drejtori Vian citon Papën Ratcinger “një nga protagonistët, ndërmjet quintave”, të Koncilit II të Vatikanit, sipas të cilit “ka ekzistuar Koncili real, e ai sipas mediave”. Lidhur me  Papën Bergoglio, Vian nënvizon se “roli i tij është të tejkalohet figura e Kishës, që kohët e fundit ishte stereotipuar paksa me rreptësinë e saj”.

Ndërsa Roberto de Mattei, pedagog i historisë së krishterimit, duke folur para mikrofonit të Radios 24, pohon ndërkaq se kjo e Bergoglios të krijon përshtypjen e një papnie jashtëzakonisht të dykuptimtë, sepse ngjall shpresa në mjediset progresiste e rezistencë, në ato konservatore. Prej këndej, nuk kuptohet mirë cila është vija. Përsa i përket lidhjes së Kishës me botën, përparimi i vërtetë është ai, që bëhet në emër të traditës kishtare, përtëritje, që nuk e ndryshon thelbin e mesazhit të krishterë.

Sipas De Mattei-t, ka rëndësi që nga ky Sinod të ripohohet doktrina tradicionale lidhur me martesën dhe familjen, pëndryshe do të krijohej rreziku i ndarjes, sepse në gjirin e Kishës katolike bashkëjetojnë mënyra të ndryshme të të jetuarit të fesë.

Ndërkaq Papa Bergoglio, në audiencën e përgjithshme, përballë një turme prej më se 30 mijë vetësh, mbledhur rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit, njoftoi se gjatë gjithë Sinodit katekizmat do të jenë reflektime të frymëzuara nga disa aspekte të lidhjes, që mund ta quajmë me plot gojën të pazgjidhshme, ndërmjet Kishës e familjes, me horizont të hapur drejt së mirës së mbarë bashkësisë njerëzore.

Një vështrim i vëmendshëm mbi jetën e përditshme të burrave  dhe të grave në kohët tona, argumenton Papa latinoamerikan, që i fton etërit sinodalë të mos e thjeshtojnë tematikën e Sinodit vetëm në temën e kungimit  për të divorcuarit, tregon menjëherë se kudo ndjehet nevoja për një injeksion të fortë të frymës familjare. Në të vërtetë, stili i marrëdhënieve – civile, ekonomike, juridike, profesionale, qytetare – duket shumë racional, formal, i organizuar, por edhe i fishkur, i thatë, anonim. Prej këndej, sipas Papës, shpesh herë bëhet krejt i padurueshëm. Pavarësisht nga përpjekjet për gjithëpërfshirje në format e tij, në realitet i braktis në vetmi e i përjashton nga radhët e veta, një numër gjithnjë e më të madh njerëzish.

Humanizimi i shoqërisë, vijon të kujtojë Ati i Shenjtë, natyrisht që nuk vjen nga “konkurenca”, as nga dëshira për të realizuar vetveten: kush krijon lidhje bashkëpunimi në shoqëri, i përvetëson këto lidhje pikërisht nga familja.

Familja – shton Papa - e bën të ndjeshme nevojën e lidhjeve të besnikërisë, të sinqeritetit, të besimit, të bashkëpunimit, të respektit; inkurajon projektimin e një bote të banueshme, të shtyn të besosh në marrëdhëniet e ndershme, edhe në kushte të vështira; të mëson ta mbash fjalën e dhënë, ta respektosh çdo njeri, të ndash  me të tjerët të mira e të vështira. E të gjithë jemi të vetëdijshëm për vëmendjen e pazëvendësueshme familjare ndaj anëtarëve më të vegjël e më të ligshtë, më të plagosur e deri tek ato më të çkujdesurit në jetën e tyre.

 E, megjithatë, familjet nuk e gëzojnë atë vëmendje, që meritojnë. Nuk u njihet pesha, rëndësia, vlera  e duhur shoqërore në organizimin e ekonomisë e të politikës në shoqërinë bashkëkohore që, me gjithë shkencën dhe teknikën e saj, nuk është ende e aftë t’i vërë në jetë këto njohuri në format më të mira të bashkëjetesës civile.

Paradoks për shoqërinë, por jo për Kishën e cila, vëren Papa, gjen sot, pikërisht në këtë pikë, kuptimin historik të misionit të saj lidhur me familjen e me shpirtin e vërtetë familjar, duke nisur nga rishikimi i jetës, që  vëren vetveten. Kisha është e duhet të jetë familje e Zotit. Nëse deri etërit e këqij – komenton Françesku – nuk ua mohojnë bukën e përditshme të uriturve, si mund të mendohet se Zoti nuk do t’ua japë atyre që, edhe pse krejt të papërkryer, do t’ia kërkojnë me këmbëngulje të pasionuar?  








All the contents on this site are copyrighted ©.